Në Kosovë po bëhet verifikimi i votës së partive politike për të hequr cdo dyshim për manipulimin e rezultatit. KQZ i tha Report Tv se procedura është e parashikuar në aktet nënligjore të miratuara përpara zgjedhjeve.
Konkretisht institucioni zgjedhor po verifikon formularët e plotësuar në çdo vend numërimi. Procesi i numërimit këtë mëngjes ka nisur në orën 8:00 në gjysmat e komunave të Kosovës për kandidatët e partive dhe po zhvillohet së bashku me verifikimin e votës për partitë. Institucioni thotë se nisja e procesit në gjysmën tjetër të komunave të vendit do të bëhet në një moment tjetër dhe se për këtë do të ketë një njoftim.
Rezultat për partitë janë raportuar thuajse nga të gjitha vendvotimet përveç 7 qendrave të votimit të cilat nuk lejojnë plotësimin e raportimit të 100 përqind të vendvotimeve. Ndërkohë janë rreth 100 mijë vota të tjera që presin të numërohen, ato të me kusht dhe vota e diasporës.
KQZ i tha Report Tv se këto dy kategori votash do të nisin të numërohen në një moment tjetër, çka do të çojë ende në pritjen e rezultatit përfundimtar.
Janë 15398 vota me kusht dhe 84064 vota të diasporës që duhet të verifikohen dhe numërohen më pas. Ngecja në proces detyroi Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani të thërrasë në një takim kreun e KQZ Kreshnik Radoniqi. Osmani i ka kërkuar kreut të KQZ, që institucioni të ruajë integritetin e procesit.
Takimi mes tyre erdhi pasi sistemi online i KQZ ra pas përfundimit të votimit, ndërsa kreu i AAK Haradinaj akuzoi se KQZ e politizuar nga Albin Kurti po manipulon rezultatin.
Komente
