Zgjedhjet lokale në Shqipëri ndër vite, historia e ‘përplasjes’ PD-PS! 18 përballje elektorale lokale që nga viti 1992

13 Maj 2023, 10:52| Përditesimi: 13 Maj 2023, 15:12

  • Share

Zgjedhjet e para lokale pluraliste u mbajtën në 28 Korrik të vitit 1992, tre muaj pas rotacionit të parë politikë post komunist, ku Partia Demokratike mori drejtimin e vendit. Edhe pse fitorja në mars për demokratët ishte e thellë, rezultati në betejën lokale të Korrikut ishte surprizë. Partia Socialiste që ishte në opozitë fitoi 45.4% të votave kundrejt 37.13% të votave të marra nga demokratët. Demokratët fituan bashkitë e mëdha, Tiranën, Vlorën, Shkodrën, Durrësin, Elbasanin, Beratin, Lushnjën. Fitoret më të bujshme të PS-së u shënuan në Gjirokastër, Fier, Lezhë, Kukës, Peshkopi etj. PD fitoi kryeqytetin me kandidatin Sali Kelmendin, një mësues i angazhuar në poste administrative në Ministrinë e Arsimit, kurse përballë tij ishte socialisti Luan Hajdaraga.

Zgjedhjet e dyta lokale u mbajtën më 20 Tetor të vitit 1996. Demokratët vinin pas kritikave të marra nga ndërkombëtarët për zgjedhjet parlamentare të pak muajve më herët, ndërsa Fatos Nano vijnonte të ishte në burg. Opozita, pasi kishte bojkotuar parlamentin, hyri në zgjedhje me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, por i bojkotoi menjëherë, duke u larguar nga komisionet e votimit dhe numërimit. Në këto kushte, demokratët fituan lehtësisht ballafaqimin. Socialistët humbën thellë duke marrë vetëm 4 bashki, përballë 37 të demokratëve. Procesi u pranua nga ndërkombëtarët, por u cilësua si i manipuluar nga opozita.

Firmat piramidale dhe trazirat e vitit 1997 sollën dhe rënien e Berishës dhe Partisë Demokratike nga pushteti me një njollë të zezë në historinë e saj politike, që edhe sot rëndon mbi supet e demokratëve. Fatos Nano doli nga burgu dhe mori drejtimin e të majtës, duke fituar dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ndërsa mes vitit 1997 dhe vitit 2000 u zhvilluan dhe disa zgjedhje lokale të pjesshme të cilat hasën në problematika dhe kontestime.

Në zgjedhjet lokale të 1 tetorit 2000, Partia Socialiste e Drejtuar nga Fatos Nano, triumfoi bindshëm. Organizimi i zgjedhjeve u realizua nga kryeministri i asokohe Ilir Meta, që kishte nisur ngjitjen në karrierën e tij politike. Në zgjedhjet e vitit 2000 u regjistruan 35 parti dhe një koalicion, “E Djathta e Bashkuar”.

Në fund, Partia Socialiste mori drejtimin e bashkive kryesore, të drejtuara që nga 1992 nga PD. PS-ja fitoi 28 bashki dhe 110 komuna, PD-ja 9 bashki dhe 58 komuna. Opozita nuk i njohu zgjedhjet. Në disa bashki, referuar KQZ pjesëmarrja rezultonte të ishte mbi 100%. Kjo solli dhe debat të ashpër politikë.

Në zgjedhjet e vitit 2000, Edi Rama hyri dhe fitoi garën për bashkinë e Tiranës, i mbështetur nga Partia Socialiste përballë shkrimtarit Besnik Mustafaj. Ishte pikënisja e rrugëtimit të tij, drejt majës së politikës shqiptare.

Në zgjedhjet e mbajtura në tetor 2003, Partia Demokratike rifiton terren. Partia Socialiste rezultoi fituese me një diferencë në vota vetëm 2%. PS fitoi rreth 410 mijë vota ose 34%, kurse PD 382 mijë vota dhe rreth 32%. Opozita fitoi në Elbasan e Korçë, ndërsa humbi në Tiranë e Durrës. Përsëri opozita nuk i njohu zgjedhjet në tërësi e veçanërisht aty ku humbi. Edi Rama fitoi për të dytën e radhazi zgjedhjet në kryeqytet. Përballë atë vit ishte avokati Spartak Ngjela.

