Politikë

Zgjedhjet/ Kandidati Kalaja për Report Tv: Heqja e non gratës nuk blihet me para, do ishte çmenduri! LaCivita po lidh PD-në me SHBA-të! Në Durrës synojmë 8 mandate

30 Prill, 16:58| Përditesimi: 30 Prill, 18:35

  • Share

Heqja e non gratës nuk mund të blihet me para dhe për më tepër që ta bëjë një shtet si SHBA-të.

Kështu u shpreh kandidati i PD-së për qarkun e Durrësit nga listat e hapura për zgjedhjet e 11 majit, Aulon Kalaja, sot në emisionin “Studio Live”, i ftuar nga moderatori Arbër Hitaj në lidhje me programin elektoral. 

Edhe pse u shpreh se nuk e kishte lexuar ende kontratën e lobimit 6 mln dollarë të firmosur nga PD me kompaninë amerikane “Continental”, gazetari që kandidon për ligjvënës, u shpreh se nuk besonte se partia ishte çmendur duke firmosur diçka të paligjshme.

Ai u shpreh për Report Tv se nuk e besonte as që SHBA-të mund të bliheshin për të hequr masën ‘non grata’, në këtë rast të Sali Berishës, duke lënë të kuptohet se këto para ishin paguar për lobim që të rregulloheshin marrëdhëniet mes PD-së dhe SHBA-ve, pas përkeqësimit vitet e fundit dhe ardhja e Chris LaCivita i shërben këtij qëllimi në fushatë.

“Unë nuk e kam ndjekur shumë mirë kontratën dhe nuk e kam lexuar, kur ta shikoj do kem edhe një koment. Por kjo kontratë është nxjerrë nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, pra është diçka zyrtare e regjistruar. Nuk besoj se është e paligjshme, pasi nuk mendoj se ka bërë një çmenduri kaq të madhe PD. Por a është për non gratën apo për PD-në, këtë nuk e di. Por që të hiqet non grata me para as nuk e mendoj, nuk është e udhës, e për më tepër nga SHBA-të, unë personalisht nuk do e pranoja dot. Non Grata nuk hiqet me para”, u shpreh Kalaja.

Gjithashtu ai shprehu habinë me afrimin e Chris LaCivita në fushatën e PD-së, duke thënë se ka krijuar optimizëm, edhe pse në fakt kontrata e firmosur prej tij me selinë blu për konsulencën dhe lobimin nuk është bërë ende publike dhe parashikohet të krijojë tronditje tjetër në politikën shqiptare, pasi përflitet për një shumë të lartë të paguar.

“Ardhja e LaCivita më ka habitur, sepse nuk e mendoja ardhjen e tij, sepse ka qenë afër Trump atje. Nuk e di sesa është paguar, por që fushatën e tij të dytë vjen e bën në Shqipëri do të thotë shumë, s’e di a do fitojë apo do humbasë. Edhe Rama do e donte LaCivita-n. Ka një keqkuptim të PD me SHBA që është krijuar nga ambasada në Tiranë dhe ka nevojë për të rregullohen marrëdhëniet. Pra PD nga një parti non grata, tani shihet ndryshe, me pozitivitet edhe në SHBA, sepse në parti ka hyrë LaCivita, njeriu i fushatës së Trump”, vijoi kandidati demokrat.

Kalaja ngriti edhe shqetësime në lidhje me gjendjen e qarkut të Durrësit, duke ngritur shqetësimin se mazhoranca i ble zgjedhjet dhe afrimi i SPAK me Task-Forë ishte pozitiv në këto zgjedhje.

“Kruja ka ende probleme me banesat e dëmtuara nga tërmeti. Madje edhe shkollat janë mbyllur, veçanërisht ajo e Mukjes ku u bë takimi edhe marrëveshja e famshme në kohën e luftës mes ballistëve e partizanëve. Ose Fushë-Kruja, që i kanë hequr edhe shumë institucione, si Prokuroria, Gjykata, ADISA dhe të tjera, deri te stadiumi, që është mbuluar me ferra. Ajo dikur ka qenë bashki, tani konsiderohet si njësi territoriale, edhe pse ka 50 mijë banorë. Hartë e re territoriale e nevojshme, jo 20 bashki në veri dhe 45 në jug. Po bëhet edhe shpopullimi me agjendë dhe po shkatërrohet familja me prindri një dhe prindri dy. Ka një agjendë shpopullimi në Shqipëri. Duhet të ketë një Plan Kombëtar nga të gjitha partitë, nga e majta dhe e djathta, për të penguar shpopullimin e vendit. Në radhë të parë Shqipëria dhe kombi dhe pastaj partia. Unë jam kundër agjendës së shpopullimit dhe ky pakt kombëtar mes partive është i nevojshëm. Të vendoset një qeveri patriote”, tha kalaja mes të tjerash për programin e tij.

Kalaja akuzoi mazhorancën edhe për ndërhyrje në zgjedhje, si dhe lidhjet me krimin, ndaj përshëndeti prezencën e SPAK me Task-Forcë për monitorimin e tyre, pavarësisht se të kujt krahu politik janë ata që implikohen.

“Për ata që kanë bërë shkelje unë jam i mendimit që të përballen me ligjin. Unë mbështes reformën dhe SPAK, edhe atje ka elementë kriminalë, do dalin, por është gjë e mirë ngritja e Task-Forcës në Durrës. Prania e SPAK në qark ishte e domosdoshme, pasi situata atje dihej se si ishte, me listën e deputetëve të arrestuar dhe akuzuar. Nëse SPAK i përgjon tani të gjithë, gjen perla në biseda, nga të gjitha anët. Manipulimi i votës ndodh para procesit zgjedhor, para votimit. Java e fundit është më vendimtare, dhe këta janë specialistë, e ka thënë Pjetër Arbnori, t’ia marrësh votën këtij populli ndodh vetëm javën e fundit, e enjte e premte e shtunë. Në Durrës në pretendojmë përmbysjen e rezultatit, nga 8 me 6 për socialistët, në 6 me 8 për opozitën”, tha Kalaja. 

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, a e keni vendosur për cilën parti do votoni?