Zgjedhjet në Serbi, Vuçiç shpall fitore! Merr shumicë absolute, 129 nga 250 deputetë! Shaip Kamberi siguron sërish mandat

18 Dhjetor 2023, 07:57| Përditesimi: 18 Dhjetor 2023, 20:53

  • Share

SERBI- Lista e Partisë Përparimtare Serbe e Aleksandër Vuçiç ka fituar 46.6 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që sipas rezultateve të numëruara deri më tani, rezulton të kenë fituar 129 deputetë nga 250 që ka parlamenti serb.

Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 mandate. Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, me 6.9 për qind të votave apo 19 mandate. Daçiç ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiçit.

Në këto zgjedhje shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garuan me dy lista. Mandatin e deputetit ka arritur që ta ruajë edhe shqiptari, Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” e Shqipërim Arifit nuk ka deputet. Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë mandate, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tre mandate dhe një mandat e ka fituar Partia Ruse.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se partia e tij është rritur për 10 për qind në të gjitha vendvotimet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Ai ka pretenduar se partia e tij ka fituar edhe në Beograd.

“Edhe pse thanë se nuk do të ishte kështu, në Beograd lista “Serbia nuk duhet të ndalet” padyshim që fitoi më shumë vota”, theksoi Vuçiç në fillim të fjalimit të tij.

Vuçiç thekson se nuk është e sigurt se kush do të formojë qeverinë në Beograd dhe kjo varet nga Nestorović (6 mandate) dhe nga DVERI, i cili mund të kalojë regjistrimin (aktualisht 2.8%).  Ai u shpreh se është i bindur se kryetar komune do të jetë Aleksandër Shapiç.

“Për ne është e rëndësishme të bashkojmë kombin dhe popullin, kushdo që përbën shumicën në Beograd”, tha Vuçiç.

Vuçiç thekson se kjo është një fitore absolute për të cilën është i lumtur.

“Njerëzit e dinë se ne i urojmë mirë Serbisë, se duhet të luftojmë për EXPO. Dhe ne i premtuam popullit se Serbia do të ishte një vend tjetër. Na mbetet shumë për të bërë dhe për të marrë këtë lloj rezultati pas 11 vitesh sundim, kështu që jam jashtëzakonisht i lumtur”, tha Vuçiç.

Serbia mbajti dje, 17 dhjetor, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare e lokale. Pjesëmarrja në votime ka qenë 55.5%. Fillimisht po numërohen votat për Parlament, më pas për ato lokale. Komisioni Republikan Zgjedhor (KRZ) i Serbisë njoftoi se të drejtë vote kishin 6 milionë e 500 mijë e 666 qytetarë. Zgjedhjet e së dielës janë monitoruar nga 5.587 vëzhgues vendas dhe të huaj - numër rekord i vëzhguesve, në krahasim me zgjedhjet paraprake. Këto janë zgjedhjet e pesta që janë organizuar në Serbi prej vitit 2012, dhe janë mbajtur vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.

Mbarëvajtja e procesit zgjedhor

Rasha Nedellkov, drejtor i organizatës joqeveritare për vëzhgim zgjedhjesh CRTA, ka pretenduar se vëzhguesit e organizatës janë sulmuar fizikisht dhe makinat e tyre janë dëmtuar rëndë në komunën Oxhaci në veri të Serbisë. Policia e ka arrestuar gjatë ditës një të dyshuar lidhur me këtë incident dhe është thënë se po kryhen hetime. CRTA raportoi gjithashtu raste kur votuesve u jepeshin para për të votuar për partinë në pushtet dhe për praninë e personave të paautorizuar në qendrat e votimit.

Nedellkov ka shtuar se ka pasur votues që janë marrë me autobusë prej entitetit serb të Bosnje -Hercegovinës, për të votuar në Beograd. Misioni Vëzhgues për Demokraci dhe Zgjedhje të Lira – i themeluar në Beograd më 1997 - ka raportuar se ka parë “mosrespektim të përsëritur” të procedurave zgjedhore në disa qendra të votimit dhe prezencë të “materialit propagandues”.

Vëzhgues të partive opozitare raportuan për parregullsi të mëdha si gjatë fushatës së tensionuar ashtu edhe përgjatë ditës së votimit. Mediat e pavarura thanë se serbë nga Bosnja fqinje u mblodhën për të votuar në një sallë sportesh në Beograd që nuk ishte një qendër votimi zyrtar. Një ekip monitorues u sulmua dhe makina e tyre u godit me shkopinj bejsbolli në një qytet në veri të Serbisë.

18 parti dhe aleanca konkurruan

Tetëmbëdhjetë parti dhe aleanca konkurruan për 250 vende në Parlament në votimin e së dielës. Për të marrë një mandat kërkohet një minimum prej 3% të votave. Qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit (06:00 GMT) për t'u mbyllur në orën 20:00. Megjithëse SNS e Vuçiçit kryeson në sondazhet përpara zgjedhjeve, aleanca e qendrës së majtë "Serbia kundër dhunës" dhe Partia Socialiste (SPS) e ministrit të Jashtëm në largim Ivica Daçiç llogarisin gjithashtu një mbështetje të dukshme.

