Politikë

Zgjedhjet/ LZHK dhe ‘Djathtas 1912’ bashkohen në koalicion, thirrje partive të tjera: Garë me lista të hapura, ndahen dy epoka! Ja 3 pikat e panegociushme, Shehi drejton procesin

24 Shkurt, 11:12| Përditesimi: 24 Shkurt, 11:53

  • Share

Tiranë- Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit po afrojnë, teksa dy parti shpallin koalicionin mes tyre.

LZHK dhe Djathtas 1912, në vijim edhe të bashkëpunimit parlamentar dhe përpjekjes së përbashkët në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e listave të mbyllura, e shpallën sot (24 shkurt) bashkimin në një koalicion zgjedhor, me lista të hapura. 

“Ky bashkëpunim është fryt i vullnetit të përbashkët të dy partive tona për të marrë pjesë në zgjedhje, përkundër vullnetit arbitrar të PS dhe PD, me një listë të përbashkët të hapur kandidatësh për deputetë. Ne i qëndrojmë bindjes sonë të thellë se vetëm bashkëpunimi përmes listës së përbashkët të hapur garanton zgjedhjen e lirë të qytetarëve për të dërguar përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar sot. 

Më tej i bëhet thirrje edhe partive të tjera për bashkim në këtë koalicion, për të maksimalizuar sa më shumë votën e elektoratit.

“Përsërisim publikisht ftesën tonë të bërë në dhjetor, për çdo parti apo lëvizje që të bashkohemi në një listë të vetme të hapur, si mekanizmi më i mirë për të rikthyer kushtetutshmërinë, e cila mund të realizohet vetëm përmes parimit të “Votës Parapëlqyese”. LZHK dhe Djathtas 1912 i qëndrojnë ftesës për bashkëpunim me çdo subjekt politik që dakordësohet me këto parime: -Mbështetja pa rezerva ndaj SPAK dhe GJKKO në hetimin dhe gjykimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. -Orientimi perëndimor i Shqipërisë. -Vijimi i përpjekjeve për një Kod Zgjedhor me lista të hapura”, nënvizohet më tej.

Një ftesë publike për bashkëpunim iu bë ‘çdo individi apo aktivist politik e civil që përqafon këto vlera t’i bashkohet kësaj gare elektorale, e cila është jetike për vendin’. 

“Zgjedhjet e 11 majit do të ndajnë dy epoka: fundin e dominimit të paligjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë, dhe nisjen e një rrugëtimi ku të sundojë ligji, gara e ndershme në çdo aktivitet politik e ekonomik, tregu i lirë dhe meritokracia. Koha për të vendosur është tani.

Duke mbetur të hapur për bashkëpunim dhe në zbatim të afateve të Kodit Zgjedhor për regjistrimin e subjekteve dhe koalicioneve politike, LZHK dhe Djathtas 1912 bien dakord që pozitat e secilit pjesëmarrës në koalicion të jenë të barabarta dhe të bazuara në mirëkuptim reciprok”, sqarohet në deklaratë. 

Me dakordësinë e të dyja palëve, në pozicionin e garantit të procedurave tekniko-formale është caktuar deputeti Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së. Nga dita e sotme, nisin edhe procedurat e kërkuara nga ligji.

Afati i regjistrimit të partive përfundon nesër (25 shkurt) në mesnatë, kurse koalicionet duhet të regjistrohen në KQZ deri më 7 mars dhe në fund kandidatët, deri më 12 mars.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?