Komisioni Rregullator në KQZ është mbledhur ditën e sotme dhe ka përcaktuar disa afate që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Kukës, që do të zhvillohen më datë 24 shtator. Komisioni Rregullator vendosi që paritë politike duhet të regjistrohen në KQZ deri më 1 shtator, afati për koalicionet është data 6, dhe për kandidatët deri më 8 shtator.
Afatet e miratuara
1. Bashkia Kukës dhe institucionet e saj të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 26.8.2023 deri më datë 24.9.2023.
Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 26.8.2023 deri më 24.9.2023, në territorin e Bashkisë Kukës ose për të.
2. Autoriteti i Mediave Audiovizive monitoron OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga data 26.8.2023, nga ora 08:00-00:00 ose sipas rastit deri në përfundimin e programit.
3. Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në Bashkinë Kukës, fillon më datë 11.9.2023.
4. Zyra e Gjendjes Civile në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 16.8.2023. Brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore miraton dhe shpall listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.
5. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ-në nr. 11, të Bashkisë Kukës, Qarku Kukës, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 18.8.2023. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ-së jo më vonë se data 21.8.2023.
6. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-në përkatëse, jo më vonë së data 1.9.2023. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 4.9.2023.
7. Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ, jo më vonë së data 12.9.2023. KZAZ-ja merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, jo më vonë se data 14.9.2023.
8. Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Kukës, jo më vonë se data 1.9.2023. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
9. Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Kukës, në KZAZ-në nr.11, jo më vonë se data 1.9.2023. KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. KZAZ-ja miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.
10. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Kukës jo më vonë se data 6.9.2023. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrimin si koalicion, brenda 24 (njëzet e katër) orëve.
11. Dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ-në nr.11, jo më vonë se data 8.9.2023. KZAZ-ja bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga riparaqitja e tyre.
12. Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë dhe për vëzhguesit e huaj bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 22.9.2023.
13. Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ-në nr. 11 jo më vonë se data 22.9.2023.
14. Kryetari i bashkisë paraqet në KQZ listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 27.8.2023.
15. Prefekti i Qarkut Kukës i paraqet KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 27.8.2023.
16. Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 (tre) ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit.
17. Kryetari i bashkisë në detyrë të përcaktojë vendet publike në territorin e bashkisë Kukës për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike jo më vonë se data 5.9.2023.
Lajmi kryesor:
Gjici në qeli, më 24 shtator ‘beteja’ për Kukësin! PD sërish e ndarë, zbulohet favoriti i Bashës në garën me Albert Halilajn e PS! Berisha ende pa emër
SI.E./ReportTv.al