Një kallëzim është regjistruar në SPAK nga kandidati i Partisë Demokratike në Dibër, Xhemal Gjunkshi, ndaj kryetarit të Bashkisë Dibër Rahim Spahiu dhe një zyrtari të shërbimeve publike, drejtorit Bedri Kamberi.
Në dalje të institucionit, Gjuknshi tha sot (6 maj) për gazetarët se të dy vazhdojnë të lejojnë ndërtimin e një rruge në kohë fushate, në shkelje të Kodit Zgjedhor, edhe pse ai i kishte kallëzuar prej datës 25 prill.
“Erdha në SPAK në lidhje me një kallëzim që kam bërë në lidhje me një krim zgjedhor të kryetarit të Bashkisë, Rrahim Spahiu dhe drejtorit të shërbimeve të mbështetjes, Bedri Kamberi. Të dy këta persona janë kapur në flagrancë, duke përdorur asetet publike pikërisht në kohën e fushatës zgjedhore. Këto kanë pasur kohën e mjaftueshme që këtë rrugë ta ndërtonin për 12 vjet, por siç ndodh në të gjithë vendin, edhe në Dibër, infrasktruktura rrugore lë për të dëshiruar. Këta po bëjnë gjithçka që nëpërmjet përdorimit të aseteve publike, intimidimit të votuesve, presionit të administratës publike me vendet e punës, presion me ndihmën ekonomike ndaj banorëve dhe qytetarëve të Dibrës, një ndihmë ekonomike qesharake. Këta janë çyrykët dhe kryeçyryku. Por unë u them çyrykëve dhe kryeçyrykut Edi Rama që përgjigjen më të mirë nga qytetartë e Dibrës do e marrësh më 11 maj. Atë ofezë që i ke bërë Dibrës s’e ka bërë në shekuj as serbi dhe as turku”.
Pasi u pyet për 30 minuta në SPAK, me kapelen elektorale në kokë, Gjunkshi denoncoi edhe presionet që sipas tij po i bëhen administratës dhe asetet publike që po përdoren, deri tek trysnia psikologjike ndaj qytetarëve për ndihmat ekonomike.
“Procedimi penal është regjistruar, është numri 94, i datës 25 prill e muajit të kaluar, ndërkohë që kam edhe fakte të tjera, që pavarësisht kallëzimit që kam bërë, këta vijojnë e bëjnë punime, në ujësjellës, asfalt dhe punime të tjera. Këta kujtojnë se janë të paprekshëm, por përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. Këta të mos bëjnë rolin e kaubojsit, mospërfillësit dhe të vazhdojnë në mes të ditës të ushtrojnë presion ndaj banorëve të Dibrës”, tha ai.
Gjunkshi u pyet edhe për dosjen 184 të Dibrës, teksa tha se hetimet për të janë ende të hapura, duke akuzuar drejtuesit e PS.
“Në raport me dosjen 184 ajo është një çështje e hapur, ku është përfshirë edhe vetë kryeministri i vendit. Një dosje që ende vazhdon, nga ana e PD është kallëzuar dhe po ndiqen procedurat, SPAK të vazhdojë hetimin që një ditë edhe kryeministri të paraqitet këtu. Kurse për kallëzimin që kam bërë ende nuk është paraqitur këtu kryetari i Bashkisë, ai është çyryku që ka dhënë urdhër dhe ka deleguar të tjerët për të ardhur këtu. Por kjo i takon SPAK për ta hetuar. Detyra ime është të denoncoj mbi bazën e fakteve, kurse SPAK të kryejë detyrën me proesionalizëm dhe të dërgojë para drejtësisë këdoqoftë, ministër apo kushdoqoftë, që ka pasur pozicion të lartë”, tha kandidati i PD-së për qarkun.
Në fund ai dha edhe një mesash për kryeministrin, në lidhje me deklaratat politike që bëri në mitingun e PS në Dibër, duke përmendur fjalën “çyrykë”.
“Dibranët nuk ia falin Edi Ramës atë ofezë kaq të madhe që i kanë bërë. Kryeçyryku dhe kryekopuku i Shqipërisë do marrë përgjigjen e merituar në Dibër. PD do marrë 4 dhe PS 1 në Dibër”.
Xhemal Gjunkshi është edhe gjenerali që ka qenë në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe ka lejuar e firmosur tjetërsimin përfundimtar të pronave të kompleksit “Partizani” dhe kthimin e tye në komplekse pallatesh nga dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe familja e tij, nën pretendimin e trashëgimtarit.
Në dosjen e SPAK për Berishën e Malltezin evidentohet se Gjunkshi, vetëm një javë pas emërimit në ushtri, kreu 5 veprime brenda pak orëve dhe dorëzoi pronën.
Një aferë kjo që tani hetohet nga SPAK dhe ndodhet në GJKKO, ku Berisha, Malltezi dhe 3 të tjerë janë të pandehur dhe të akuzuar.
Komente
