Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar partive politike në Kosovë që të angazhojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit vetëm komisionerë e vëzhgues të vaksinuar.
“Përmes një shkrese, subjektet politike janë informuar se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë të detyrueshme edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, prandaj kemi kërkuar nga subjektet politike që të inkurajojnë të gjithë të nominuarit e tyrë, qoftë si staf zgjedhor apo si vëzhgues, që të respektojnë këto masa. Nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe nga vëzhguesit do të kërkohet që të dëshmojnë se kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës”, është shprehur zëdhënësi i KQZ Valmir Elezi.
Ndërsa qytetarët që do të marrin pjesë në zgjedhje duhet të mbajnë maskat anti-COVID dhe të respektojnë distancën prej 2 metrash në qendrat e votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se do të vendosë dezinfektues në hyrje të secilit vendvotim.
Për personat që janë të infektuar me COVID-19, KQZ-ja do të caktojë ekipe të lëvizshme të cilat do të shkojnë në adresë të tyre për t'iu mundësuar pjesëmarrjen në procesin zgjedhor.
Në Kosovë, situata epidemiologjike është përmirësuar pas një përkeqësimi që filloi në muajin gusht. Autoritetet ndërmorën masa të reja kufizuese duke shpejtuar edhe fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.