Tri ditë pasi të botohet kjo kolumne, do t’i rikthehemi realitetit. Do të ketë përfunduar fushata zgjedhore, kurse zgjedhjet do të jenë mbajtur. Kosovën e pret një periudhë jo e lehtë, e përplot sfida. Qytetarët do ta ushtrojnë sovranitetin për një ditë të vetme, më 9 shkurt, e pastaj atë do t’ua kalojnë përfaqësuesve të zgjedhur.
Shumica e tyre në Parlament do ta krijojë Qeverinë, e cila do të marrë vendime që drejtpërsëdrejti ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe në mënyrën se si do të shpenzohet buxheti i mbushur nga paratë e qytetarëve - taksapagues - të cilët në këtë mënyrë edhe kontribuojnë për funksionimin e shtetit. Prandaj, është me rëndësi që qytetarët e Kosovës, kur të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin se kujt do t’ia japin votën, të mendojnë mirë se cila forcë politike do t’i përfaqësojë ata më së miri në 4 vjetët e ardhshëm. Argumente “pro et contra” ka për secilën prej partive politike. Disa syresh janë vjetruar tanimë, kurse disa janë të freskëta.
Periudha e “qumështit dhe mjaltit” (milk and honey) që na u premtua gjatë një muaji e gjysmë të fushatës zgjedhore, mbaron më 10 shkurt. Atëherë i kthehemi realitetit dhe hyjmë në një periudhë, e cila, derisa po i shkruaj këta rreshta, është ende përplot me të panjohura e pikëpyetje. Më e rëndësishmja prej tyre është se kush do ta fitojë besimin e qytetarëve për formimin e qeverisë së re. Çfarë kriteri do të mbizotërojë në mendjet e votuesve kur të marrin vendimin se për kë do të votojnë?
I mbetet secilit votues të vendosë dhe të shënojë në fletëvotim partinë dhe kandidatët e preferuar.
Prej se kam nisur të shkruaj kolumne të rregullta për KOHËN çdo të premte, kam shkruar shumë për qeverisjen e Kurtit. Kam shkruar edhe për opozitën dhe kam qenë kritik ndaj të dyja kampeve politike.
Shumica dërrmuese e kolumneve të mia janë marrë me qeverisjen e LVV-së dhe Kurtit, që është personifikim i kësaj lëvizjeje. Kam shkruar për mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies së kësaj qeverie, për instalimin e një qeverisjeje despotike në të cilën vendimet merren sipas bindjeve të një personi, pa u debatuar në shkallë të gjerë, qoftë në Kuvend, qoftë me shoqëri civile.
Para 2021-tës kam menduar se Kurti dhe LVV-ja do të aplikojnë demokraci debatuese (Deliberative Democracy), si një formë e vendimmarrjes që i nënshtrohet një diskutimi të shteruar të opsioneve të ndryshme, e cila e mundëson marrjen e vendimeve më të mira. Kam menduar se Kurti do të ofrojë lidership politik dhe do të çojë përpara politika zhvillimore që do ta përmirësojnë standardin e jetës së qytetarëve dhe jetën e tyre në përgjithësi.
Mirëpo, nga sa u pa në tabulatet telefonike të WhatsApp, të publikuara në medie së fundmi, Kurti ishte një mikromenaxhues që merrej me karakterin e personave që punojnë në KEK dhe kërkonte “spastrime e shkarkime” dhe punësime në këtë korporatë, në vend se të merret me politika zhvillimore në sektorin energjetik. Njerëzit e tij më të afërt merreshin me atë se kujt t’i jepet tenderi për riparimin e kaldajës së termocentralit “Kosova A”, në vend se të merren me politikëbërje që e bën Kosovën të jetë fuqia kryesore energjetike në rajon - e që mund të bëhet fare realisht - duke pasur parasysh resurset e saj energjetike.
