Politikë

Rama takim me të rinjtë në Belsh: Mos nënvlerësoni rëndësinë e votës, jeni faktor kryesor në procesin demokratik! Kapërceni 'zhgarravinat' e ekraneve dhe rrjeteve sociale

24 Prill, 15:08| Përditesimi: 24 Prill, 17:03

  • Share

Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një takim me të rinj dhe të reja të Belshit në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, ku u bëri thirrje që të mos nënvlerësojnë rëndësinë e votës së tyre në proceset zgjedhore, dhe veçanërisht më 11 maj.

"Populli është faktori kryesor në procesin demokratik kur i vjen dita për të votuar. Ju duhet ta vlerësoni rëndësinë që ka pjesëmarrja. Unë shumë vite më parë kam pasur një diskutim me dikë që më ka ndryshuar qasjen time ndaj votës. Kur i kam thënë dikujt që nuk kisha ndërmend të votoja, më tha diçka që më ka tronditur. Më tha: “Si mund ta thuash ti këtë, si mundesh ti të jesh indiferent ndaj miliona e miliona njerëzve në botë që do ëndërronin ta kishin mundësinë të votonin dhe nuk e kanë? Si mundesh ti që del nga një sistem që nuk ka pas demokraci të fyesh ata që kanë vdekur pa mundur të votojnë ndonjëherë, që e kanë pasur dëshirën për të votuar, të atillë që kanë përfunduar nëpër burgje?”,-tha Rama.

Kryesocialisti u kërkoi të rinjve që të jenë më vigjilentë për ngjarjet dhe zhvillimet rretherrotull dhe të mos bazohen në pasqyrimin e mediave dhe rrjeteve sociale, që sipas tij, përthyejnë realitetin.

“Ajo që duhet të kapërcejmë, ajo që ju duhet të kapërceni, është hendeku i madh mes jush aty ku jeni dhe Shqipërisë reale në tërësi, sepse mes jush dhe Shqipërisë reale është vendosur një mur i madh me zhgaravina, të ekraneve, portaleve e rrjeteve sociale, ku duhet të kesh shumë durim të gjesh gjërat që lidhen me gjërat reale, jetën reale.

Sot një pjesë e popullsisë që ushqehet me ato zhgaravina, mendon se sot në Shqipëri nuk ka ujë akoma, se uji është sfidë e madhe e kudondodhur, aq e vërtetë është kjo sa po të shikoni kur komentojnë, janë jashtë Shqipërisë reale, ose për spitale, janë të njerëzve që nuk kanë shkuar pej kohësh në spitale shyqyr Zotit, por kanë kujtime të hershme nga ato spitale",-tha Rama.

Rama konkretizoi me shifra para të rinjve përfitimet ekonomike që Shqipëria ka nëse arrin të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por theksoi se puna për mbylljen e negociatave brenda 2027 duhet të vazhdojë me ritëm të lartë, pasi "dera e hapur" nga Unioni, mund të mbyllet dhe mundësia të largohet me vite.

“Por edhe të tjerat janë të rëndësishme, nga arsimi, ekonomia, programet për rininë, punësimin etj., e nëse janë të rëndësishme, nëse janë Europiane, përqafojini ato, sepse me BE-në marrim mbështetjen financiare dhe na duhet ajo mbështetje financiare për këto programe që u folën. Ju jeni përfituesit, nuk jeni kontribuuesit në atë familje, ajo familje europiane kontribuon financiarisht për ne, vendet e fuqishme të asaj familje kanë një arkë të vetën, ajo familje ka arkën e vetë, ku edhe na ndihmojnë ne. Kontribuesit fusin më shumë, përfituesit tërheqin më shumë. E përkthyer në terma financiar, e kjo është shifra e fundit që them, deri tani nga BE si mbështetje në total kemi marrë 1 mld euro, por me futjen në atë shtëpi të BE, do të marrim 1 mld euro ndihmë çdo vit”,-tha Rama.

