Në sheshin e Prizrenit, nën tingujt e këngës “Kuq e zi”, simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës festuan me flamuj, fishekzjarrë dhe brohoritje fitoren në raundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Festa nisi menjëherë pas shpalljes së rezultateve paraprake. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka marrë 43.3% të votave, duke lënë pas kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, me 30.4%, dhe kandidatin e LDK-së, Driton Selmanaj, me 11.1%.
Rezultatet tregojnë se Totaj dhe Abrashi do të përballen në balotazhin e dytë, pasi asnjëri prej tyre nuk siguroi shumicën absolute.
Në sheshin "Shadervan" mes duartrokitjeve dhe fishekzjarrëve, Shaqir Totaj që kandidon për mandatin e dytë për kryetar komune u shpreh mirënjohës për qytetarët që, siç tha ai, i kanë dhënë “besimin për të vazhduar rrugën e zhvillimit të qytetit”.
Në komunën e Dragashit, mbrëmja zgjedhore pas votimeve të së dielës mori një ngjyrim krejt tjetër. Këtu, gara për kryetar do të vijojë në balotazh mes Bexhet Xheladinit të LDK-së dhe Shaban Shabanit të PDK-së.
Edhe pse rezultatet ishin të ngushta, festimet nuk munguan. Në një skenë “pazakonshme”, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini, që kërkon një mandat të dytë u pa duke festuar me mbështetësit e tij.
Komente
