Zgjedhjet lokale, kreu i PD në Krujë: Të zgjedhim lidershipin e ri! Rezultati i 14 majit është alarm, të bëhemi bashkë

28 Maj 2023, 10:23| Përditesimi: 28 Maj 2023, 13:20

  • Share

Rezultati dërrmues i 14 majit për demokratët ka thelluar më shumë betejën brenda PD. Kryetari i PD në Krujë, Sabah Sheta i bën thirrje demokratëve të lënë pas Sali Berishën dhe të shkohet drejt një lidershipi të ri që mund të dërgoj PD drejt pushtetit.

“Rezultati i 14 majit është një alarm, na thërret në apel secilin që nuk jemi në politik për të mundur njëri-tjetrin, por për të fituar ndaj kundërshtarit”.

Një thirrje të drejtpërdrejt për bashkimin e demokratëve pas disfatës së zgjedhjeve  vendore, e bëri kryetari i PD në Krujë, Sabah Sheta. Në një postim shterues në Facebook, ai thekson se rezultati i 2021 ishte më i lartë, ndërsa kërkon të shkohet drejt lidershipit të ri duke lënë pas Sali Berishën.

‘Është ky momenti, të lëmë çdo mëri, ta shohim njëri-tjetrin në sy, evidentojmë dhe analizojmë çdo gabim, të kuptojmë që krah njëri-tjetrit duke pasuruar radhët me të rinj e të reja, me të tjerë pa parti si dhe me mbështetjen e aleatëve tanë perëndimor si SHBA, Britani e Madhe, BE, të jemi të fortë dhe shkojmë drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Kjo është e vetmja rrugë! Të bëjmë më të mirën që të tejkalojmë këtë krizë dhe të zgjedhim lidershipin, çojmë PD drejt pushtetit.’- shkruan Sheta.

Sipas kryetarit aktual të PD në Krujë, shkatërrimi më i madh i Partisë Demokratike erdhi si pasojë e luftës së brendshme duke harruar kundërshtarin. Sabah Sheta ishte një ndër emrat e parë të përfolur për Bashkinë Krujë, ndërsa tërheqjen për të mos marrë pjesë në garë, Sheta e quan një akt politik të rëndësishëm për të mos përçarë demokratët në dy kampe dhe duke mbështetur kandidatin e zgjedhur nga Berisha.

“Të bëhemi tok bashkë si dikur, si vëllezër dhe motra të së njëjtës familje politike dhe PD është shtepia juaj, dera e hapur për secilin.”- shkruan ai.

Postimi i plotë i Sabah Shetës

Me fjalë zemre ju drejtohem: Të zgjedhim lidershipin, çojmë PD drejt pushtetit. Dera e shtëpisë suaj e hapur për secilin

Të dashur demokratë të Krujës, Fushë-Krujës, Thumanës, Cudhisë, Bubqit dhe Niklës.

Sot dua të iu drejtohem me një mesazh të rëndësishëm politik. Po mbushim dy vite nga sherrnaja që na ka pushtuar dhe kemi konsumuar energji, kohë duke sulmuar njëri-tjetrin dhe harruar kundështarin.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 majit ishte katastrofal për ne, ishte tregues që nuk mundet më të ecim në këtë rrugë, nëse do të duam ekzistencën e forcës sonë politike, ngritjen e saj drejt fitores, parti në të cilën kemi bashkëjetuar prej themelimit dhe kemi ndarë mes njëri-tjetrin të mirën dhe të keqen, humbjen dhe fitoren.

Personalisht, si njëri prej jush, si një qytetar krutan i përgjegjshëm, si anëtar i PD, me akt politik gjeta forcë brenda vetes dhe tregova se isha i gatshëm që për të mirën e përbashkët të tërhiqem nga gara për Bashkinë Krujë, si dhe publiksht bëra thirrje të votohej kandidati i Primareve si dhe logoja PD të cilën me dorën tonë e kemi votuar prej 32 vitesh! Edhe pse isha një ndër kandidatët e parë dal si emër për Bashkinë Krujë, për të mos qenë pengesë për një fitore të mundshme kreva një akt politik besoj të rëndësishëm dhe pse sakrifikova veten. Pavarësisht përpjekjes sime, edhe pse kandidati nuk bëri thirrje të votohej PD, sot kam një kërkesë zemre për secilin.

Eshtë ky momenti, të lëmë çdo mëri, ta shohim njëri-tjetrin në sy, evidentojmë dhe analizojmë çdo gabim, të kuptojmë që krah njëri-tjetrit duke pasuruar radhët me të rinj e të reja, me të tjerë pa parti si dhe me mbështetjen e aleatëve tanë perëndimor si SHBA, Britani e Madhe, BE, të jemi të fortë dhe shkojmë drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Kjo është e vetmja rrugë!

Vëllezër demokratë, Ne në territorin e Bashkisë Krujë kemi ditur të tregojmë se jemi fitues dhe rezultati më i mirë dhe i afërt në kohë është ai i vitit 2021, ku krah njëri-tjerit ia dolëm dhe fituam!

Rezultati i 14 majit është një alarm, na thërret në apel secilin që nuk jemi në politik për të mundur njëri-tjetrin, por për të fituar ndaj kundërshtarit.

Debati brenda nesh ka ardhur pas një vendimi të pezullimit të ish liderit historik Sali Berisha nga Grupi Parlamentar i kushtëzuar nga kërkesa dhe vendi i aleatit tonë strategjik shekullor, SHBA që e shpalli non grata. Një pjesë e jona nuk u pajtua me këtë vendim dhe iu bashkëngjit si përkrahje dhe si besim që kjo ishte një padrejtësi dhe se në këtë vend nuk pyeteshin amerikanët, por kishte rëndësi vota!

Besoj që kanë besuar vërtet që fitohet duke qenë edhe kundër SHBA mjaft që të kemi aleat Ilir Metën! Rezultati i post 14 majit me një humbje dërrmuese, ishte i dhimbshëm, i hidhur ndaj nevojitet një refletim i thellë dhe reagim i shpejtë tek secili!. Një eksperiencë të hidhur e patëm më 6 mars të vitit të kaluar, kur Lulzim Basha bëri një hap pas që e njëjta gjë të ndodhte dhe me liderin historik, por që kjo mbeti thjesht një kërkesë dhe nuk ndodhi. Pjesa tjetër e PD, e Foltores provoi veten në garë me Ilir Metën dhe të tjerë aleatë dhe rezultati rezultoi katastrofal. Edhe pse kjo ka ndodhur, edhe pse u premtua se do të garantohej vota dhe nuk do të guxonte pushteti ta prekte, sërish Edi Rama dhe pushteti korri një fitore spektakolare më çdo lloj mjeti dhe se ende nuk ka ndonjë akt politik brenda opozitës nga kjo humbje.

Si përfundim; me dorën në zemër kërkoj nga demokratët e Krujës, Fushë-Krujës, Thumanës, Cudhisë, Bubqit dhe Niklës që të bëhemi tok bashkë si dikur, si vëllezër dhe motra të së njëjtës familje politike dhe bëjmë më të mirën që të tejkalojmë këtë krizë dhe të zgjedhim lidershipin, çojmë PD drejt pushtetit.

PD është shtepia juaj, dera e hapur për secilin. Mirë se të vini!

Me respekt Sabah Sheta

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?