Tiranë- Kreu i misionit të OSBE/ODIHR, ambasadori Lamberto Zannier zhvilloi një takim informues sot në zyrat e Partisë së Lirisë, në kuadër të fushatës dhe zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Të pranishëm ishin drejtuesit e PL-së, në mungesë të kryetarit Ilir Meta, i cili qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024 me tre akuza të ngritura nga SPAK.
Takimi u zhvillua në orën 10:30 dhe sekretari i përgjithshëm, Tedi Blushi, deklaroi se e informnoi ambasadorin për problematikat, përdorimin e administratës nga Rama dhe patronazhistëve në fushatë, së bashku me asetet shtetërore. Ai dënoi edhe burgosjen pa gjyq të Metës dhe mbajtjen qëllimisht të tij larg fushatës.
Në dalje për mediat pas takimit, me prononcim të shkurtër, Zannier bëri me dije se diskuatuan problematikat e fushatës dhe u informua. Ambasadori u pyet edhe në lidhje me arrestimin e Ilir Metës dhe qëndrimin zyrtar të misionit që përfaqëson.
“Nuk kam një qëndrim në lidhje me këtë çështje dhe nuk mund të jap një mendim apo një gjykim. Qëndrojmë pas shtetit të drejtës, transparencës dhe qëndrojmë pas zbatimit të ligjit të papolitizuar”, tha ai shkurtimisht.
Kurse sekretari Blushi denoncoi qeverinë për cenimin e fushatës dhe zgjedhjeve, duke kërkuar nga OSBE-ODIHR zgjedhje të ndershme, të lira dhe të drejta.
“Ishte kënaqësi të prisnim ambasadorin Zanier, për t’u informuar lidhur me problematikat në këtë fushatë elektorale, përdorimin ga Rama të administratës dhe aseteve të saj në zgjedhje, si dhe shqetësimet në lidhje me këtë fushatë. E informuam për izolimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pa gjyq dhe në mënyrë të kundraligjshme e në shkelje të Kushtetutës. Ai është kryetar i forcës së dytë të madhe të opozitës dhe i treti i politikës prej vitesh, por arrestimi dhe burgosja e tij është bërë për zgjedhjet e 11 majit. Pasi ai pothuajse e ka të pamundur të komunikojë me votuesit dhe të bëjë fushatë, pasi i ëhstë mohuar edhe e drejta për t’u takuar me drejtuesit dhe deputetët e PL-së për ta vizituar në institucionin e paraburgimit. Informuam dhe kërkuam zgjedhje të ndershme dhe të drejta, dorëzuam edhe filmime se si po veprojnë patronazhistët për të cenuar fushatën. Jam i bindur se koalicioni ynë do arrijë fitore madhështore më 11 maj dhe programi ynë do votohet masivisht”, tha Blushi mes të tjerash.
Komente
