Zgjedhjet në Serbi, numërohen mbi 93% e votave, shqiptarët sigurojnë të paktën 3 vende në parlament (VIDEO)

22 Qershor 2020, 10:24| Përditesimi: 22 Qershor 2020, 13:21

  • Share

Në zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare dhe Administrative në Serbi, shqiptarët e luginës së Preshevës deri tani kanë siguruar të paktën 3 vende në Parlament dhe shpresojnë edhe për të katërtin, kurse Partia Serbe e Përparimit (SNS), e Presidentit Aleksandër Vuçiç ka arritur një fitore dërrmuese në votimin e parë në Europë, pas heqjes së kufizimeve prej pandemisë.

Sipas televizionit publik serb, ndërsa deri tani janë numëruar 93.4% e votave, konservatorët në fuqi që nga viti 2012, janë fitues me 63.4%.

E përkthyer në numër mandatesh, SNS deri më tani ka siguruar 189 vende në parlament nga 250 të mundshëm, duke lënë pas me diferencë shumë të madhe partinë e Ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, e cila deri më tani ka arritur të sigurojë 32 mandate.

Partitë shqiptare këtë vit vendosën të bashkonin votat e tyre dhe të futeshin në zgjedhje nën një parti të vetme, e quajtur Alternativa Demokratike Shqiptare dhe do të jenë të përfaqësuar minimalisht me 3 deputetë.

Ndërsa mbeten shumë pak vota për t’u numëruar, Lugina e Bashkuar e Preshevës, që deri tani ka siguruar 1 për qind të votave, shpreson edhe për një tjetër vend në parlamentin serb.

Ditën e djeshme u thirrën për të votuar rreth 6 milion e 600 mijë votues dhe pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48%, rreth 8% më e ulët se katër vjet më parë.

Suksesi i konservatorëve të Vuçiç ishte pothuajse i parashikueshëm, për shkak të bojkotimit që opozita radikale i bëri zgjedhjeve.

Vuçiç është njeriu që ka dominuar politikën serbe vitet e fundit, duke e çuar Serbinë drejt një afrimi të paqartë me Bashkimin Evropian, për shkak të lidhjeve të forta që ai mban me Rusinë dhe Kinën.

Analistët thonë se qeveria e re serbe do të përballet me trysninë në rritje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që shihet si thelbësore për qëndrueshmërinë rajonale.

Ora 11:07
Hashim Thaçi: Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij në zgjedhjet serbe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur rezultatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare serbe.

Për herë të parë, partitë shqiptare dolën me një listë të përbashkët dhe falë kësaj, rezultatet tashmë janë shumë më të mira se që kanë qenë në të kaluarën.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, tashmë do të kenë katër përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.

Pas këtij lajmi ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se bashkimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës e ka dhënë rezultatin e tij.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.

Postimi i plotë i Thaçit:

Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje.

Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbëri: 22/06/2020 11:57

    Hashim Vuçiçi e arrati wëllimin që ta zbraz Medvegjen nga shqiptarët e tani del e shet pallavra ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?