Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngritur shqetësimin se persona të paautorizuar flasin në emër të saj dhe po kontaktojnë emigrantët për të kryer procesin e regjistrimit nëpër qendra fizike jashtë vendit. Kreu Ilirjan Celibashi e thekson se regjistrimi bëhet vetëm online.
“KQZ nuk ofron regjistrim në terren. Regjistrimi i votuesve nga jashtë kryhet vetëm nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ofruar dhe nuk ofron asnjë lloj ndihme apo mbështetje për regjistrimin në terren. E vetmja ndihmë dhe mbështetje për çdo votues nga jashtë ofrohet ekskluzivisht nga Qendra e Ndihmës pranë KQZ dhe vetëm përmes: Thirrjeve telefonike, mesazheve në WhatsApp, Chatbot-it, email-it zyrtar të KQZ. KQZ nuk ka autorizuar asnjë person tjetër që, në emër dhe për llogari të institucionit, të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë”, vijon Celibashi.
Celibashi bën thirrje që kushdo që përballet me persona që prezantohen si staf i KQZ-së, të kallëzohen.
“Kushdo që konstaton persona që prezantohen si përfaqësues të KQZ në ambiente të tjera, jashtë institucionit, duhet ta denoncojë menjëherë rastin pranë organit të prokurorisë. KQZ nuk ka autorizuar askënd tjetër që në emër dhe për llogari të këtij institucioni të angazhohet në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë, as për brenda vendit dhe më shumë akoma as për jashtë vendit", shkruan Celibashi.
Partitë kryesore janë shfaqur në qytete kryesore të Evropës ku ka shqiptarë, dhe kanë ngritur qendra për regjistrimin e diasporës.
Deri në mesditën e 9 shkurtit, online pranë KQZ-së kanë aplikuar më shumë se 140,669 Zgjedhës. 106 mijë votuesve nga diaspora iu është miratuar kërkesa, ndërsa 28 mijë të tjerëve u është refuzuar. Regjistrimi zgjat deri në 4 mars.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)
Ndofta duhet reformuar duke ndryshuar drejtuesit që mund te ken pasur ndikim partiak, por kurre shkrirja tij, pasi përben "Aset me vlera" ne luften kunder korrupsionit!
Përgjigju