Gati një muaj nga dita e zgjedhjeve të 9 shkurtit, përfundon i gjithë procesi i numërimit të votave në Kosovë.
Kohëzgjatja e procesit ishte jashtë pritshmërive dhe pati probleme kryesisht të karakterit teknik në publikimin e rezultateve preliminare nga ana e KQZ. Vetëvendosje shpallet fituese e këtyre zgjedhjeve, por ajo nuk arriti të marrë rezultatin e pretenduar në fushatën elektorale nga Albin Kurti, i cili vendosi synimin për t’u marrë votuesve të Kosovës të paktën 500 mijë vota.
Vetëvendosja e tij mori mbi 396 mijë vota nga të gjitha kategoritë e votuesve dhe fitoi mbështetjen më të madh nga votuesit brenda dhe jashtë Kosovës. Kurti bëri një matje force në këto zgjedhje duke hyrë në garë në një situatë jo të mirë të marrëdhënieve me ndërkombëtarët dhe pa influencën e Vjosa Osmanit si kandidate.
PDK shpallet forcë e dytë me mbi 196 mijë vota të marra nga votuesit. Ajo siguron vendin e forcës së parë opozitare në vend duke mos ia dalë dot të rrëzojë Albin Kurtin nga qeverisja.
Lidhja demokratike e Kosovës rezulton forcë e tretë me mbi 171 mijë vota ndërsa koalicioni i Ramush Haradinajt arriti të marrë pak më shumë se 66 mijë vota.
Rezultati i mësipërm mund të certifikohet gjatë kësaj jave pas afatit dy ditor për ankesat ndërsa ndarja e mandateve është problem i momentit. Albin Kurti nuk ka arritur dot të sigurojë i vetëm 61 mandatet për të krijuar qeverinë i vetëm pa një koalicion.
Sipas institutit Demokracia në Veprim, VV ka marrë 48 mandate, PDK 24 mandate, LDK 20 mandate, ndërsa AAK dhe nisma 8 mandate. Pjesa tjetër e mandateve do të ndahen për pakicat sipas ligjit që në këtë rast do të pjesëtojë 9 mandate për listën serbe, 1 për partinë për Liri Demokraci dhe Mbijetesë dhe 10 të tjera për partitë joserbe. Numrat duket se detyrojnë Kurtin të bëjë një koalicion por mbetet në pikëpyetje se kush do të bëjë hapin i pari për të krijuar një të tillë.
Burimi “Demokracia Në Veprim”
Komente
