Ende pa u bërë tri javë qëkur e dha betimin si kryetar i Amerikës, Donald Trump ka marrë një sërë vendimesh që, pa dyshim, se do të kenë efekt edhe në Kosovë.
Mbyllja e USAID-it, agjencisë amerikane për zhvillim që në Kosovë e mundësoi krijimin e dy televizioneve të pavarura kombëtare pas luftës, nuk është lajm i mirë. Jo vetëm për Kosovën, por gjithandej ku ka funksionuar kjo agjenci.
Në Kosovë, USAID-i, me këtë emër, nisi punën para 25 vjetësh. Por në fakt, kjo agjenci kishte qenë e pranishme në Kosovë edhe gjatë luftës(si USAID/OFDA) dhe përkrahjen më të madhe ia kishte ofruar SHHB “Nëna Tereze”, e cila gati një dekadë e kishte mbajtur gjallë pjesën më të madhe të popullatës kosovare së shkelur nga pushteti serb.
Fatmirësisht, situata në të cilën jetojmë sot është larg më e mirë sesa kishte qenë më 1998. Por, megjithatë, përkrahja e jashtme është ende e nevojshme për të ecur edhe ndonjë hap përpara.
Mund të debatojmë gjerë e gjatë nëse fondet që vijnë nga jashtë menaxhohen si duhet ose jo; nëse ato krijojnë një varshmëri të një pjese të shoqërisë apo edhe nëse për shumë aktivitete do të duhej përpjekur që paratë të gjenden brenda shtetit. Porse në rastin e Kosovës, në këtë çast na ngrihen, ndër të tjera, aktivitetet e ndërlidhura me fuqizimin e Gjykatës Komerciale apo edhe me energjinë e gjelbër. Për një qytet super të ndotur, ky programi i dytë, kishte qenë njëfarë shprese për vetëdijesim dhe për kursim energjie.
Por, kryetari i fuqisë më të madhe në botë, e ushtron të drejtën e vet sovrane që të vendosë ashtu siç ia merr mendja.
* * *
Ky i radhës nuk është vendim, por është një plan të cilin mëton ta zbatojë në territoret e okupuara palestineze. Ideja e zhvendosjes së 2 milionë njerëzve nga toka e tyre, në emër të rindërtimit afatgjatë të të gjitha godinave të shkatërruara në 15 muajt e fundit (në një luftë të pabarabartë ku 48 mijë civilë kanë humbur jetën, prej të cilëve madje 70% kishin qenë gra e fëmijë) është një diçka që mund të kualifikohet si krim kundër njerëzimit.
Ne që e kemi përjetuar përçmimin dhe dëbimin nga toka jonë, e më pas jemi kthyer për shkak të ndërhyrjes së NATO-s që na shpëtoi e çliroi, e dimë se sa rëndë është të jesh i strehuar në një vend të huaj, posaçërisht në ndonjë vend ku nuk je i mirëseardhur.
E dimë se sa zor ka qenë madje edhe të mendohet se kurrë më nuk do të ktheheshim në shtëpi. Ne ishim me fat. Palestinezët, nuk duket se janë.
T’i zhvendosësh sërish dy milionë njerëz të cilëve qëllimshëm u janë shkatërruar shtëpitë për të mos pasur ku të kthehen, për një afat të papërcaktuar, përderisa deklaron se rindërtimi do të marrë 10-15 vjet, është veprim tejet i rrezikshëm, i padrejtë dhe çnjerëzor.
Ideja që mund të qëndrojë pas një investimi afarist e mbase edhe pas ndërtimit eventual të një vendpushimi luksoz për një shtresë të caktuar njerëzish që kanë shumë para, assesi nuk e arsyeton mohimin e kthimit në shtëpi, apo në rrënojat e asaj që kishin qenë shtëpitë e tyre, të dy milionë njerëzve që janë banorët autoktonë të tokës e cila qëndron nën okupimin e Izraelit që nga 1967-a.
Pa dyshim se është kryetari i shtetit më të fuqishëm në botë. Por, pikërisht për shkak të kësaj, nga një shtet kaq i madh do të pritej më shumë empati karshi vuajtjes së të tjerëve. Pavarësisht se të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë deri tash janë më shumë blickrig – pra sulme të rrëmbyeshme në disa fronte, me qëllimin e realizimit të premtimeve zgjedhore, pa dyshim, megjithatë që të gjitha vendimet prekin një numër të madh njerëzish.
Pardje deklaroi se priste që Gazën t’ia dorëzonte Izraeli nën përkujdesje. E kjo nuk mund të bëhet pa vazhdimin e luftës që tash kalon nëpër një armëpushim të brishtë, e që shërben për këmbimin e disa dhjetëra pengjeve izraelite për me qindra të burgosurish palestinezë.
E frikshme. Pa dyshim.
* * *
Ende nuk dëgjuam për emërimin e ndonjë emisari special për Ballkanin. Nuk dëgjuam as për asnjë për dialogun Kosovë-Serbi. Por e pamë rikthimin e ish-emisarit Richard Grenell, që tash ka titullin e Emisarit të veçantë të kryetarit për misione të veçanta. Se çka janë misionet e veçanta, duket se do të marrim vesh së shpejti.