Lajmi në përditësim...

Ora 16:11
‘E dika ajo që qenka objekt i shikimit tënd... a s’është ajo? Epo...!’ Rama e mbyll po me batutë me të riun dhe apelon: Hyrja në BE amanet i të parëve, do marrim 1 mld euro çdo vit

Kryesocialisti Edi Rama i shpjegoi të rinjve edhe përfitimet ekonomike që ka Shqipëria me anëtarësimin në BE.

Janë 1 mld euro investime ku 90% janë ndihmë pa të drejtë kthimi, që do merren çdo vit, ndërkohë që në të gjitha këto vite së bashku është përfituar në total 1 mld euro dhe ku 90% e tyre janë borxh me interesa, që duhen kthyer pas.

Kreu i mazhorancës e argumentoi me një vajzë të vogël që gjendej në takim dhe që nuk mund të votonte për shkak të moshës, por që ai e cilësoi si përfituese nga të rinjtë e rritur që votojnë dhe që janë kontribuuesit, duke e paralelizuar këtë histori me mënyrën se si funksion edhe familja e BE-së.

“Dhe për ta sqaruar, këto 1 mld deri tani janë pjesa më e madhe borxh, me interesa të ulëta por borxh. Kurse me ato që do marrim, 90 % janë të falura, janë si përfitues nga ajo familje. Futja në BE është detyrim, është amanet i të parëve tanë historikë. Ja, është një e vogël aty, ajo nuk voton dot, ju keni detyrim edhe për atë, që kur të rritet të jetë pjesë e Europës. Pra ju jeni kontribuues që të përfitojë ajo në të ardhmen”.

Kryeministri e mbylli fjalën e tij me një batutë përsëri me të riun që kishte ngacmuar më herët si “zogu që po i fliste zoçkës dhe po ia prishte mendjen”.

“Na fal edhe ti, se të ndoqa dhe s’e di a bërë sikur s’dëgjove, apo dëgjove, por tani je i lirë, mund të bësh çfarë të duash! Do Zoti të është futur ndonjë gjë në kokë nga të gjitha këto, se pashë se mua më shifshe por mendjen e kishte te dikush që ke aty afër! Ajo e ktheu kokën se e kuptoi, e dika ajo që qenka objekt i shikimit tat! Jo, mos ma bëj, apo s’është ajo, është ajo shoqja e vetë aty, aaaa... zgjidheni vetë këtë!”.

 Kryeministri shpjegoi edhe ëndrrën historike të Europës, që nga koha e Skënderbeut, si një amanet i të parëve për ta futur vendin në BE dhe kjo ishte koha e duhur.

Ai theksoi se Europës i duhemi tani për shkak të situatës gjeopolitike dhe se dera mund të mbyllej më pas, pasi tani situata e luftës dhe problematika me NATO-n e bëjnë të nevojshëm anëtarësimin e Shqipërisë.

“Skënderbeu përcolli profecinë se Shqipëria i përket Europës dhe jo Azisë. Dhe u përcoll e u përcoll deri në ditët e sotme, kur Shqipëria ka mundësinë për të marrë statusin e dinjitetit të barabartë me të gjithë europianët, që nuk e kanë pasur shqiptarët. Prindërit tuaj nuk ua kanë treguar të gjitha, por mund t’ua tregojnë, sikurse të gjithë ata që kanë shkuar në emigracion, sesa kanë vuajtur. Ajo që dua të them është që të kapni këtë mundësi për të hyrë në BE dhe që të jeni të barabartë me ta, të pretendoni dhe të merrni respekt, askush të mos ju kërcënojë e t’ju thotë jo po jeni të huaj ju.