Ora 20:50
Opozita serbe kërkon anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Beograd, nisin protestat dhe greva e urisë

 

Koalicioni “Serbia kundër dhunës”, që kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare për Beogradin ka organizuar një protestë ku kërkon anulimin e tyre.

Liderët e koalicionit opozitar, Miroslav Aleksiç dhe Marinka Tepiç kanë nisur një grevë urie para ndërtesës së Komisionit Zgjedhor deri në anulimin e zgjedhjeve në Beograd.

Sipas tyre, në proces ka pasur parregullsi të shumta dhe kërkojnë ripërsëritjen e zgjedhjeve. 

“Kërkojmë nga Komisioni Zgjedhor që të anulojnë zgjedhjet në Beograd, për shkak të mashtrimit dhe parregullsisë së rezultateve, për shkak të cenimit të vullnetit zgjedhor të qytetarëve të Beogradit. Do t’i dërgojmë të gjitha provat dhe materialet që kemi mbledhur gjatë ditës së djeshme, të cilat tregojnë qartë se rezultati i arritur nga partia Progresive serbe në Beograd është arritur falë njerëzve që janë sjellë për të votuar në Beograd, edhe pse nuk jetojnë atje. Kemi një situatë ku ka ardhur për të votuar ministri i Bosnjë-Hercegovinës, që është e paprecedentë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë rregullsi. Prandaj, këto zgjedhje duhet të anulohen”, tha Miroslav Aleksiç.

Ora 09:31
Opozita serbe kërkon anulimin e zgjedhjeve në Beograd

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” pretendoi se Partia Progresive Serbe (SNS) ka marrë 21.000 vota më shumë se lista e tyre në zgjedhjet në Beograd.

“Duke pasur parasysh se më shumë se 40.000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e SNS-së, e cila ndryshoi në mënyrë drastike vullnetin elektoral të qytetarëve të Beogradit, ne kërkojmë anulimin e zgjedhjeve në qytetin e Beogradit dhe përsëritja e votimit për Kuvendin Komunal”, tha koalicioni.

Nga ky koalicion po ashtu kërkuan “pastrimin e listës zgjedhore”.

Ndërkaq, Qendra e pavarur për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA) tha se më 17 dhjetor kanë parë indikacione se votuesit janë sjell nga Bosnje e Hercegovina dhe ish-republika të tjera jugosllave për të votuar në zgjedhjet në Serbi.

Më herët, SNS hodhi poshtë akuzat se ka ndikuar në vullnetin e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviç, deklaroi se është “i sigurt” se lista e tij ka fituar në kryeqytetin serb, Beograd, dhe se ai beson se Alleksandar Shapiq, do të jetë “kryetari i ri apo i vjetër” i qytetit.

Ora 08:04
Siguroi mandat në parlamentin serb, Shaip Kamberi: Sa herë që hyja në ring, gjysma e audiencës ishte e ekzaltuar për të më parë të vrarë

Shaip Kamberi ka arritur që të sigurojë sërish mandatin e deputetit në parlamentin serb, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që u mbajtën një ditë më parë. Pas kësaj fitoreje, në një postim në Facebook, Kamberi ka zgjedhur që të japë një mesazh me një thënie të boksierit Muhamed Ali.

“Sa herë që hyja në ring, të paktën gjysma e audiencës ishte aq e ekzaltuar për të më parë të vrarë. Ata brohoritnin, bërtisnin dhe shkelmonin për çdo grusht me të cilin më godiste një kundërshtar. Aq shumë saqë u bënë histerikë kur i zhgënjeva ato ëndrra dhe shpresa (Muhamed Ali)”, shkruan Kamberi.

Gjatë periudhës nga 2002 deri në 2006 dhe 2006-2008, Kamberi shërbeu si pjesëtar i Bashkisë së Bujanovcit dhe drejtues i Partisë për Veprim Demokratik. Si një kandidat i Partisë për Veprim Demokratik në zgjedhjet lokale në 2008, ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Bujanocit dhe e ushtroi këtë detyrë deri në 2012.

Në zgjedhjet parlamentare në 2014, Shaip Kamberi u mandatua për në kuvendin kombëtar, pozicion i mbajtur deri në 2016 kur u zgjodh kryetar i Bashkisë së Bujanovcit. Në tetor 2018, Kamberi u zgjodh president i Partisë për Veprim Demokratik. Në zgjedhjet parlamentare të 2020, Kamberi u mandatua sërish si deputet në parlamentin serb.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Qobani: 18/12/2023 09:06

    A ban vaki more vlla muslimant i kan marr traditat e huaja,nuk e din qka ju ka mbet Shyptare,shum pak po punojn me rritë Sojin,n’ramazan hallakaten krejt për çaj e duhan,lypin hyzmet prej antarve të familjes,jan hujli sikur thmia,Krijusi i gjithsis i ka tgjitha tpa shterrshme,kurgja nuk jep falas,rregullat jan me fitu Ujin,me i mushë bunaret,krojet,lumejt me ujë duhet pun punë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?