Lulzim Basha dorëzoi në KQZ emrat e kandidatëve për deputetë të partisë që e ka pagëzuar me emrin “Koalicioni Euroatlantik”. Vetë ai dhe emrat e koalicionit do të garojnë të gjithë në lista të hapura, për të kërkuar votën e qytetarëve.
Pjesë të listës Lulzim Basha ka bërë edhe Eduard Ndocajn, ish-deputetin kaubojs të Lezhës, Shemsi Prencin, i cili më herët ka kandiduar në primaret e Sali Berishës për kryebashkiak në Kamëz, si dhe për deputet të LSI në Durrës.
Në listën e Lulzim Bashës janë edhe 2 deputetë, Oriola Pampuri në Tiranë, dhe Gëzim Ademaj në Vlorë. Bien në sy edhe Azgan Haklaj, Taulanda Jupi e Gazmend Koduzi.
Bie në sy edhe kandidimi në Tiranë i Alfred Ahmetcenaj, ish-komandant i njësisë speciale të Gardës së Republikës, epror i Agim Llupos, i cili u dënua bashkë me Ndrea Prendin, për vrasjen e 4 protestuesve më 21 Janar.
“Në përputhje me angazhimin e shpallur më herët, Koalicioni Euroatlantik do të garojë me lista të hapura, duke i dhënë qytetarëve mundësinë që të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Parlament”, thuhet në njoftim.
Në lista të mbyllura kanë vendosur të moshuar, gjyshërit apo të afërm të tyre, në shenjë simbolike kjo kundër ndryshimit të kodit nga partitë e mëdha me lista të mbyllura. Në fund, të gjithë, do të japin dorëheqjen, për t’i lënë vendin kandidatëve më të votuar nga lista e hapura.
Vetë Basha e cilëson 'premtim të mbajtur', teksa thekson se kush merr 1 votë më shumë në listat e hapura, shkon si deputet në Parlament, me parimin e garës së barabartë.
Postimi i Bashës:
“Fjalë e mbajtur!
Kandidatët e Koalicionit Euroatlantik do të jenë në garë me listë të hapur.
Ne u besojmë qytetarëve, do të jenë ata që do të vendosin me votën e tyre se kush do t’i përfaqësojë. Jo dinosaurët e tranzicionit dhe listat e tyre me kamikazë anti-drejtësi.
Kush merr 1 votë më shumë në listën e hapur, do të shkojë në Parlament për t’i dhënë zë shumicës të shqiptarëve që duan ndryshim. Kjo është sfida jonë: një garë e hapur, një mundësi reale për ndryshim, një politikë që punon për t’i shërbyer mirëqenies së familjeve shqiptare dhe i jep fund pandëshkueshmërisë.
Shqipëria meriton më shumë. Qytetarët shqiptarë meritojnë ndryshim, jo riciklim!”.
(Kliko këu për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente
