Kosova & Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë, Osmani vijon sot konsultimet për datën e zgjedhjeve

23 Dhjetor 2020, 09:29| Përditesimi: 23 Dhjetor 2020, 13:59

  • Share

Kosova do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme, por pavarësisht takimeve të djeshmet të ushtrueses së detyrës së presidentit Vjosa Osmani, me krerët e partive kryesore në vend ende nuk ka një datë të përcaktuar.

Gjatë të martës, Osmani u takua me përfaqësuesit e katër partive politike, i pari të cilin takoi ishte Albin Kurti, i cili theksoi se  ata duan mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë të jetë e mundur, pasi vendi sipas tij kishte humbur mjaftueshëm kohë.

Vetëvendosja është partia që ka kërkuar më së shumti me insistim mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, pas rrëzimit të qeverisë Kurti dhe ajo ka ngritur edhe padinë në Gjykatën Kushtetuese.

LDK e ka një datë të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve. Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, pasi u takua me Osmanin ka përmendur 7 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, para se të mbahen zgjedhjet, LDK-ja ka kërkuar që të votohet buxheti për vitin 2021.

Ndërkohë që kryetari i saj Isa Mustafa me anë të një postimi në Facebook, ka theksuar se në zgjedhjet e ardhshme forca qeverisëse në vend do të jetë fituese.

“LDK-ja aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe do të jetë përgjegjëse dhe e përkushtuar që t’i kryej detyrat kushtetuese deri në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme.  LDK pati guximin dhe vetëdijen për të dalë në ballë të proceseve të mëdha, në kohët më të vështira, prandaj jam shumë i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme në bashkëpunim me të gjitha strukturat elektorati i LDK-së do të angazhohet për rezultatin më të suksesshëm. Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetar”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës preferon zgjedhje në fund të muajit janar, këtë e theksoi nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, pas përfundimit të takimit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka shprehur publikisht asnjë preference. Nënkryetar i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar se duhet marrë dhe mendimi i Institutit të Shëndetësisë për shkak të situatës së  pandemisë. Krahas datës së zgjedhjeve  kanë nisur dhe diskutimet për koalicionet e mundshme para zgjedhore.

Konsultimet do të vazhdojnë edhe gjatë të mërkurës me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend.

/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?