Zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin konkuruese dhe të qeta. Kështu vlerësohen në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që u prezantua këtë të hënë në Strasburg. Raporti, i prezantuar nga anëtarja Maria Luz Martinez Seijo në emër të kreut të delegacionit Simony Bili, vlerëson organizimin dhe përparimin pozitiv në aspektin teknik dhe institucional, si dhe votën e diasporës.
Megjithatë, në raport thuhet se sfondi politik ishte i polarizuar dhe nuk munduan ankesat për intimidime. Raporti evidenton nevojën për përmirësim në disa aspekte si depolitizimi i administratës zgjedhore, masat kundër blerjes së votës dhe rritja e aksesueshmërisë për personave me aftësi të kufizuara në qendrat e votimit.
"Delegacioni arriti në përfundimin se zgjedhjet ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale. Megjithatë, sfondi politik ishte shumë i polarizuar. Kandidatët nuk konkurronin në kushte të barabarta dhe, megjithëse shumica prej tyre ishin të lirë të bënin fushatë, disa u ankuan për intimidim.", tha Seijo, duke shtuar se mediat sociale krijuan një diskurs përçarës pasi nuk ka edhe një institucion mbikëqyrës të tyre.
Raporti vlerëson votën e diasporës duke e cilësuar si një arritje të rëndësishme dhe që u mirëprit nga emigrantët. Votimi elektronik, i aplikuar në njësinë 10 dhe në bashkinë e Vorës, vlerësohet gjithashtu, por vihet theksi edhe te fakti se disa votues nuk ishin të familjarizuar me sistemin dhe komisionerët nuk ishin të trajtuar mjaftueshëm.
"U raportuan edhe raste intimidimi dhe ndërhyrjeje nga vëzhguesit e partive, shkelje të të drejtës për fshehtësinë e votës, si dhe mungesë të aksesit për persona me aftësi të kufizuara. Më shumë se gjysma e qendrave që vëzhguam nuk ishin të aksesueshme për këtë kategori", tha Seijo.
Përveçse në parlamentin shqiptar, pretendimet e opozitës për farsën elektorale më 11 maj gjetën zë edhe në Strasburg gjatë prezantimit të raportit për Shqipërinë. Në emër të PD, deputetja Albana Vokshi tha se zgjedhjet u ndikuan nga krimi, ndërsa akuzoi se u përdorën 402 mln euro fonde publike për të blerë vota e për të manipuluar rezultatin e 11 majit.
“402 milionë euro fonde publike u keqpërdorën për blerjen e votës dhe manipulimin e rezultateve. 100 euro bonuse për 750,000 pensionistë, 42% e votuesve. 200 milionë euro gjoba të falura vetëm dy ditë para zgjedhjeve. Vendet e punës, subvencionet dhe aktivitetet e profilit të lartë u kthyen në mjete për më shumë vota”, tha Vokshi.
Përgënjeshtrimin për përdorimin e administratës dhe burimeve shtetërore në emër të qeverisë e bëri deputetja Etilda Gjonaj, e shqetësuar që dezinformatat e opozitës sipas saj kishin gjetur vend edhe në raport.
“Shprehim shqetësime lidhur me disa pretendime në raport mbi keqpërdorimin e burimeve administrative, presionin mbi votuesit dhe frikësimin. Këto pretendime, të cilat duket se bazohen kryesisht në dezinformata me motiv politik nga opozita, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën angleze siç u dëgjuan sot, nuk janë mbështetur nga prova të besueshme dhe janë hedhur nga institucionet kombëtare kompetente, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorin", tha Gjonaj.
Në emër të mazhorancës, deputetja Blerina Gjylameti tha se këto zgjedhje u njohën si gjithëpërfshirëse, transparente, dhe të menaxhuara në mënyrë profesionale. Votën e shqiptarëve për një mandat të katërt, Gjylametit tha se e shohin si një shenjë që Shqipëria të çojë para rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Si kryetare e Delegacionit Shqiptar në PACE, është një nder për mua t’i drejtohem kësaj Asambleje, jo vetëm për faktin që populli shqiptar i ka besuar sërish Partisë Socialiste, por sepse mbështetja e tyre e vazhdueshme për socialistët, tashmë për herë të katërt radhazi, është një shprehje e fuqishme e përkushtimit të Shqipërisë ndaj progresit dhe rrugës evropiane”, tha Gjylameti.
Pavarësisht debateve politike, anëtarët e asamblesë miratuan raportin, në të cilin përmendet edhe bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore, duke e cilësuar si një përparim pozitiv.
"Delegacioni njohu punën e bërë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët bashkëpunuan në mënyrë efektive për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.", theksoi Seijo.
