Në Urdhrin e Psikologut të Shqipërisë rikthehet sërish ‘telenovela’ me postin e Presidentit. Pas një procesi zgjedhor të së enjtes së 5 qershorit, që nxori fituese Brunilda Laboviti me 238 vota kundrejt kandidates tjetër Elona Mustafaraj, e cila ka marrë 140 vota, ende nuk ka rokadë në zyrë.
Presidentja në detyrë Valbona Treska, të cilët i ka përfunduar prej muajsh mandati, nuk pranon që të lirojë zyrën. Laboviti është paraqitur sot për të shkuar në zyrë si presidentja e re, por është përballur me rezistencë nga Treska.
Kjo e fundit, e kontaktuar nga Report Tv, thotë se ende nuk ka përfunduar procesi ligjërisht, procedura të cilat ajo është e detyruar t’i respektojë. Sipas Treskës do ta lirojë zyrën pasi procesi zgjedhor të jetë certifikuar sipas rregullave pas përfundimit të afatit të ankimimit.
“Në momentin që përfundon mandati, kalimi nga një drejtues te një drejtues tjetër bëhet duke respektuar procedurën. Siç kemi bërë në zgjedhjet e mëparshme”, thotë ajo.
Nga ana tjetër presidentja e zgjedhur të enjten, Laboviti ka kërkuar edhe ndërhyrjen e policisë, duke thënë se nuk po lejohet që të marrë detyrën e re.
Sa i përket kandidates tjetër, sekretares së Përgjithshme në detyrë, Mustafaraj, ajo ende nuk ka ngritur një pretendim për zgjedhjet. Vetë Mustafaraj por edhe presidentja në ikje Treska thonë se do ta njoftojnë mediat përmes një deklarate zyrtare për masat në vijim.
Komente