Kthimi i demokratëve në pushtet në vitin 2005 i kushtoi Nanos edhe largimin nga Partia Socialiste. Në drejtim të saj erdhi Edi Rama, që nisi menjëherë një opozitarizëm të ashpër. Përplasjet e shumta politike dhe mosbesimi mes palëve, nxitën presidentin Alfred Moisiu të dekretonte dy herë datën e zgjedhjeve. PS nuk pranonte të hynte në zgjedhjet e dekretuara në 20 janar 2007 sepse opozita nuk kishte garanci për proces të rregullt, pasi nuk i besonte certifikatave të lëshuara nga qeveria “Berisha”.  Forcat politike arritën një marrëveshje në një tryezë të rrumbullakët të iniciuar dhe drejtuar nga Presidenti Alfred Moisiu, i cili dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve në 18 shkurt të 2007. PD dhe aleatët e saj fituan në 36 bashki, socialistët dhe kandidatët e mbështetur prej tyre, fituan në 26 bashki. Rama mundi në Tiranë të ndjerin Sokol Olldashi.

Në vitin 2011, ishte dhe viti i përballjes së madhe në Tiranë, ku Rama fillimisht fitoi me 10 vota diferencë ndaj Lulzim Bashës të PD, i mbështetur edhe nga LSI, por KQZ dhe Berisha ndërmorën nismën për numërimin e votave të hedhura gabim, nga ku Basha do të merrte drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit me 81 vota mbi Ramën. Demokratët pasi erdhën në pushtet në vitin 2008, njohën një sukses edhe në lokalet e majit të vitit 2011. Koalicioni i djathtë, i drejtuar nga Partia Demokratike, “Aleanca për Qytetarin”, u shpall fitues me 141.723 vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste, “Aleanca për të Ardhmen”. Ky ishte dhe suksesi i fundit i të djathtëve në garat elektorale të zhvilluara në Shqipëri.

Në vitin 2015, sërish pushteti vendor do t’i kalonte të majtëve. Socialistët pasi fituan zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, nisën revanshin edhe sa i takon pushtetit lokal. Kështu në Tiranë, Basha i cili drejtonte Bashkinë, mori drejtimin e PD dhe nuk kandidoi për një mandat të dytë, ndërsa përballë u vendosën Erion Veliaj për Partinë Socialiste dhe për opozitën mjeku Halim Kosova. Zgjedhjet u fituan nga Veliaj. Ndërkohë e majta sëbashku me LSI-në, tashmë në koalicion fitoi bindshëm në të gjithë vendin. Në garë morën pjesë dy koalicione, i majit me 37 Parti dhe koalicioni i djathtë kryesuar nga PD me vetëm 15 parti. Në fund, PS siguroi drejtimin në 45 bashki, kundrejt 15 partive që fitoi opozita.

Viti 2019 ishte i zgjedhjeve njëpartiake. Opozita nuk mori pjesë në zgjedhje, pas një konflikti politikë me mazhorancën. Kreu i PD, Lulzim Basha dhe Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi vendosën të mos merrnin pjesë në zgjedhje, duke vendosur kandidatë. Në shumicën e bashkive në garë ishte vetëm një kandidatë, ndërsa Kryeministri Edi Rama, tha se qytetarët do të votojnë për programin, nëse e duan ose jo. Në fund, PS triumfoi në 61 bashki, por për shkak të dekriminalizimit Bashkia Shkodër, mbeti në duart e Demokratëve me kryetare Vojsava Ademi.  Tashmë në zgjedhjet e 14 majit 2023, Kryeministri Edi Rama synon të mposhtë dhe marri dhe kalanë e fundit të demokratëve, Shkodrën. Qyteti veriperëndimor ka qenë gjithnjë bastion i të djathtë dhe një fitore e PS do të ishte e para në histori. Përballë në Shkodër janë Bardha Spahia, kryetari aktual dhe përfaqësues i PD dhe Benet Beci i kandiduar nga PS, por me një background të rëndësishëm edhe te PD.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?