Politikë

Zgjedhjet/ S’ka ripërsëritje në Tiranë, Kolegji Zgjedhor ‘vulos’ rezultatin! Rrëzohet ankimi i PD, shtyhet Durrësi

17 Korrik, 09:43| Përditesimi: 17 Korrik, 16:24

  • Share

TIRANË- Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike që ka kërkoi ripërsëritje të zgjedhjeve për qarkun e Tiranës dhe shpalljen e rezultatit të pavlefshëm. Kolegji Zgjedhor ka vendosur që të mos ketë rivotim për Tiranën, duke rrëzuar pretendimet e opozitës.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Franci Nuri, argumentoi në seancë se “nga procesi i rinumërimit dolën disa ndryshime në procesverbalet e Qendrave të Votimit”, dhe sipas tij, “edhe një votë e vetme e ndryshuar është e mjaftueshme për të kërkuar përsëritjen e votimit”.

“Nga procesi i rinumërimit dolën disa ndryshime në proces-verbale, ndaj në gjykimin tonë sikur një votë të jetë ndryshuar duhet të çojë në përsëritje të votimit. Duhet të veprohet si në 2003 kur në disa QV u bë përsëritja e zgjedhjeve”, tha Nuri.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Pavlina Doçaj, kundërshtoi kërkesën e opozitës duke theksuar se “prova më kyçe që duhet të çojë në mospranimin e ankimimit të PD-së është fakti që rinumërimi tregoi qartë se nuk ka pasur parregullsi apo shkelje që të ndikojnë rezultatin”.

“Prova më kyçe që nuk duhet të pranohet ankimimi i PD-ASHM, është fakti që rinumërimi tregoi që nuk ka patur parregullsi e shkelje, nuk ka patur lëvizje të mëdha votash. Pala nuk na solli asnjë të dhënë asnjë provë që të vërtetojë se QV mund të kenë shkelje të tilla që ndryshojnë rezultatin, shkelje të rënda procedurale, duhet të flasë me shifra, para gjykatës flitet me prova jo me ‘mund’. Nuk është vërtetuar në asnjë moment dhe asnjë rrethanë që të jenë përdorur burime shtetërore aq sa të sjellë pavlefshmëri të zgjedhjeve”, tha Përfaqësuesja e KQZ, Pavlina Doçaj.

Në Tiranë, Partia Socialiste mori 19 mandate, ndërsa PD 13 mandate, 2 Partia Mundësia dhe nga 1 mandat për Nisma Shqipëria Bëhet, Lëvizja Bashkë dhe PSD. Ndërkohë, në Durrës PS mori 8 mandate dhe 6 mandate shkuan për PD.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për Tiranën i hap rrugë KQZ-së të certifikojë përfundimisht rezultatin në këto qarqe dhe të shpërndajë mandatet për deputetët e zgjedhur më 11 maj.

Kurse seanca për Durrësin, që ishte parashikuar gjithashtu për ditën e sotme, është shtyrë për në datë 24 Korrik. Partia Demokratike pretendoi se ka patur parregullsi lidhur me procesverbalet por edhe me kodet e sigurise. Për këtë arsye, siç mëson gazetarja Danjela Maloku, gjykata kërkoi shpjegim të detajuar me shkrim nga KQZ me shkrim për të verifikuar pretendimin e demokratëve.

Ndërkohë, mbeten edhe dy qarqe për t’u shqyrtuar, Fieri dhe Elbasani, më datë 24 korrik. 

Ora 15:52
Kërkoi rinumërim të të gjitha kutive të votimit në Qarkun Durrës, Kolegji Zgjedhor ‘rrëzon’ Aulon Kalanë

Kolegji Zgjedhor ka pushuar çështjen e Aulon Kalasë. Trupa gjykuese nuk pranoi kërkesën e tij për rinumërim të gjithë kutive të votimit në qarkun e Durrësit.

Kandidati i opozitës, PD-ASHM për qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pretendoi në padinë e tij se po të numërohen të gjitha kutitë që nuk u hapën qëllimisht nga KAS dhe KQZ, duke fshirë të dhënat e vendimit që morën për 290 kuti dhe hapën vetëm 152 prej tyre, rezultati mund të sjellë ndryshim mandatesh brenda partisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?