Në fund, Asambleja kërkon që të adresohen rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe të OSBE-së, depolitizimi i administratës zgjedhore, marrja e masave për të parandaluar blerjen e votës dhe përdorimin e burimeve shtetërore nga partia në pushtet.
"Ne sugjerojmë që të jepet përparësi këtyre fushave: adresimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe të OSBE-së në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të plotë; depolitizimi i administratës zgjedhore, sidomos në nivelet më të ulëta; marrja e masave për të parandaluar blerjen e votës dhe përdorimin e burimeve shtetërore nga partitë në pushtet. Gjithashtu, duhet ndërmarrë masa për të rritur edukimin politik, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kryhet një vlerësim i duhur i votimit nga jashtë vendit dhe të identifikohen fushat ku mund të bëhen përmirësime në të ardhmen.", theksoi ajo.
Megjithatë vëzhguesit rekomandojnë adresimin e financimit të partive dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
Klikoni këtu për të lexuar raportin e plotë
Deputetja e PS, Etilda Gjonaj në Asamblenë Parlamentare të KiE shprehu shqetësimin në emër të Partisë Socialiste për disa pjesë të raportit për zgjedhjet e 11 majit. Ndërsa theksoi në fjalën e saj se mazhoranca njeh rëndësinë e gjetjeve dhe rekomandimeve, por nga ana tjetër shpreh shqetësime lidhur me disa pretendime në raport mbi keqpërdorimin e burimeve administrative, presionin mbi votuesit dhe frikësimin.
Gjonaj tha se këto pretendime bazohen kryesisht në dezinformata me motiv politik nga opozita, dhe nuk janë të mbështetura me prova të besueshme. Gjonaj tha se pretendimet e opozitës janë hedhur poshtë në mënyrë dërrmuese nga institucionet kombëtare kompetente, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorin.
Fjala e plotë e Etilda Gjonajt
Zonja Presidente, të nderuar kolegë,
Së pari, dua të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim të sinqertë për delegacionin e PACE për misionin e rëndësishëm të vëzhgimit gjatë zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri dhe për raportin e plotë që kanë përgatitur, dhe natyrisht për kolegun tonë Luz Martinez që prezantoi sot pikat kyçe të këtij raporti.
E mirëpresim njohjen nga raporti të procesit të votimit jashtë vendit si një hap i rëndësishëm në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Pjesëmarrja e diasporës nuk është vetëm një fitore për demokracinë, por edhe një hap jetik përpara në integrimin evropian të Shqipërisë dhe forcimin e institucioneve tona.
Sigurimi i një procesi të drejtë dhe të besueshëm zgjedhor është thelbësor jo vetëm për legjitimitetin e rezultateve, por edhe për përparimin e mëtejshëm të standardeve demokratike në Shqipëri. Këto zgjedhje përfaqësojnë më të mirat që Shqipëria ka pasur në 35 vitet e demokracisë.
Megjithatë, mbetemi të angazhuar për të vazhduar përpjekjet për të zbatuar plotësisht rekomandimet e OSBE-së. Gjithashtu, e pranojmë nevojën për të avancuar kulturën tonë politike në mënyrë që të forcojmë besimin publik, të përmirësojmë qeverisjen dhe të përafrohemi plotësisht me standardet evropiane.
E vlerësojmë vlerësimin pozitiv të raportit për konkurrencën dhe profesionalizmin e zgjedhjeve, pavarësisht mjedisit politik shumë të polarizuar, siç është përmendur në raport.
Njohim rëndësinë e gjetjeve dhe rekomandimeve të delegacionit të PACE. Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësime lidhur me disa pretendime në raport mbi keqpërdorimin e burimeve administrative, presionin mbi votuesit dhe frikësimin.
Këto pretendime, të cilat duket se bazohen kryesisht në dezinformata me motiv politik nga opozita, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën angleze siç u dëgjuan sot, nuk janë mbështetur nga prova të besueshme dhe janë hedhur poshtë në mënyrë dërrmuese nga institucionet kombëtare kompetente, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqësorin.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa konkrete ligjore dhe administrative për të siguruar zbatimin e Kodit Zgjedhor, për të ruajtur neutralitetin e nëpunësve civilë dhe për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike.
Këto përfshijnë monitorim të brendshëm të vazhdueshëm nga Këshilli i Ministrave dhe pezullimin e nëpunësve civilë që kandidojnë për poste publike, duke dëshmuar përkushtimin tonë institucional ndaj një procesi zgjedhor të ndershëm dhe konkurrues.
Duke njohur rëndësinë e hetimit efektiv dhe të pavarur të krimeve zgjedhore, që nga viti 2021 kemi vendosur që këto çështje të jenë nën juridiksionin e SPAK-ut.
