Ndërsa kanë mbetur vetëm 33 ditë nga dita e votimit për parlamentin e ri të Kosovës, diplomati i karrierës, Lutfi Bilalli, përshkroi për Report Tv se si po zhvillohet fushata elektorale atje dhe fokusin e partive në këto zgjedhje.
I ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn, Bilalli tha se partitë në Kosovë, dhe kryesisht opozita, janë përqëndruar tek vota e diasporës, me takime të shumta në shtetet ku gjenden shqiptarët e Kosovës.
“Mendoj që fushata ka filluar herët dhe mund të them që aktiviteti i tyre ka qenë i fokuar në diasporë sepse partitë e opoztës mendojnë që njërat ndër pikat më të dobta të tyre ka qenë diaspora dhe ka qenë një aktivitet mund të them 3-4 mujor jashtë Kosovës sidomos në vendet perëndimore: Gjermani, Zvicër, Francë dhe Austri, pa lënë anash dhe vendet skandimave dhe Angli kuptohet”,-tha Bilalli.
Diplomati theksoi se përtej platformave dhe projekteve që do të shfaqin gjatë fushatës, rezultati i partive politike do të varet më tepër nga lideri i tyre. Po ashtu, ai theksoi se për një qeverisje me të mirë të vendit, është më e shëndetshme një qeveri me disa parti në përbërje. Diplomati në Kosovë nënvizoi se sfida më e madhe e qeverisë së ardhshme në Kosovë do të jetë përballja me administratën e re amerikane lidhur me dialogun me Serbinë.
“Gjuha në këto zgjedhje ka filluar të jetë bukur e ashpër. Mendoj që partitë politike me programet e tyre, po qe se votohen sipas programeve të tyre, megjithëse nuk mendoj që krejt vota shkon për projektet dhe programet që do të shpalosin. Vota do të fitohet në bazë të liderit dhe karizmës së tij dhe mendoj që në këtë drejtim do të jetë një fushatë jashtëzakonisht interesante, por rezultati do të jetë ai që do të përcaktojë të ardhmen e një qeveri që mund të jetë e konsoliduar dhe për të mirën e vendit.
Për një të ardhme më të mirë të Kosovës duhet të krijohen konturet që të kemi një qeveri që mund të jetë me dy tre parti që mbartin procese që janë jashtëzakonisht të rënda sidomos me ato që kanë të bëjnë me zhvillimet dhe raportet në dialogun Kosovë-Serbi, ku nga administrate e re amerikane do të kemi momente “merre ose lëre””,- tha ai.
Bilalli theksoi se nën udhëheqjen e të Dërguarit të presidentit Donald Trump për Misionet Speciale, Richard Grenell, SHBA mund t’i paraqesë Prishtinës dhe Beogradit një draft-marrëveshje të re, por kësaj radhe pa shumë hapësira për të devijuar.
“Mendoj që projektet e tyre dhe një marrëveshje e rikorrigjuar apo me disa plotësime e marrëveshjes së Ëashingontonit, do t’u dorëzohet palëve”,- u shpreh diplomati.
Në fund, Bilalli theksoi se pritshmëritë e Lëvizjes Vetëvendosje për të “korrur” një rezultat si ai I zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 është pothuajse i pamundur. Diplomati parashikoi një rritje të opozitës në rezultatin final.
“Anketimet e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje parti të parë, por ajo nuk mund të krijojë një rezultat të thellë si të 2021. Arsyet janë të shumta dhe mendoj që ngritja e LDK-së, ato vota mund të merren nga korpusi i Listës Guxo dhe kështu bie përqindja e LVV. Vetëvendoja në kapacitet e veta në fushata është jashëtzakonisht e mobilizuar dhe populizmin dhe formën e agresivitetit e ka më të shprehur. Mendoj që në këtë drejtim ata duan të mobilizojnë votuesit për të arritur në një rezultat të përsëritshëm të 2021, por mendoj që do jetë problematikë të arrihet ai rezultat dhe në këtë drejtim opozita që është e ndarë veç e veç në parti politike, do kemi një koalicion parazgjedhor të tre subjekteve politike të cilat mund të bënin një rezistencë më të madhe por Partia Demokratike e Kosovës mund ta rrisë votën”,- theksoi Bilalli.