12 ditë nga nisja e fushatës elektorale, në SPAK janë regjistruar 18 hetimet për krimet zgjedhore prej janarit 2025. Sipas një kthim-përgjigje të SPAK drejtuar Partisë Demokratike, thuhet se 5 nga këto hetime janë të nisura nga vetë struktura e posaçme.
"Në përgjigje të shkresës tuaj, Nr.267 Prot. datë 02.04.2025, ardhur dhe protokolluar më datë 03.04.2024, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje procedimet penale të regjistruara për krimet zgjedhore rezulton se :
1. Për periudhën janar 2025 deri aktualisht, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar janë regjistruar gjithsej 18 procedime penale që lidhen me krimet zgjedhore.
2. Nga 18 procedime penale të regjistruara gjithsej për krimet zgjedhore, 5 prej tyre janë regjistruar kryesisht", thuhet në përgjigjen e SPAK.
I vetmi rast i bërë publik deri më tani është denoncimi i një qytetari në Lushnjë, i cili pretendoi se një përfaqësues politik demokrat i kishte premtuar 500 euro për votat e të gjithë familjes dhe në këmbim i mori kartën e identitetit, e cila më pas iu gjet në banesë pas kontrolleve të policisë.
Në Janar, SPAK njoftoi ngritjen e Task Forcës si pjesë e planit të saj të masave në kuadër të hetimit dhe parandalimit të krimeve elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen me 11 Maj. Forca përbëhet nga një strukturë qendrore dhe nga grupe hetimore të dedikuara në terren që do të kryejnë veprime hetimore gjatë periudhës zgjedhore. Task Forca do ketë një periudhë funksionimi deri në Maj 2025, kur dhe do zhvillohen zgjedhjet parlamentare.
Në krye të kësaj Task-Force qëndron kryeprokurori Altin Dumani, ndërsa për Tiranën krimet elektorale do t'i monitorojnë zv/drejtuesi i SPAK dhe drejtuesi i seksionit të krimit të Organizuar, Adnand Xholi dhe Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik, Klodian Braho e së bashku me ta edhe Dumani.
Komente