Se kështu merrni pasaportën europiane, se për të shkuar në BE vini edhe me pasaportën që keni dhe nuk jeni të barabartë me europianët. Europa tani po merret me armë, me luftë, se deri tani ia kishte lënë NATO-s, por tani i duhet të jetë vetë, situata nuk është më e njëjta si më parë. Të tjerët që dalin edhe në mexhelis, duhen lënë në fatin e tyre, por ju duhet ta merrni në dorë fatin tuaj dhe me zemër nuk duhet ta lini të kalojë”, u shpreh kreu i mazhorancës.

Ai shpjegoi se programet e rinisë do realizoheshin më shumë nëse kjo gjeneratë votonte për BE-në më 11 maj, duke dhënë edhe terma ekonomikë.

“Por edhe të tjerat janë të rëndësishme, nga arsimi, ekonomia, programet për rininë, punësimin etj., e nëse janë të rëndësishme, nëse janë Europiane, përqafojini ato, sepse me BE-në marrim mbështetjen financiare dhe na duhet ajo mbështetje financiare për këto programe që u folën. Ju jeni përfituesit, nuk jeni kontribuuesit në atë familje, ajo familje europiane kontribuon financiarisht për ne, vendet e fuqishme të asaj familje kanë një arkë të vetën, ajo familje ka arkën e vetë, ku edhe na ndihmojnë ne. Kontribuesit fusin më shumë, përfituesit tërheqin më shumë. E përkthyer në terma financiar, e kjo është shifra e fundit që them, deri tani nga BE si mbështetje në total kemi marrë 1 mld euro, por me futjen në atë shtëpi të BE, do të marrim 1 mld euro ndihmë çdo vit”, përfundoi ai shpjegimin ekonomik të integrimit në familjen europiane.

Ora 15:46
Rama të rinjve: Hendeku i madh me zhgaravina ekranesh, portalesh e rrjetesh sociale s’ju lë të shihni realitetin! Më 11 maj nuk votoni për PS e mua, por për Shqipërinë në BE

 

Kryesocialisti Edi Rama theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në BE para të rinjve në Belsh, duke u kujtuar se gjenerata e tyre ndodhet në një moment historik që mbase nuk përsëritet më.

Ai u tha të rinjve socialistë dhe shqiptarëve se më 11 maj nuk votojnë as PS-në, as Ramën dhe as kandidatët socialistë, por votojnë për Shqipërinë drejt BE-së, pasi momenti është po aq i rëndësishëm sa i vitit 1990.

Rama kritikoi edhe gjendjen aktuale të medias dhe rrjeteve sociale, që e cilësoi një “hendek me zhgaravina” që e pengon rininë të shohë realitetin.

“Ajo që duhet të kapërcejmë, ajo që ju duhet të kapërceni, është hendeku i madh mes jush aty ku jeni dhe Shqipërisë reale në tërësi, sepse mes jush dhe Shqipërisë reale është vendosur një mur i madh me zhgaravina, të ekraneve, portaleve e rrjeteve sociale, ku duhet të kesh shumë durim të gjesh gjërat që lidhen me gjërat reale, jetën reale.

Sot një pjesë e popullsisë që ushqehet me ato zhgaravina, mendon se sot në Shqipëri nuk ka ujë akoma, se uji është sfidë e madhe e kudondodhur, aq e vërtetë është kjo sa po të shikoni kur komentojnë, janë jashtë Shqipërisë reale, ose për spitale, janë të njerëzve që nuk kanë shkuar pej kohësh në spitale shyqyr Zotit, por kanë kujtime të hershme nga ato spitale. Edhe këtu ku jemi, ka ujë 24 orë, madje në 18 fshatra rreth e rrotull ka 24 orë ujë, ka mbetur vetëm faza e fundit, kemi kryebashkiakun e Cërrikut aty, 90% e Cërrikut me gjithë fshatrat kanë ujë 24 orë ujë. Pse e them këtë, se është sfidë në masën më të madhe dhe që vazhdon në krahun tjetër dhe ne vazhdojmë punën. Disa thonë se si vazhdohet me ndërtimin e rrugëve sot, sepse ata janë ende në të shkuarën, se nuk ka më të verbër se i verbëri se i verbri që nuk ka sy të shikojë dhe më shurdh sesa shurdhi që ka vesh e nuk dëgjon, apo njeriu që për shkak të tifozllikut politik humbet sensin e arsyes dhe nuk arrin dot të ndajë sensin e dijes dhe dritës, këtu ka dritë dhe kaq”, tha ai.

