Zgjedhjet në Akademi, Tole dhe Sinani: Kandidatët duhet të plotësojnë edhe formularin e dekriminalizimit

15 Prill 2019, 15:02| Përditesimi: 15 Prill 2019, 15:11

  • Share

Prej dy vitesh Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë po funksionon pa kryetar edhe pa zëvendëskryetar. Ndërsa, pozicioni i kryetarit të Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike ka përfunduar, sikundër edhe pozicioni i sekretarit shkencor është drejt përfundimit, ka bërë që Asambleja e Akademisë gjatë muajve të parë të këtij viti të përcaktojë datën 24 maj, si ditën e zgjedhjeve të reja. Sekretari Shkencor dhe akademiku  Vasil Tole shpjegon se në datë 10 prill është shpallur thirrja për pjesëmarrje në zgjedhje, duke iu drejtuar 44 anëtarëve të asamblesë, që të marrin pjesë apo të vetofrohen për këto pozicione.

 “Deri në  datë 10 maj pranohen kandidaturat, që duhet të paraqesin për këto pozicione. Përveç CV-së, kërkesës edhe një listë të veprimtarisë së tyre, krijuese, shkencore edhe studimore është parashikuar të paraqitet dhe platforma e asaj, që parashikon kandidati të kandidojë”, shprehet akademiku Vasil Tole.

Ndërsa, Tole (aktualisht sekretar shkencor në ASH) nuk e ka vendosur ende nëse do të marrë pjesë në këto zgjedhje, shton edhe se të gjithë kandidatët përpos cv-s, që do të dorëzojnë duhet  të plotësojnë edhe formularët e dekriminalizimit.

 “Një pjesë e rëndësishme është edhe formulari i dekriminalizimit  dhe formulari i quajtur ndryshe formulari i Autoritet të Dosjeve të Sigurimit, pasi funksionet drejtuese të Akademisë preken nga këto dy ligje. Në funksionet drejtuese të Akademisë së Shkencave nuk ka asnjë problem deri tani”, thotë Tole më tej.

Zgjedhjet do të bëhen me ligjin që do të jetë atë ditë në fuqi. 44 akademikët që janë pjesë e Akademisë kanë të drejtë të konkurrojnë në këto pocizione. Ndërsa, sa i përket nismës së 15 deputetëve, të cilët kanë dorëzuar projektligjin për reformën në Akademinë e Shkencave në Kuvend, akademikët Vasil Tole dhe Shaban Sinani shpjegojnë detajet.  
“Jemi në dijeni se është ndëmarrë një nisëm deputetësh. Ne na vjen mirë që është zgjedhur kjo rrugë, sepse kështu fitojmë kohë. Në një takim rajonal kemi siguruar edhe mbështetjen e ALLEA-s, nëse mund të vijnë fizikisht për ta mbrojtur në komision këtë projektligj. Brenda 3 javëve është diçka që duhet që të mbyllet”, vijon akademiku Vasil Tole.

Ndërsa, më tej akademiku Shaban Sinani, i cili është edhe një nga anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve tregon se: “Zgjedhjet e reja janë shpallë që në muajin shkurt. Tashmë ka një nisëm juridike të institucionalizuar, projektligji për Akademinë e Shkencave është në Kuvendin e Shqipërisë, edhe prej javës që vjen do të nisin dëgjesa për këtë projektligj. Projektligjet kalojnë në komisionet përkatëse, siç do të thirret edhe Akademia në këtë rast”.

Sa i përket diskutimeve, se Ministria e Arsimit pas dorëzimit të projektligjit të kuvend, ka rinisur sërisht diskutim me universitetet, akademiku Sinani shton se: “Deri  gjatë vitit të shkuar nuk ka ekzistuar një problem i tillë, grupi i punës ka funksionuar me të gjithë anëtarët e vet. Prej fundit të vitit të kaluar nisi një rikëshillim i projektligjit të përgatitur nga grupi i punës, krahas me platformën e propozuar prej një nga anëtarëve akademisë së Shkencave, akademikun Artan Fuga, ka pasur një lloj qëndrimi  pak të tërhequr nga Ministria e Arsimit. Sot iniciativa juridike nuk është më e Ministrisë së Arsimit, por sikundër e parashikon kushtetuta është e kuvendit”.

Afati përfundimtar i dorëzimit të dosjeve për katër pozicionet vakante është data 10 maj 2019.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?