Mbyllet regjistrimi i diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në orën 00:00, afati i caktuar për aplikimet për diasporën u mbyll, duke shënuar në total 294,025 kërkesa nga zgjedhësit jashtë Shqipërisë për të votuar më 11 maj.
231,674 kërkesa janë aprovuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa kërkesat janë refuzuar për 41,962 zgjedhës. Ndërkohë, sipas të dhënave nga KQZ, janë 20,465 kërkesa në shqyrtim, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka 5 ditë afat për shqyrtimin e tyre.
Numri i të refuzuarve u ul vetëm gjatë 5 orëve të fundit me 359 persona (42,321 ishte në orën 18:30, numri i të refuzuarve, tani është 41,962). Pasi u njoftuan se nuk do të kishin më shtyrje afati, emigrantët kanë provuar përsëri, duke marrë asistencë telefonike nga KQZ, dhe duke e bërë saktë aplikimin në orët e fundit. Vetëm ditën e fundit të aplikimit, pra 4 mars, janë regjistruar 3071 zgjedhës.
Lista paraprake me emër, mbiemër, qarku ku shkon vota dhe shtet nga vjen zarfi, do të publikohet më datën 9 mars. Vetëm ata që janë në sistem dhe kanë pasaktësi në regjistër, kanë 48 orë kohë të kërkojnë ndryshime.
Sa i takon qarqeve ku do të votojnë zgjedhësit nga jashtë, Tirana ka numrin më të lartë të kërkesave të aprovuara, konkretisht 49.370 zgjedhës. Tirana është po ashtu qarku që prodhon numrin më të madh të mandateve, plot 37 mandate. Fieri është qarku i dytë me numrin më të lartë të votuesve nga jashtë, ndjekur nga Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora, Shkodra, Berati, Lezha, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi.
Kështu përmbyllet një proces historik, që për herë të parë i hap rrugë votës së diasporës në vendin tonë. Regjistrimi kishte nisur që më 11 janar dhe u mbyll më 4 mars.
Me një lëvizje të momentit të fundit, Partia Demokratike kërkoi sot në KQZ zgjatjen e afatit për regjistrimin e diasporës deri më 9 mars, por nuk u gjet dakordësia në Komisionin Rregullator. PS ishte dakord me shtyrjen e afatit vetëm për rreth 42 mijë të refuzuarit, që t’u jepej mundësia të aplikonin saktë.
Për zgjedhjet e 11 majit do kenë mundësinë të votojnë edhe ata emigrantë që janë regjistruar me karta dhe pasaporta të skaduara, ndërkohë që posta për dërgimin e zarfit dhe më pas kthimin e tij në Shqipëri do të jetë falas.
Komente
