Edhe zgjedhjet e 11-ta parlamentare që prej rrëzimit të regjimit komunist, nuk i shpëtuan halleve të vjetra, sidomos të dekadave të fundit.
Numërimi ka ecur ngadalë, ndërsa për të numëruar 5225 kutitë e votave nuk kanë mjaftuar as 48 orë nga momenti i mbylljes së votimit.
Deri në vitin 2001, numërimi i votave në Shqipëri kryhej në qendrat e votimit. Por për shkak të manipulimeve dhe mosbesimit politik, në ndryshimet e kodit zgjedhor në vitin 2003 u vendos që numërimi të bëhej në KZAZ, që në këto zgjedhje ishin 94 të tilla. Koha që merr transferimi i kutive të votimit, shpesh në zona të largëta, nga vendi ku votohet në vendin ku do të numërohet ndonjëherë është shumë e madhe. Më pas procedurat për pranimin e kutisë, kanë një kohë plus. Numërimi më pas është një odise më vete, me procedura burokratike, të gjitha për shkak të mosbesimit politik.
Në këto zgjedhje të 11 majit, shkaku kryesor sipas KQZ për këtë rezultat të avashtë është lodhja e numëruesve.
“Nuk mund të numërohet 24 orë pa pushuar”, tha Celibashi më 12 maj.
Madje KQZ u ka bërë thirrje partive politike të marrin masa për ndërrimin e numëruesve në mënyrë që votat të numërohen sa më shpejt dhe të mos ketë bllokime me orë të tëra.
“Partitë të marrin masa për të ndryshuar anëtarët e grupeve të numërimit”, tha kryekomisioneri.
Lodhja u pranua edhe nga vetë partitë, ku PD zyrtarisht tha se në Fier për gati 10 orë të hënën 12 maj nuk u numërua në KZAZ nr.59 dhe 60 pasi komisionerët e PD u larguan prej lodhjes.
Po kjo pauzë, u shoqërua me një tjetër pengesë më pas. Komisionerët e PS në këto KZAZ të Fierit, numëruan 7 kuti pa prezencën e PD, por rezultati nuk u pranua nga demokratët që kërkuan rinumërim.
Tensionet nuk munguan as në Vlorë, ku ju kërkua vëzhguesve partiak të të largohen nga rreshti i parë pasi po pengonin procesin, por kjo u kundërshtua nga opozita.
Në Durrës 2 vota shtesë në një kuti votimi, nxitën debate mes vëzhguesve të partive, pasi PD kërkoi rinumërim e ndërsa PS e quajti lapsus.
Incidente ka pasur edhe në disa qendra votimi në Tiranë. Në KZAZ-në 32 në Shkozë Agron Shehaj ka pasur debate me komisionerët, pasi Partia Mundësia pretendon se ka pasur parregullsi ne procesin e numërimit përfshire edhe votat e pavlefshme.
Edhe në KZAZ tek 1 maji në Tiranë, numërimi u ndërpre në mesnatë, pasi përfaqësues të Lëvizjes Bashkë kanë pretenduar se në qendër numërimi kanë hyrë persona të paautroizuar.
Risia e këtyre zgjedhjeve ‘vullneti’ i emigrantëve, u kthyer në një tjetër pengesë për rezultatin final.
Afro 194 mijë vota të diasporës që vijojnë të numërohen në Parkun Olimpik në Tiranë, kalojnë në 3 procese nga numëruesit. Hapet zarfi B, brenda të cilit është Zarfi A, merret vota dhe më pas kalon në skaner.
Por jo vetëm kaq. Vota e diasporës nga Greqia u kthye në ‘mollë’ sherri, PD kërkoi bllokim, ndërsa PS ishte kundër. Ky konflikt bëri që numërimi i diasporës të nisë në orën 01.30 të natës të datës 12 maj.
Për shkak të lodhjes edhe komisionerët e Parkut Olimpik kanë ndërpre gjatë natës së të martës me gati 9 orë.
Komente
