Politikë

Zgjedhjet/ Kisha katolike: Mos votoni kandidatë me të kaluar të dyshimtë! Kush shet votën ka shitur dinjitetin e vet! Mesazhi përshëndetet nga Kim, Soreca, Rama, Meta dhe Celibashi

15 Prill 2021, 12:55| Përditesimi: 15 Prill 2021, 19:25

  • Share

Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare më 25 prill, Ipeshkvijtë e Kishës katolike tё Shqipërisë kërkojnë garantimin e votimeve të ndershme dhe transparente, si dhe të respektohet vota e çdo qytetari.

Sipas Kishës Katolike, zgjedhjet parlamentare janë shumë të rëndësishme, kur ato zhvillohen sipas parimeve demokratike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha forcave e aktorëve politikë.

Gjatë deklaratës Kisha Katolike, u shpreh se është nevojë urgjente që reforma në drejtësi aktualisht në letër, të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur.

Theksi u vu gjithashtu te forcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre përbën një detyrë primare për të zgjedhurit e ardhshëm në Parlament.

Gjatë deklaratës nuk është lënë pa përmendur edhe fenomeni i shitblerjes së votës, që sipas tyre çdo njeri i cili shet votën ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari.

“Ne urojmë që me datë 25 prill, secili ta ushtrojë të drejtën dhe detyrën e votës duke pasur parasysh të mirën e përbashkët, që është edhe qëllimi i çdo veprimtarie politike. Në të njëjtën kohë, i lutemi Zotit, që me ndërmjetësinë e Nënës së Këshillit të Mirë, t’i ndihmojë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për jetën e vendit.”, thuhet në fund.

Deklaratë e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021: 

Votimi për zgjedhjet e përfaqësuesve në Parlament, paraqet një mundësi konkrete për të shprehur pjesëmarrjen tonë në jetën demokratike të vendit. Sfida e çdo procesi zgjedhor është garantimi i zgjedhjeve të ndershme dhe transparente, në të cilat respektohet çdo votë dhe çdo votues, ashtu sikurse edhe rezultati final. Kisha Katolike i konsideron të rëndësishme zgjedhjet, kur ato zhvillohen sipas parimeve demokratike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha forcave e aktorëve politikë. Sikurse edhe në rastet e mëparshme, në vigjilje të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ne Ipeshkvijtë e Kishës katolike, në sajë të përgjegjësisë që kemi në udhëheqjen e popullit që na është besuar, dëshirojmë t’u drejtohemi të gjithë besimtarëve katolikë dhe njerëzve vullnetmirë.

Jemi të vetëdijshëm që të zgjedhurit e rinj do të ndodhen përballë sfidave të ndryshme. Fillimisht, pandemia e COVID-19-ës që vendi ynë po kalon. Një falenderim duhet t’ua japim të gjithë punonjësve të shëndetësisë: mjekëve, infermierëve, sanitareve dhe gjithë pjesës tjetër të personelit shëndetësor, si dhe familjarëve të të sëmurëve, të cilët ndonëse duke rrezikuar, kanë punuar ditë e natë përkrah tyre. Porse, nga ana tjetër, kërkohen strategji të mirëfillta psiko-sociale që të dalim faqebardhë nga kjo pandemi.

Në rrafshin politik, është urgjente që reforma në drejtësi, aktualisht në letër, të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur. Forcimi i mëtejshëm i institucioneve dhe efektiviteti i tyre, përbën një detyrë primare për të zgjedhurit e ardhshëm në Parlament.

Në rrafshin social, nuk mund të mos evidentojmë plagën e madhe të të rinjve dhe të familjeve të reja që po e braktisin Shqipërinë. Është e nevojshme një përkujdesje e veçantë ndaj të gjitha zonave të vendit, nga Veriu në Jug, në zonat rurale e në zonat urbane, ku shpeshherë vërehen situata ekstreme varfërie, mungesë infrastrukture dhe shërbimesh të domosdoshme, sidomos rrugë e shërbime shëndetësore.

Më pas, na shqetëson niveli i mësimdhënies në shumë zona të vendit si dhe kushtet e jetesës në disa fasha të popullatës. Shumë familje akoma po vuajnë pasojat e tërmetit të vitit 2019 një prioritet me siguri se duhet të jetë rindërtimi, që ka nevojë të përparojë me ritme akoma më të shpejta.

Shqipëria mund të ketë një të ardhme të mirë nëse angazhohemi të gjithë së bashku, qytetarët e politika aktive.

Nevojitet një angazhim i të gjithëve për të eliminuar korrupsionin, që sikurse e kanë nënvizuar edhe në ditët e kaluara institucionet ndërkombëtare, mbetet sërish një grackë e rrezikshme në institucionet dhe në shoqërinë tonë në përgjithësi.

Një tjetër sfidë, me gjithë hapat e bërë përpara në 30 vitet e fundit, mbetet integrimi europian i Shqipërisë.

Në vigjilje të zgjedhjeve, pra ne, Udhëheqësit Shpirtëror, do donim para së gjithash t’i ftonim të gjithë të merrnin pjesë në këtë moment të jetës demokratike të vendit. Sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës, është një detyrë dhe një e drejtë e çdo qytetari për ta ushtruar sipas ligjeve në fuqi dhe me liri të plotë. Prandaj, pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë.

