Zgjedhjet në Malin e Zi, kryetari i Lidhjes Demokratike: Vota e shqiptarëve sulmohet nga të gjithë objektet! Ne do i mbrojmë interesat e tyre dhe do i përfaqësojmë siç duhet

11 Qershor 2023, 12:47| Përditesimi: 11 Qershor 2023, 14:43

  • Share

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, Saubin Mehmeti nga Aleanca Shqiptare i bën thirrje të gjithë votuesve që të mos mungojnë në zgjedhjet e sotme në mënyrë që kërkesat dhe të drejtat e tyre të artikulohen edhe në parlament.

Në një intervistë për Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu u shpreh se votat e shqiptarëve sulmohen  nga të gjitha subjektet zgjedhore, sidomos nga Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga Millo Gjukanoviç.

“Unë shpresoj që në këto zgjedhje shqiptarët do të dinë të vlerësojnë rëndësinë dhe peshën e votës së tyre dhe do të votojnë listat shqiptare. Sot në Malin e Zi kemi 2 lista shqiptare por kemi për fat të keq edhe një subjekt i cili është vërtetë i rëndësishëm dhe nga pesha politike, historike por edhe nga pesha e numrit të votuesve e cila garon në kuadër të koalicionit të disa partive të tjera qytetare.

Kjo e vështirëson situatën e shqiptarëve në Malin e Zi sepse votat e shqiptarëve atakohen nga të gjitha subjektet, sidomos nga partia e ish presidentit Gjukanoviç, pra Partia Demokratike e Socialistëve. Kemi edhe një interes të jashtëzakonshëm të partisë Evropa Tani që ka arritur të depërtojë në votat shqiptare. Jemi të sulmuar nga të gjitha anët por shqiptarët janë të vetëdijshëm për përfaqësimin. Përfaqësuesit do të vijojnë të mbrojnë interesat e shqiptarëve si pakicë në Malin e Zi”, tha Mehmeti.

I pyetur përse nuk u bënë bashkë dy koalicionet e partive shqiptare Forumi Shqiptar me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu, Mehmeti tha se nuk u arrit një marrëveshje.

“Ne si subjekti më i vjetër kemi kërkuar dhe insistuar që të mos vijnë deri te ndarja e partive të tjera por së paku të arrihet kur janë zgjedhje të rëndësisë së nivelit kombëtar, atëherë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar. Kemi diskutuar për të dalë në një listë por me keqardhje s’kemi arritur një marrëveshje”, tha Mehmeti.

Ndër të tjera, Saubin Mehmeti tha se nga pjesëmarrje e deri tanishme vihet re interes për të votuar ndërsa pret që të gjithë votuesit shqiptar të mos mungojnë sepse bëhet fjalë për fatin e tyre në Malin e Zi.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?