Politikë

Zgjedhjet në Gjermani, ish-ambasadori shqiptar në Berlin: BE-ja mezi priste të vinte CDU/CSU, ka frymë europiane

24 Shkurt, 14:58| Përditesimi: 24 Shkurt, 15:14

  • Share

BE-ja mezi priste të vinte CDU/CSU në pushtet. Kështu u shpreh për Report Tv ish-ambasadori shqiptar në Berlin, Jorgji Kote, teksa theksoi se ky koalicion do të jetë i qëndrueshëm pasi është një frymë europiane dhe atlantike.

"Europa mezi priste që të vinte CDU/CSU dhe një kancelar si Friedrich Merz. Olaf Scolz ka ndjekur politikën tërhiq e mos e këput. Është bërë pengesë së disa nismave të Francës. Është bërë pengesë për marrjen e disa huave të përbashkëta për forcimin e aftësive mbrojtëse të BE-së.

Edhe pse Gjermania ka qenë shteti i dytë që ka ndihmuar Ukrainën, ndihmat janë vonuar shumë. Është bërë një pengesë për BE-në, ndaj të gjithë tani janë të lehtësuar që po vjen Merz", tha Jorgji.

Sa i përket bashkëpunimit të partive Jorgji tha për gazetari Nertil Agalliu se partitë qenë në koalicion edhe tre herë më parë dhe nuk kanë pasur asnjë problem mes tyre.

“CDU/CSU kanë qenë në koalicion së bashku edhe tre herë më parë dhe nuk kanë pasur asnjë problem. Deri në fund të prillit siç ka premtuar kancelari i ardhshëm Friedrich Merz koalicioni qeveritar do të jetë në vend. Do të jetë një koalicion i sigurt, kemi dy parti popullore, tradicionale dhe nga më të më mëdhatë.

Ajo që ndodhi në nëntor ishte sepse u bë për herë të parë  një koalicion me tre parti - socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbërit- së bashku me papapjtueshmëritë e tyre që në fillim të procesit", tha Jorgji.

Po ashtu Jorgji nënvizoi se me Merz në krye ka besim se marrëdhëniet e BE-së dhe SHBA-së do forcohen më tej jo anasjelltas.

"Kam besim që Merz do të ‘vendos në shina’, të koordinojë më mirë përpjekjet e BE-së me SHBA-në në mënyrë që aleanca midis tyre të forcohet më shumë dhe të ruhet sovraniteti i Ukrainës. Të mbrosh Ukrainën sot do të thotë të mbrohet siguria dhe paqja në Europë dhe të gjitha shpresat janë te Merz", shtoi Jorgji.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD shpërblen aleatët me 8 mandate të sigurta, si e vlerësoni?