Është krijuar një task-forcë për të siguruar që të gjitha pretendimet e besueshme për blerje votash dhe shkelje të tjera zgjedhore të hetohen me seriozitet.
Në përfundim, riafirmojmë përkushtimin tonë të plotë për integritetin, transparencën dhe legjitimitetin demokratik të zgjedhjeve të 11 majit dhe, si shumicë, qëndrojmë pas legjitimitetit të këtyre zgjedhjeve si një pasqyrim i vërtetë i vullnetit demokratik të popullit shqiptar.
Faleminderit.
Deputetja e PD, Albana Vokshi foli në emër të opozitës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku denoncoi farsën elektorale, siç e cilëson PS. Në fjalën e saj, Vokshi tha se shumica e kritereve të Kopenhagës u shkelën në mënyrë sistematike dhe brutale.
Më retorikën e kryetarit të saj Berisha, Vokshi tha se zgjedhjet u ndikuan nga krimi duke vijuar me ‘fushatën’ për të nxirë Shqipërinë në sytë e ndërkombëtareve.
Vokshi tha se 28 kandidatë të PS në 10 qarqe u mbështetën nga grupe kriminale dhe kartele dhe kërkoi një mision verifikues në Shqipëri.
Ajo tha se 402 milionë euro fonde publike u keqpërdorën për blerjen e votës dhe manipulimin e rezultateve, ndërsa tha se para 11 majit, Rama dha 138 licenca për kultivimin e kanabisit.
Fjalimi i plotë i Albana Vokshit
Të nderuar kolegë,
Faleminderit për praninë e Këshillit të Evropës gjatë zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, që ofroi një pasqyrë të vlefshme për realitetin në terren. Raporti njeh shqetësime serioze, por e vërteta është shumë më alarmuese.
Kur vota nuk është e lirë, demokracia nuk ekziston. Nuk duhet të ketë standarde të dyfishta për vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate si Shqipëria.
A mund të konsiderohen zgjedhje demokratike kur shumica e kritereve të Kopenhagës u shkelën në mënyrë sistematike dhe brutale? ODIHR e thotë këtë. Kur shteti dhe partia në pushtet veprojnë si një, kur kandidatët dhe nëpunësit civilë kërcënohen përmes rrjeteve të patronazhit dhe kriminelëve që mbajnë shenja false të vëzhguesve brenda dhe jashtë qendrave të votimit, ndërsa forcat e rendit nuk ndërhyjnë ose reagojnë shumë vonë, madje edhe pas zgjedhjeve.
Kur mediat janë totalisht të kontrolluara. Javë para zgjedhjeve, Kryeministri miratoi 138 licenca për kultivimin e kanabisit, 147 herë më shumë se sa lejon ligji, duke mbuluar 29,000 hektarë afër kufijve. Partia në pushtet shënoi rritje të madhe votash në këto zona. Ky nuk është proces demokratik, është kërcënim për sigurinë kombëtare.
402 milionë euro fonde publike u keqpërdorën për blerjen e votës dhe manipulimin e rezultateve. 100 euro bonuse për 750,000 pensionistë, 42% e votuesve. 200 milionë euro gjoba të falura vetëm dy ditë para zgjedhjeve. Vendet e punës, subvencionet dhe aktivitetet e profilit të lartë u kthyen në mjete për më shumë vota.
Vota u ble me paratë e taksapaguesve gjithashtu. Kam marrë pjesë në shumë zgjedhje, por kurrë nuk kam parë apo përjetuar diçka të tillë. Në Vorë, u kërcënova në mes të ditës nga kriminelë të dënuar për vrasje dhe trafik droge dhe kolegët e mi e dinë shumë mirë këtë.
Vajza ime u kërcënua gjithashtu përpara qendrës së votimit. Pavarësisht thirrjeve në polici dhe kallëzimit zyrtar në SPAK, askush nuk reagoi. Ata kriminelë janë ende të lirë dhe unë kam frikë deri sa vajza ime të kthehet në shtëpi.
Prandaj, pyes sërish: a janë këto zgjedhje të lira kur kandidatët gra duhet të përballen me kartele kriminale në vend të partive politike?
Nuk kam hyrë në politikë për të mbajtur armë, por për të ofruar një alternativë të bazuar në të vërtetën. Më është mohuar kjo e drejtë për shkak të lidhjeve mes zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin dhe ministra, me krimin e organizuar.
A duhet të qëndroj e heshtur, e qetë, por me frikë? Jo. Duhet të flasim për vajzat tona, për familjet tona dhe për çdo grua që dëshiron të shërbejë pa frikë.