Me një fjalë, vendimet që me ligj i takojnë një ndërmarrjeje publike, merreshin në mënyrë të kundërligjshme nga një grup qeveritarësh, duke përfshirë edhe kryeministrin. I takon Prokurorisë së Shtetit të përcaktojë se a ka pasur konsumim të veprave penale në këto komunikime, duke përfshirë edhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare, ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm e të tjera, të cilat do të varen nga provat që i ka mbledhur dhe do t’i mbledhin prokurorët gjatë procesit të hetimeve. Tabulatet e WhatsAppit janë një aferë e madhe.
Afera WhatsApp tregon se kryeministri Kurti dhe partia e tij nuk u janë përmbajtur parimeve të qeverisjes së mirë, të cilën ua ka premtuar qytetarëve më 2021. Përkundrazi, tani sulmet e tij kundër Prokurorisë së Shtetit me argumentin se dëshiron ta spastrojë atë nga elementet që “i shërbejnë politikës së vjetër” dhe krimit, nuk janë fare të besueshme. Kurti dhe vartësit e tij në qeveri po e sulmojnë Prokurorinë e Shtetit, e veçanërisht Prokurorinë Speciale, për të shmangur dhënien e përgjegjësisë ligjore për shkeljet që kjo Qeveri i ka bërë. Afera WhatsApp është vetëm maja e ajsbergut. Prandaj, është me rëndësi që të kemi institucione të drejtësisë të pavarura e që nuk mund të cenohen nga pushteti politik.
Një tjetër çështje, tek e cila nuk mund të mos ndalem janë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në, për të cilat po ashtu kam shkruar gjatë këtij viti në kolumnet e rregullta. Në disa kolumne, e posaçërisht në atë me titull “Nga Bideni te Trumpi: sfida të reja për Kosovën dhe kryeministrin Kurti” më 25 tetor 2024, ku e pata diskutuar mundësinë reale që Trumpi të zgjidhet president i SHBA-së, pata thënë se hyrja e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të paraqesë vështirësi për kryeministrin Kurti dhe për partinë e tij në zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Një prej parashikimeve që pata bërë është se pasi ta marrë pushtetin më 20 janar, administrata Trump do të tregojë se marrëdhëniet e saj me kryeministrin Kurti nuk janë të mira dhe se kjo mund të ndikojë edhe në vendimin e një numri jo të vogël të votuesve të papërcaktuar kosovarë.
Njëmend ndodhi ajo që e kisha parashikuar. Politikëbërësi kryesor i administratës së Trumpit dhe njëri prej personave më të afërt të tij, Richard Grenell, e lëshoi një bombë ku e përgënjeshtroi pohimin e Kurtit se asnjë qeveri para së tijës nuk ka pasur marrëdhënie më të afërta me SHBA-në. Grenelli tregoi se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në kanë rënë në pikën më të ulët gjatë qeverisjes së kryeministrit Kurti dhe e pohoi qëndrimin se SHBA-ja është kundër Kurtit. Ai u tha qytetarëve të Kosovës të mos mashtrohen nga fjalët e Kurtit lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Ky qëndrim qe i pritshëm. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe i biri i presidentit Trump, Donald Jr. Trump, e ripostoi qëndrimin e Grenellit, duke treguar se edhe presidenti Trump është i interesuar për zgjedhjet në Kosovë.
