Politikë

Zgjedhjet për Tiranën/ Deputeti Korreshi: Duhet kandidat gjithëpërfshirës! Nëse Begaj i dekreton do jenë të paligjshme, por PD do të futet në garë (VIDEO)

1 Tetor, 13:34| Përditesimi: 1 Tetor, 14:05

  • Share

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është i bindur që opozita duhet të zgjedhje një kandidat të përbashkët dhe gjithëpërfshirës për të garuar për zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë së Tiranës.

Në një intervistë në Report Tv për emisionin “Sot Live në Shqipëri”, deputeti Korreshi u shpreh se skepticizmi që ekziston mes disa kandidatëve është normal për shkak edhe të vetë situatës, pasi janë zgjedhje të pjesshme dhe në rast fitoreje do të qëndrojë në detyrë vetëm disa muaj.

Në këtë aspekt përfshihet edhe fakti që zakonisht zgjedhjet e pjesshme i fiton gjithmonë partia që ka fituar ato të përgjithshme, e që në rastin konkret është Partia Socialiste.

“Pas humbjeve ka një lloj skepticizmi të gjithë kandidatvëe sepse koha ka treguar që zgjedhjet e pjesshme ose zgjedhjet për bashki pas zgjedhjeve qëndrore i ka fituar përherë partia që ka fituar zgjedhjet. Ka dhe një mangësi tjetër që po presim Gjykatën Kushtetuese, diku nga shkurti, i bie që kandidati do jetë vetëm për 8 muaj sepse pastaj do nisë prapë fushata. Më tepër do bëjë gara se sa do jetë aty për të punuar për Tiranën”.

Kandidati i opozitës, shprehet deputeti Korreshi, duhet të jetë një figurë gjithëpërfshirëse me profil pozitiv për publikun. Sa i përket kandidates së mazhorancës, Ogerta Manastirliu, Saimir Korreshi u shpreh se votat për të i merr partia, ndërsa si figurë tha se është më pozitive edhe roja i selisë së PD.

“Unë jam për një kandidat gjithëpërfshirës. Tirana tashmë ka disa përzierje popullise, nga të gjithë trevat e Shqipërisë dhe nuk është që domosdoshmërisht duhet të jetë nga Tirana. Unë jam i binduar që duhet të jetë nga Tirana. Sot është më e nevojshme bashkimi i opozitës se sa të nxjerrë një kandidat të radhës. Është marrë shumë seriozisht që bashkohen të gjitha ato partitë që nuk bëjnë pjesë në qeveri. Do ishte më e udhës një personazh që e bën gjithëpërfshirës, i dashur nga publiku, që nuk ka një të shkuar në kurriz. Edhe roja i PD po ta vësh sot është shumë herë më lart se Manastirliu. A merr vota? I merr partia nuk i merr Manastirliu”.

Sa i përket emrave që qarkullojnë për një kandidat të opozitës, të tillë si Ermal Hasimja apo Edlira Çepani, deputeti Saimir Korreshi u shpreh se janë profile të respektuara publikisht, megjithatë duhet të pritet procesi deri në fund.

“Janë njerëz që kanë profil të mirë publik, gëzojnë respekt. Duhet parë deri në fund. Duhet të gjejmë një njeri që të gëzojë simpatinë e gjithë partive të tjera”.

Për Bashkinë e Tiranës nuk ka ende një datë për zgjedhjet e parakohshme. Këshilli i Ministrave ia ka dërguar vakancën Presidentit për të dekretuar shpalljen e zgjedhjeve, por kreu i shtetit nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim. Ndërkohë nga ana tjetër, Erion Veliaj e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese shkarkimin e tij nga detyra dhe i gjithë procesi pezullohet deri në një vendimmarrje të GJK.

Ora 14:00
Korreshi: Nëse Presidenti dekreton zgjedhjet për Tiranën do jetë e paligjshme, por PD do futet në garë

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, thotë se nëse Presidenti Bajram Begaj dekreton zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës në këtë moment që Erion Veliaj e ka dërguar në Kushtetuese shkarkimin e tij si kryebashkiak, do të jenë të paligjshme.