Nëse më lejoni vetëm disa sekonda të tjera: nëse nuk veprojmë tani, do ia dorëzojmë politikën atyre që mbrohen nga krimi dhe jo nga demokracia. 28 kandidatë në 10 qarqe u mbështetën nga grupe kriminale dhe kartele. Mbi 20 prej tyre do të jenë në parlamentin e ardhshëm dhe kush e di, ndoshta do të ulen edhe në këtë sallë. Unë nuk dua që kjo të ndodhë.
Një mision verifikues duhet të shkojë në Shqipëri për të hetuar ndikimin e krimit dhe dështimet demokratike. Kam dorëzuar një video të shkurtër për këtë seancë plenare, por nuk u transmetua – prandaj kushdo që dëshiron ta shohë, le ta shohë vetë se çfarë ndodh.
I bëj thirrje çdo deputeteje të kësaj salle: nuk duhet ta tolerojmë këtë. Duhet të ngrihemi dhe të sigurojmë një mjedis ku gratë të bëjnë politikë dhe të shërbejnë me dinjitet.
Faleminderit shumë.
Deputetja Blerina Gjylameti mbajti fjalën në emër të qeverisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u prezantua raporti për zgjedhjet e 11 majit. Në fjalën e saj, Gjylametit tha se mbështetja e popullit shqiptar për PS, është një shprehje e fuqishme e përkushtimit të Shqipërisë ndaj progresit dhe rrugës evropiane.
Gjylameti tha se këto zgjedhje u njohën si gjithëpërfshirëse, transparente, konkurruese dhe të menaxhuara në mënyrë profesionale në një ambient të drejtë dhe të qetë.
Po ashtu, ajo tha se janë krenarë për përfshirjen historike të diasporës në procesin e votimit.
Fjala e plotë e Blerina Gjylametit
Më lejoni të filloj duke falënderuar raportuesin z. Billi dhe znj. Martinez për raportin mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, të mbajtura më 11 maj dhe të paraqitur sot këtu.
Si kryetare e Delegacionit Shqiptar në PACE, është një nder për mua t’i drejtohem kësaj Asambleje, jo vetëm për faktin që populli shqiptar i ka besuar sërish Partisë Socialiste, por sepse mbështetja e tyre e vazhdueshme për socialistët, tashmë për herë të katërt radhazi, është një shprehje e fuqishme e përkushtimit të Shqipërisë ndaj progresit dhe rrugës evropiane!
Por më shumë se një fitore politike, ky është një apel për të qeverisur me më shumë përgjegjësi – në përputhje me vlerat që na bashkojnë këtu: demokracia, transparenca, përfshirja dhe sundimi i ligjit.
Jemi krenarë që këto zgjedhje u njohën si gjithëpërfshirëse, transparente, konkurruese dhe të menaxhuara në mënyrë profesionale në një ambient të drejtë dhe të qetë.
Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, siç theksohet edhe në raport, 95% e qendrave të votimit janë vlerësuar pozitivisht.
Kjo përfaqëson një njohje për punën e palodhur të mijëra zyrtarëve zgjedhorë dhe institucioneve në të gjithë vendin – dhe tregon sa shumë ka ecur përpara demokracia jonë e re.
Jemi krenarë për përfshirjen historike të diasporës sonë, duke i mundësuar shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të marrin pjesë për herë të parë në formësimin e së ardhmes së kombit tonë.
Dëshiroj gjithashtu të nënvizoj rolin thelbësor të SPAK-ut, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, e cila, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka luajtur një rol kyç në parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore me qëllim ruajtjen e integritetit të procesit.
Puna e tyre është dëshmi se sundimi i ligjit në Shqipëri nuk është vetëm një parim, por një realitet aktiv dhe në rritje.
Në të njëjtën kohë, ne i njohim shqetësimet e ngritura në raport, për të cilat do të vazhdojmë punën tonë me përgjegjësi për t’i adresuar sa më parë.
Më konkretisht, mbetemi të përkushtuar për të avancuar reformën zgjedhore, për të depolitizuar organet zgjedhore dhe për të përmirësuar financimin e fushatave dhe lirinë e medias — në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it.
Të nderuar kolegë, vendosmëria e Shqipërisë për të vazhduar rrugën e reformave nuk ka të bëjë vetëm me anëtarësimin – por me standardet dhe vlerat.
Ka të bëjë me ndërtimin e një shoqërie ku qytetarët i besojnë votës së tyre, besojnë në institucionet dhe ndihen të përfaqësuar në çdo nivel qeverisjeje.
Kjo na inkurajon të vazhdojmë punën tonë me përulësi dhe vendosmëri – jo vetëm për të përmbushur standardet, por për të jetuar sipas tyre.
Komente
