Albert Halilaj i Partisë Socialiste dhe Emri Vata i "Bashke Fitojmë" janë në gare për Bashkinë e Kukësit. Pranë KZAZ Kukes dorëzuan dokumentacionin e plote për kandidatet, Partia Socialiste dhe Koalicioni "Bashke Fitojme". KZAZ ka afat deri më 11 shtator për verifikimin e dokumentacionit, kohë kur nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet e pjesshme lokale.
“Janë dorëzuar në KZAZ nr.11 dokumentet për dy kandidatët. Gjatë 24 orëve do verifikojmë dokumentet dhe më pas regjistrimin e kandidatëve pranë KQZ-së”, tha Sahit Doci kryetar i KZAZ
Pas këtij procesi do te nise edhe trajnimi për komisionarët e 79 Qendrave te Votimit dhe Grupet e Numërimit te Votave
“Trajnimet për komisionarët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëhen javën e ardhshme”, tha më tej Doci.
Edhe pse u regjistrua si subjekt zgjedhor Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha nuk paraqiti asnjë kandidat. PD zyrtare ka deklaruar se shkak për mospjesëmarrjen në zgjedhje është koha e pamjaftueshme dhe konflikti i ndezur mes demokratëve.
Kukësi do të shkojë në zgjedhje më 24 shtator, pas video-skandalit seksual të ish-kryebashkiakut Safet Gjici. Prej 3 muajsh ai është në paraburgim dhe akuzohet nga SPAK për “korrupsion pasiv”.