Së dyti, ashtu sikurse e kemi ritheksuar edhe në deklarata të mëparshme, fenomeni i shitblerjes së votës është një plagë e madhe që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast. Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Po ashtu, kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet. E papranueshme më pas është fakti që, bashkëngjitur shitblerjes së votës, i shtohet edhe betimi në librat e shenjtë. Gjithashtu është e papranueshme që votimi të vijë nën formën e kërcënimit ose pas premtimeve të vendit të punës. Puna është fryt i meritokracisë dhe jo i partitizmit ose kahjes partiake.

Si ipeshkvij, nuk na duket e rastit të votohen ata kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Integriteti moral duhet të jetë një conditio sine qua non, që zgjedhësi të mund të zgjedhë në liri dhe në qetësi.

Ne urojmë që me datë 25 prill, secili ta ushtrojë të drejtën dhe detyrën e votës duke pasur parasysh të mirën e përbashkët, që është edhe qëllimi i çdo veprimtarie politike. Në të njëjtën kohë, i lutemi Zotit, që me ndërmjetësinë e Nënës së Këshillit të Mirë, t’i ndihmojë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për jetën e vendit.

Dhënë nga Selia e Konferencës Ipeshkvore më 15 prill 2021

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë

Ora 19:23
Celibashi për apelin e Kishës Katolike: Shitblerja e votës cenon vullnetin e lirë të qytetarëve

1617617151_1617614964celibashi3.jpg

Apelit kundër shitblerjes së votave të bërë sot nga Kisha Katolike në Shqipëri i është bashkaur edhe Kryekomisioneri për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi.

"I bashkohem apelit të  Ipeshkvijnjve të Kishës katolike tё Shqipërisë dhe Dom Gjergjit kundër shitblerjes së votës dhe praktikave negative që cenojnë shprehjen e vullnetit të lirë të qytetarëve.  Qytetarë, merrni pjesë, shprehni vullnetin TUAJ të lirë dhe të pandikuar. VOTONI", shkruan ai.

Ora 19:19
Soreca shpërndan mesazhin e kishës katolike: Me 25 prill shqiptarët të votojnë duke pasur parasysh të mirën e përbashkët

1617280776_coversoreca2.jpg

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca ka shpërndarë mesazhin e Ipeshkëvit Dom Gjergj Meta në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit, teksa i kërkon shqiptarëve të mos shesin votën dhe i bën thirrje institucioneve për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt zgjedhor.

Përmes një mesazhi në Twitter, Soreca shkruan se shpreson se më 25 Prill të gjithë do të ushtrojnë detyrën e votës për të mirën e përbashkët.

“Është shpresa jonë që më 25 Prill të gjithë të ushtrojnë të drejtën dhe detyrën e tyre për të votuar duke pasur parasysh të mirën e përbashkët, e cila është gjithashtu qëllimi i çdo aktiviteti politik”, shkruan Soreca në Twitter.

Ora 19:15
Rama: Të shesësh votën është mëkat, dhe po aq mëkat është ta blesh

 

Kryeministri Edi Rama tha nga Shkodra se mbështet qëndrimet e ambasadores amerikane Yuri Kim, dhe të autoriteteve të Kishës Katolike, sa i përket fenomenit të shitblerjes së votës. Rama tha se të shesësh votën mëkat, po aq mëkat edhe ta blesh.

‘Unë jam shumë dakord me deklaratën e ambasadores amerikane këtu qoftë edhe me autoritete Kishës Katolike, që adresuan një plagë shumë të madhe këtu për shitblerjen e votës. Të shesësh votën është mëkat, po aq mëkat edhe ta blesh!’- tha Rama.

Ora 19:11
Ilir Meta përshëndet mesazhin e Kishës Katolike:  Ndëshkoni ata që duan të blejnë votën, e kanë vendin në burg

1618392860_ilirmeta600x360.jpeg

Mesazhit të Kishës Katolike paraditen e sotme i është bashkuar edhe Presidenti Ilir Meta. Përmes një njoftimi Meta apelon që kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg.

"E përshëndes mesazhin e fuqishëm dhe frymëzues të Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë, që inkurajon pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhjet historike të 25 prillit, një e drejtë dhe detyrim moral ndaj momentit më të rëndësishëm të jetës demokratike dhe së ardhmes evropiane të Shqipërisë. I bëj gjithashtu jehonë thirrjes së tyre për të mos rënë në grackën e kujtdo, që kërkon t’i trajtojë qytetarët shqiptarë si plaçkë, që shitet e blihet por të votoni me vullnet të lirë dhe për ata kandidatë, të cilët duhet ta meritojnë besimin tuaj!  Kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg", thuhet në mesazhin e Metës. 

Ora 16:02
Yuri Kim shpërndan ‘mesazhin e fuqishëm të ipeshkve katolikë’: Kush e shet votën ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes

1617459735_websiteKim1.jpg

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka shpërndarë në mediat sociale, mesazhin e peshkopëve katolikë, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit, të cilët vinin theksin te shitblerja e votës.

‘Mesazhi i fuqishëm i peshkopëve katolikë: Shitblerja e votës është plagë e madhe! Kush e shet votën ka shitur dinjitetin e vet & atë të familjes. Kush e blen votën duke përfituar nga varfëria e votuesve nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon.”’- shkruan Yuri Kim në Twitter.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?