Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të enjten, 6 shkurt 2025, se ka nisur një hetim pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet se është përfshirë në transportimin e kundërligjshëm të votave me postë të mërgimtarëve, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
“Prokurori i shtetit ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”, tha Prokuroria në një njoftim për media.
Gazeta “InFokus” raportoi ditën e njëjtë se Berishaj kishte tërhequr zarfe me vota nga posta dhe i kishte dorëzuar ato në Ambasadën e Kosovës në Kroaci, misionin diplomatik që e udhëheq.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni është duke vlerësuar nëse tërheqja e pakove është bërë në përputhje me ligjin.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, tha ai.
Sipas KQZ-së, tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Ajo tha se MPJD-ja ka siguruar automjetet transportuese, të cilat do të drejtohen nga zyrtarët e saj.
MPJD-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me hetimin ndaj Berishajt.
Më 9 janar filloi votimi me postë për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat mbahen më 9 shkurt.
Nga 104.924 votues që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Pra, 67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Sipas regjistrimit të popullsisë, në diasporë jetojnë rreth 550 mijë kosovarë./ REL
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)