Kosovë-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), ka publikuar sot rezultatin paraprak të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të 100 për qind të votave nga vendvotimet.
Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342.281 vota ose ndryshe 40.80 për qind, Partia Demokratike ka marrë 184.811 ose 22.03 për qind, Lidhja Demokratike ka marrë 147.888 ose 17.63 për qind dhe koalicioni AAK Nisma ka marrë 62588 ose ndryshe 7.46 për qind të votave.
Ndërkaq rezultatet paraprake nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.
Po ashtu KQZ-ja bëri të ditur gjithashtu se ka numëruar 92.73 për qind edhe të votave për kandidatët për deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota në këtë proces zgjedhor, është zotuar se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.
Partitë opozitare, PDK, LDK, dhe AAK, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.
Mbi 1 milion e 970 mijë votues u thirrën të votojnë më 9 shkurt për të zgjedhur parlamentin e ri dhe kabinetin e ri qeveritar. Zgjedhjet shihen si një referendum për kryeministrin Albin Kurti, i cili është kritikuar edhe nga zyrtarë të administratës së mëparshme amerikane për veprimet, që janë cilësuar si të pakoordinuara, në veriun e Kosovës.
Komente
