TIRANË - Analisti Ben Andoni dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Marlind Laçi folën në Report Tv lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë që po zhvillohen këtë të dielë. Andoni analizoi për Arbër Hitajn pjesëmarrjen e ulët në votime teksa e vlerësoi si një trend që ndiqet në disa vende ballkanike gjatë zgjedhjeve.
'Është një trend që pritej në Kosovë, nëse keni ndjekur me kujdes liderët i kanë mëshuar fakti për pjesëmarrje se sa artikulime të tjera. Në Kosovë nuk është lejuar të bëhen sondazhe nga mediat. Nga sondazhet e brendshme, vazhdimisht kanë bërë thirrje për pjesëmarrje. Kurti vetë në orët e fundit për të dhënë shenjë angazhimi personal ka pritur militantët e Vetëvendosjes në aeroport. E njëjta gjë ka ndodhur me komunitetin e LDK, PDK.'
Laçi thotë se Kosova është për t’u marrë shembull si vend demokratik gjatë një procesi shumë të rëndësishëm si ai i zgjedhjeve parlamentare.
'Ajo çka ndodh në Kosovë, ngjarje për tu lavdëruar. Kosova një shtet i ri po i jep leksione një shteti si i Shqipërisë. Nuk e shikoj primare çështjen ekonomike. Primare është sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës. Do cenohet nëse rrëzohet Kurti dhe në pushtet vijnë yes man e LDK, PDK, dhe AAK e Haradinajt. Kurti ia ka dalë për një shtrirë për autoritetin kosovar në veri. Për tu përballur dhe diplomatikisht me një diplomaci të konsoliduar serbe. Sot nuk është dita që shqiptarët të ndahen ideologjikisht, është dita të ndahen në patriot dhe kozmopolit.
E mbështes Kurtin se ja ka dalë të ruajë territorialitetin e Kosovës. Ka futur në gjuhën institucionale termin bashkim kombëtar. Shpresoj që VV të formoj qeverinë e vetme. Nënkuptoj reagimet e Grenell, në administratën e parë të Trump hodhi në treg një zgjidhje që i dëmtonte shqiptarët. Një korrigjim që i shërben Beogradit. Qëndroj fort me Kurtin për ta refuzuar këtë tezë. Do dëmtojë futurologjinë ekzistencën e shqiptarëve të Kosovës. Çështja e opozitës së Kosovës, është e konsumuar.'
Andoni vlerësoi më tej, kandidatë opozitarë për kryeministër, Bedri Hamzën të PDK-në dhe Lumir Abdixhiku të LDK-së.
'Në gjithë zgjedhjet e fundit, qoftë në Serbi, apo Maqedoni, edhe në Shqipëri vetëm dy herë ka kaluar 50%. Publiku është gjithmonë më i pakënaqur me liderët që ka. Oferta e opozitës ka qenë ekonomike, Vetëvendosjes ka shumë larg premtimeve të saj. Kosova ka remitanca shumë të mëdha për frymë popullsie. Ka ndodhur, që opozita të përballej me dy individë, do veçoja zotin Hamza ka staturë shtetari ka qenë dy herë ministër financash. Abdixhiku ka punuar në shoqërinë civile. Kanë punuar me shifra. Premtimet prekin taksapaguesin e thjeshtë elektoral. Edhe në Shqipëri shikohen nga aleancat. Nuk kemi ndonjë gjë të veçantë përveç procesit në Kosovë që bëhet mirë. Ka një klimë besimi më të madhe se në Shqipëri.'
Për Laçin, kryeministri Kurti qëndron më lart se kandidatët e tjerë.
'Abdixhiku është Lulzim Basha e Kosovës. Kurti ndodhet sipër tyre, qoftë intelektualisht. Kurti e ka refuzuar një marrëveshje me Lista Srpska. E provoi dhe me LDK me mandatin e kaluar. Ishte një koalicion parimor me LDK. Ka një ngërç nëse Vetëvendosja nuk ia del të marri mbi 50% të vendeve në parlamentin e Kosovës.'
Më tej Andoni nënvizoi se serbët po konsolidojnë dhe forca të tjera politike përveç Listës Serbe, pasi kërkohen dhe votat e komunitetit serb në jug të Kosovës.
'Serbët në jug të Kolashinit, matanë Ibrit, kanë filluar dhe po i konsolidojnë forca të tjera politike, pasi Lista Serbe përfaqëson komunitetin serb në veri, por jo serbët e jugut. Ato 10 vendet e dedikuara për komunitetin serbe do jetë mirë të marrin 3 vende.'
Laçi e vlerësoi Kurtin si njeri jokonformist që mbron interesat territoriale të Kosovës, në dallim nga të tjerët.
'Kurti nuk është një njeri konformist. Nuk bën lojën me hartat. Ndërkombëtarët janë përballur me liderë shqiptarë që thonë vetëm po. Edhe sikur të copëtohen trojet, vetëm për të mbajtur pushtetin. Për hir të karriges shesin dhe kombin. Kurti ka dalë nga kjo suazë dhe ka bërë rezistencë.
Nuk është një lajm i mirë nëse partitë politike këtej dhe andej kufirit krijojnë përplasje politike. Nuk është lajm i mirë. Ne duhet të mendojmë si një komb dhe jo si dy shtete të ndara. Gjykoj se Kurti do i kaloj 52 mandatet, 54-55 gjykoj unë. Do jetë mbi këtë kuotë në gjykimin tim.'
Komente
