Tiranë- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi sot (18 mars) një takim me kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi, në kuadrin e trajnimeve dhe përgatitjeve të uniformave blu për mbarëvajtjen gjatë dhe pas procesit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Në fokus të diskutimeve ishte roli i Policisë së Shtetit në mbështetje të një procesi zgjedhor të qetë dhe të besueshëm. Si garantuese e rendit dhe sigurisë, Policia e Shtetit mbetet në gatishmëri për të siguruar që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një mjedis të lirë dhe të paanshëm”, njofton institucioni.
Pikë diskutimi ka qenë edhe bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, në kuadër të Protokollit të Koordinimit për Hetimin dhe Ndëshkimin e Krimeve Zgjedhore. Palët ritheksuan angazhimin për të luftuar çdo përpjekje për të cenuar integritetin e zgjedhjeve, duke siguruar se çdo rast do të trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm.
“Policia e Shtetit do të zbatojë me përpikmëri detyrimet e saj ligjore dhe do të ndjekë çdo rast të denoncimit të krimeve zgjedhore, duke bashkëpunuar ngushtë me KQZ-në dhe me institucionet e tjera. Askush nuk mund të cenojë procesin zgjedhor, pa u përballur me pasojat ligjore”, tha Proda mes të tjerash.
Gjithashtu, Drejtori konfirmoi se strukturat policore janë të përgatitura për të përmbushur detyrimet e tyre, me profesionalizëm dhe neutralitet të plotë. Ai theksoi se Policia do të jetë aktive, jo vetëm në sigurimin fizik të procesit zgjedhor, por dhe në identifikimin dhe adresimin e çdo shkeljeje të ligjit zgjedhor, në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Ndërkaq, Komisioneri Celibashi u shpreh se:
“Policia e Shtetit është një partner i rëndësishëm në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve tona është jetik për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe të qetë për të gjithë votuesit”.
Komente