Lajmi i mirë është se Kosova zë vend në agjendën amerikane, kurse qëndrimi i administratës Trump kundër Kurtit ka qenë i pritur, përveç tjerash, edhe kur të kihet parasysh fakti se vetë Kurti është shprehur kundër zgjedhjes së Trumpit në presidencialet e 2020-ës, kur i ftoi shqiptaro-amerikanët të mos votojnë për të por për Joe Bidenin. Tani, i zoti i shtëpisë është mu ai, kundër të cilit qe ngritur Kurti dhe kjo mund të ketë ndikim në marrëdhëniet Kosovë-SHBA, po qe se Kurti e merr sërish karrigen e kryeministrit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sa u përket marrëdhënieve me BE-në, Kosova ndodhet nën sanksione që prej 2023-tës dhe ka humbur qindra miliona euro nga programet zhvillimore të BE-së. Po ashtu, kryeministri Kurti hoqi dorë nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës, duke mos pranuar që ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarësimi i Kosovës në KiE do t’i forconte themelet dhe godinën e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe do të hapte rrugë për anëtarësim edhe në organizata e institucione të tjera ndërkombëtare, duke e forcuar sovranitetin e saj. Po të mundte, Serbia do të hiqte dorë nga Asociacioni vetëm që Kosova të mos anëtarësohet në KiE. Ajo ka lobuar shumë që Kosova të mos futet në rendin e ditës së Këshillit Ministror të KiE-së. Mirëpo, punën e Serbisë e bëri vetë Kosova nën udhëheqjen e Kurtit dhe e shqelmoi një rast të mirë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, gjë që do të jetë edhe më e vështirë në periudhën pasuese.
Pushteti korrupton. Nga kjo nuk ka mbetur imune as LVV-ja. Prandaj, argumentet e saj se po lufton kundër një strukture politike të korruptuar, të përfaqësuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë rënë në ujë prej momentit kur ajo e ka marrë në dorë qeverisjen më 2021. Afera WhatsApp tregon vetëm një segment të vogël të shkallës së abuzimeve qeveritare gjatë këtij mandati, të cilat mbeten të zbulohen. Argumenti i vetëm në favor të qeverisjes Kurti është shtrirja e sovranitetit në veri dhe mbyllja e institucioneve paralele të Serbisë.
Mirëpo, problemi i veriut të Kosovës nuk është zgjidhur e as që mund të zgjidhet me masat e ndërmarra nga kjo qeveri. Është e vërtetë se në terren janë krijuar fakte të reja, por ato nuk janë të qëndrueshme dhe çmimi të cilin po e paguajmë është mjaft i lartë. Rruga për shtrirjen e sovranitetit në veri dhe në enklavat e tjera me shumicë serbe nuk duhet të jetë vetëm policore, që ka qenë instrumenti kryesor zbatues i kësaj qeverie. Bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare është kyç për shtrirjen e sovranitetit të brendshëm. Me politikën e qeverisë Kurti, Kosova e ka krijuar iluzionin se po e forcon sovranitetin në planin e brendshëm, mirëpo kjo qeveri e ka dobësuar sovranitetin e vendit në planin e jashtëm, duke e lënë Kosovën pa miq e aleatë.
Në vend të zemrave, votuesit duhet ta përdorin mendjen e tyre kur të marrin vendim se për kë të votojnë më 9 shkurt. Pas 9 shkurtit fillon një periudhë e re, nga e cila Kosova ose do të fitojë shumë, ose do të dalë humbëse. Në SHBA kemi një president të ri, me të cilin kryeministri i deritashëm i ka marrëdhëniet e këqija. Këto marrëdhënie nuk janë të karakterit personal, ndërmjet dy personaliteteve, por të atij politik e strategjik. Trumpi ose do të bëhet mik i Kosovës, ose kundërshtar i saj. Kjo varet nga ajo se kush do të vijë në pushtet pas 9 shkurtit.
Me Trumpin si zot shtëpie në Shtëpinë e Bardhë, Kosova pas 9 shkurtit do të hyjë në një periudhë vendimtare politike, për të mos thënë se e ardhmja e saj varet nga vendimi i shumicës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. Prandaj, mendojeni votën mirë, duke mos u shndërruar në klientë të asnjërës parti politike, por mendojeni votën tuaj si të sovranit, i cili e përcakton të ardhmen dhe mirëqenien e vendit dhe të qytetarëve të tij. Dita e vetme kur qytetarët kanë pushtet është ajo e zgjedhjeve. Prandaj, këtë pushtet duhet përdorur me zgjuarsi dhe me pjekuri./Koha
Komente