Në javën e fundit, Grenell u rikthye me statuse akuzuese ndaj Kurtit duke ndërhyrë drejtpërsëdrejti në fushatën zgjedhore. Se a është qëndrimi i tij edhe qëndrimi i administratës amerikane, e besoj do ta marrim vesh së shpejti. Por, përderisa qëllimi i statuseve është dobësimi i pozicionit të VV-së në zgjedhjet e së dielës, ka shumë gjasa ta ketë arritur pikërisht të kundërtën, sidomos në mesin e atyre që kanë pasur dilema nëse duhen dalë në votime ose jo.
Nga ana tjetër, një veprim i këtillë do të duhej t’i vetëdijesonte Kurtin dhe partinë e tij se nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në zgjedhjet e të tjerëve kurdo që ato mbahen. Ama fare nuk u takon që të bëjnë fushata në shtetet fqinje e të ndikojnë në çfarëdo forme, ngase ato votime u takojnë sovranëve të atyre shteteve: popujve (e jo udhëheqësve) të shteteve fqinje.
* * *
Fushata përfundon sot, dhe nesër në mëngjes nis heshtja zgjedhore deri në mbylljen e vendvotimeve.
Nuk mbaj mend që ndonjë fushatë të ketë qenë kaq dinamike sa kjo e kësaj radhe. Partitë më të mëdha u mobilizuan maksimalisht që të mblidhnin simpatizantët në sa më shumë komuna; shpërndanë aktivistë e kandidatë për deputetë nëpër shumë fshatra, të cilat përndryshe i harrojnë posa ta fitojnë mandatin, dhe shpenzuan shumë para për reklamë në rrjetet sociale, e krejt pak nëpër mediumet tradicionale.
Nuk mbeti tubim më i madh pa u xhiruar e transmetuar nëpër disa televizione dhe nëpër rrjete sociale, dhe e gjithë lufta e simpatizantëve partiakë në FB, qe nëse nëpër salla përdoreshin perde të zeza për të kamufluar mungesë simpatizantësh; nëse sheshet ishin mbushur mjaftueshëm me njerëz; apo cila parti mbushi më shumë cilin shesh; nëse kjo apo ajo parti po humbte përkrahës për shkak të pjesëmarrjes jo të kënaqshme të simpatizantëve...
Gjatë gjithë muajit të fushatës nuk pati ditë që temperatura nuk ra nën zero, e nuk pati ditë në të cilën bile diçka nga fjalimet e ditës paraprake nuk u përsërit. Nuk e besoj që dikush të jetë ndalur të numëronte se sa veta ishin mbledhur kudo, sepse fundja, pjesëmarrja ose jo nëpër tubime në fund nuk e përcakton fituesin. Për shkak se shumica absolute e votuesve nuk marrin pjesë nëpër tubime, kurse bile gjysma e tyre e hedh votën ditën e votimeve.
Se prania nëpër tubime mund të mos jetë relevante, e dëshmoi rasti i Trumpit në Amerikë. Nuk e di nëse ka qenë pjesë e propagandës, e konstruksioneve mediatike apo nëse njëmend ka qenë ashtu, por gjatë gjithë fushatës, Kamala Harris krenohej se kishte përherë më shumë pjesëmarrës në tubime sesa Trumpi. Humbja e saj bindëse dëshmoi se kjo nuk kishte pasur asnjë efekt dhe se dalja në votim dhe vetë përcaktimi në fletëvotim, ishin përzgjedhje individuale.
* * *
Tashmë e kam thënë në secilën palë zgjedhje – se vota është tepër e çmueshme për të mos e shfrytëzuar. Unë besoj fuqishëm që të gjithë ne duhet ta shfrytëzojmë të drejtën për të zgjedhur, edhe nëse kjo do të thotë se nuk ke kujt t’ia japësh votën. Së paku nuk duhet lejuar asnjë hapësirë për manipulimin e votës që i takon secilit individualisht. Dalja në votim është marrje e përgjegjësisë për të ardhmen e secilit.
Në fushatë nuk u regjistruan incidente ndërpartiake të asnjë lloji pos të gjuhës ofenduese dhe fyese, që nuk mund të shikohet si incident, sepse fatkeqësisht është pjesë e diskursit politik të rrënjosur në Kosovën e pasluftës.
Uroj që dita e diel të shkojë mirë e mbarë, qetë, pa mashtrime, pa trena bullgarë, pa fikje dritash, me funksionim kamerash, me numërim të shpejtë votash e pa vjedhje mes kandidatësh brenda partive.
Do të duhej ta kishim arritur një copë pjekurie deri tash dhe të mund të krenohemi me faktin se mund ta çojmë një proces zgjedhor deri në fund ashtu siç i ka hije një shteti, sado i vogël, por demokratik./Koha
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)
Moj Flaka po ku e di ti si jane punet e palestinezeve dhe izraelianeve, ca me keq pse rreshtohesh. Fole per ate qe di ti mire: Kosoven, Shqiperine, hallet e shqiptareve. Me llogjiken tende aleatet ishin kriminele qe shkerruan krejt Berlinin dhe Drezdenin, apo kriminel ishte Hitleri qe nuk uli armet qe te shpetonte njerezit e vet. Pastaj me aq sa di une Izraeli e ka njohur Republiken e Kosoves, ndersa Autoriteti palestinez jo.
Përgjigju