Dhe më tej shpjegoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit:

“Nëse gjenerata e vitit 90-të bëri një kapërcim historik nga një sistem në tjetrin, ju keni fatin që të bëni një hap tjetër të madh, nga Shqipëria në Europë, në Shqipërinë në BE, si gjeneratë që e keni këtë fat.

Për ju në këtë rast, e dëgjuat kur tha se paguante tarifa më të larta si student në krahasim me ata europianët. Sepse nëse hyni në BE, nuk jeni më thjesht qytetarë të Shqipërisë, apo europianë që jeni lindur e rritur në mes të Europës, por që nuk hyni dot në BE pa kontrolle, e kur hyni jeni të huaj, kurse kur qëndroni atje kërkoni azil, si njerëz që ikin kushedi pse e të tillë numëroheni. Kurse në BE mund të lëvizni ku të doni, të jetoni ku të doni, të punoni ku të doni dhe ku jetoni në perimetër më të madh”, tha ai mes të tjerash.

Ora 15:40
‘Zogu më dëgjon, zemra a më ndjek...?!’ Rama batuta me të riun e ‘hallakatur’: S’e kishte mendjen se po dëgjonte çfarë po i thoshte zoçka! Vota e 11 majit është historike

 

Kryesocialisti Edi Rama pati një tjetër moment pikant, apo “sy të keq” e “hudhër” siç i pëlqen t’i quajë gjatë fjalimeve të tij.

Teksa fliste para të rinjve socialistë në zonën e Belshit, ai i tërhoqi vëmendjen një të riu përballë që nuk e kishte mendjen.

Rama iu drejtua si “zogu”, duke i kujtuar se nuk e kishte mendjen se “po i fliste një zoçke aty pranë”.

Kryeministri vuri theksin te gjenerata e re që ka fatin historik për një ngjarje të madhe, si anëtarësimi i Shqipërisë në BE, një ëndërr e prindërve dhe gjyshërve të tyre.

“Kisha dëshirë të takohesha me ju, jeni pararoja këtu, që punoni me PS-në, punoni çdo ditë mesazhin tonë dhe për të arritur më 11 maj për një fitore, jo për mua, apo deputetët e qeverinë, por fitore të rëndësishme për të përmbushur një mision historik, që nuk është i yni, por pjesë e të cilës jemi, i gjeneratave të tëra.

Zemra më dëgjon, zogu, më ndjek, më dëgjon? Tani po... Ka dhe momente të tilla kur unë i them zogu sepse ai po dëgjonte çfarë po i thoshte zoçka. Por është e rëndësishme që zogjsht dhe zockat të jenë së bashku, sepse ka rëndësi për gjeneratën tuaj”, tha Rama para të rinjve.

Më tej ai shpjegoi edhe momentin historik të zgjedhjeve të 11 majit, teksa iu drejtua përsëri të riut të cilit i kishte tërhequr vëmendjen më parë nëse e kuptonte diskursin politik që kryesocialisti po ligjëronte.

“Prindërit tuaj, gjyshërit tuaj, stërgjyshërit tuaj dhe fusni ç’të doni në historinë tuaj, flas për zemrën, e kanë të pamundur ta gjejnë, e kupton ti? Unë të shof ty, ti shef andej! Është gjë shumë serioze, nuk ka më serioze se kjo, s’të vjen çdo ditë, çdo vit, një histori si kjo që po i vjen vendit tënde”, vijoi Rama.

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?