E megjithatë, Korreshi u shpreh se edhe nëse kjo ndodh, Partia Demokratike do të futet në zgjedhje e parakohshme për Bashkinë e Tiranës.

Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, Korreshi theksoi se në momentin që Veliaj e ka dërguar në Kushtetuese shkarkimin e tij, atëherë çdo veprim tjetër pezullohet deri në një vendimmarrje të gjykatës.

“Automatikisht me kryerjen e ankimimit, pezullohet menjëherë etapa. Gjykata Kushtetuese ka një afat 4-mujor për shqyrtimin e ankimimit dhe pas vendimmarrjes do të kemi apo jo shpallje të zgjedhjeve të parakohshme. Presidenti i Republikës nuk mund ta ulë fare...Sa herë që vete Rama atje mbaron fare, bie telef.

Për gjykimin tim do kemi zgjedhje të paligjshme. Një shkelje për të cilën nxit që të kërkohet dhe shkarkimi i Presidentit të Republikës.

Neni 115, pika 2 e Kushtetutës thotë që çdo vendim i Këshillit të Ministrave pezullohet në mënyrë që të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Mendoj që duhet të garojmë edhe nëse i dekreton zgjedhjet presidenti. Vetëm në Shqipëri ndodh, por ja që duhet të jemi atje dhe duhet të garojmë me një kandidat të denjë. Pavarësisht çdo gjëje ne duhet të jemi gati që të përfaqësojmë jo vetëm PD-në, por është pjesa gri që nuk merr pjesë dhe ndoshta me ardhjen e një kandidature jashtë militantizmit politik, ndoshta do kemi dhe karrikimin e këtyre njerëzve”, u shpreh Korreshi.

Teksa Partia Socialiste ka përzgjedhur Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës, opozita vijon negociatat me partitë aleate përmes një grupi pune që të gjejë një kandidat të përbashkët.

Ora 13:45
Berisha kandidat për Bashkinë Tiranë? Saimir Korreshi: Vetëm nëse kandidon edhe Edi Rama

 

Ish-deputeti demokrat Dash Sula, në një intervistë televizive tha se opozita duhet të nxjerrë kandidat Sali Berishën për Bashkinë e Tiranës.

Por deputeti demokrat Saimir Korreshi, në një intervistë për emisionin Sot Live në Shqipëri në Report Tv, është kundër kësaj ideje.

Sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm nëse përballë tij për Bashkinë e Tiranës kandidon Edi Rama.

“Dashin e kam shok e mik, mos më bëj të flas për Dashin. Për mua Sali Berisha nuk mundet një kryetar partie, me atë çka përfaqëson, të garojë. Por të ishte Edi Rama, po mund të ishte edhe Sali Berisha. Unë di që kandidon Manastirliu, kështu që mos ta ulim funksionin. Unë mendoj që ne na duhet një kandidat jo për të bërë emisione televizive, por që realisht duhet për Tiranën”.

Korreshi pranoi se kandidatët e pakicës kanë skepticizëm edhe për faktin se Partia Demokratike ka vite tashmë në opozitë, por gjithashtu edhe se vetë partia nuk është reformuar dhe nuk është mbledhje për të angazhuar strukturat. Për këtë, thotë Korreshi, ka ndikuar edhe denoncimi, sipas opozitës, i abuzimeve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Ata që kanë aderuar te PD shikohen sikur të jenë kulakë. Nuk është bërë mbledhje. Nuk është bërë asgjë për të karrikuar strukturat. Duhet të ishte bërë por nuk ka pasur shumë kohë. Më tepër jemi marrë me denoncimin e farsës elektorale, asaj që ne kemi denoncuar. 2021 me 2025 nuk ngjajnë fare, se si i gjithë pushteti është futur në sulm për ta marrë”, tha Korreshi.   

V.GJ /I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen, si e vlerësoni?