Ekonomi

Zgjedhjet ‘kursyen’ 128 mln €, nuk u realizuan investimet! ‘Financat’: Në 5 muaj u shpenzuan 2.6 mld euro

17 Qershor, 19:48| Përditesimi: 17 Qershor, 19:53

  • Share

Zgjedhjet elektorale të 11 majit kanë frenuar investimet publike në vend. Shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë se në 5 muajt e parë të këtij viti nuk janë realizuar 128 milionë euro shpenzime të planifikuara. Në total gjatë kësaj periudhe institucionet në vend kanë shpenzuar 2 miliardë 655 milionë euro, nga 2 miliardë 783 milionë euro që ishte plani për këtë pesëmujor.

Institucionet gjatë periudhës elektorale kufizohen për shkak se mund të bien në kundërshtim me kodin zgjedhor. Shkaku tjetër për mos-realizimin e investimeve ka të bëjë me keqplanifikimin nga ana e institucioneve, siç ndodhi vitin e kaluar, kur pjesa më e madhe e investimeve u bë në fund të vitit të kaluar.

Ndërkohë kjo periudhë e parë e vitit ka rezultuar e ‘artë’ për thesarin e shtetit që po mbledh miliona euro më shumë se vjet. Nga tatimet dhe taksat nga janari deri në fund të muajit maj janë mbledhur 3 miliardë euro ose rreth 187 milionë euro më shumë se vjet në të njëjtën periudhë.

Duke qenë se arka e shtetit po merr më shumë para sesa po nxjerr suficiti për këtë 5-mujor ka arritur në vlerën 400 milionë euro thotë Ministria e Financave.

Vetëm administrata tatimore ka mbledhur 1.1 miliardë euro gjatë kësaj periudhe ku pesha më e madhe bie mbi të punësuarit. Për shkak të rritjes së pagave në administratë, aksionit ndaj pagave të nëndeklaruara dhe dorëzimit të deklaratave të të ardhurave individuale (DIVA), të ardhurat nga tatimi mbi pagat kanë arritur në 341 milionë euro, ose 73 milionë euro më shumë se vitin e shkuar në të njëjtën periudhë. Për këtë arsye janë rritur edhe të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që arritën në 735 milionë euro.

Kontributin e dytë më të madh e ka dhënë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që lidhet direkt edhe me konsumin. Nga TVSH-ja janë mbledhur në total 305 milionë euro ose 73 milionë euro më shumë se vjet. Më pas renditen fitimet e bizneseve. Janë 285 milionë euro të ardhura të mbledhura nga tatimi mbi fitimin me rritje prej 8.9 milionë euro në raport me vjet.

SHPENZIMET PUBLIKE
Plani Janar-Maj            2.783 mln euro
Realizimi Janar-Maj     2.655 mln euro
Diferenca                       -128 mln euro
TË ARDHURA E SHPENZIME
Të ardhurat      3 mld euro
Shpenzimet      2.6 mld euro
Suficiti           +400 mln euro
TË ARDHURAT SIPAS ZËRAVE
Tatimi mbi pagën     341 mln euro
TVSH                        305 mln euro
Tatimi mbi fitimin     285 mln euro

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?