Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian ka organizuar ditën e sotme një seancë dëgjimore për Shqipërinë lidhur me zgjedhjet dhe klimën parazgjedhore.
Seanca është mbajtur me kërkesë të EPP-së (Partive Popullore Europiane) e cila ka kërkuar të informohet mbi situatën në vend përmes përfaqësueseve të shoqërisë civile dhe botës akademike.
Me kërkesë të Parlamentit Europian dërguar dy partive zyrtare në Shqipëri, përfaqësues të palëve kanë qenë dy përfaqësues pa funksion zyrtar në parlament apo në qeveri.
Zëri i opozitës në këtë seancë ka qenë Artan Hoxha me mjaft kritika mbi mënyrën e përgatitjes së zgjedhjeve.
“Përpara zgjedhjeve 2021 procesi i integrimit në BE ishte pezull, vende të ndryshme kishin shprehur shqetësime serioze për zhvillimet në Shqipëri, për shembull Bundestagu gjerman vendosi 15 kushtëzime për hapjen e negociatave, ndër të tjera, duke inkurajuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ato të vitit 2021 nuk ishin aspak, as të lira dhe as të drejta. Më vjen shumë keq t'ju them sot se zgjedhjet e vitit 2025 do të jenë shumë më keq në krahasim me 2021.”-ka thënë Hoxha.
Ndërsa nga Grupi politik i socialistëve dhe demokratëve (S&D) është kërkuar të ketë edhe një tjetër folës për të balancuar diskutimet, Gledis Gjipali i cili e ka konsideruar një klimë përgjithësisht të qetë.
“Situata në Shqipëri tani që jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare ka qenë në përgjithësi e qetë. Ndryshe nga zgjedhjet e tjera ku ne kemi parë shumë kërcënime për bojkot apo ankesa për organizimin e zgjedhjeve. Mazhoranca, PS, po kërkon mandatin e 4 dhe po garon mbi premtimin për vazhdimin e reformave dhe bërjen gati të vendit për përfundimin e negociatave në 2027”, deklaroi Gledis Gjipali.
I pranishëm ka qenë edhe raportuesi për Shqipërinë i cili në kundërpërgjigje të shqetësimeve që ka ngritur Hoxha ka thënë se situata është përgjithësisht e mirë duke marrë shkas nga vizita e fundit qe ka bërë në Tiranë.
Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian ka diskutuar sot për procesin e përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kërkesa për seancën dëgjimore në Parlamentin Evropian u bë nga eurodeputetët e krahut të djathtë, pjesë e grupit të Partive Popullore Europiane, ndërsa përfaqësues të institucioneve europiane raportuan për përgatitjet e qeverisë shqiptare për të siguruar më 11 maj, zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Komente
