TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur këtë mbrëmje të deleguarit për qarkun e Tiranës. Burime bëjnë me dije se takimi është zhvilluar në një hotel në kryeqytet, ndërsa Rama ka lënë porositë e tij.
Fokusi i diskutimeve ka qenë tek vota e diasporës, ku burimet thonë se Rama ka kërkuar që të arrihet objektivi i PS për regjistrimin e 35 mijë emigrantëve vetëm për qarkun e Tiranës.
Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, peshën për qarkun më të rëndësishëm të vendit, Tiranën, nuk e ka vetëm Erion Veliaj. Punën organizative të strukturave së PS në Bashkinë Tiranë e ka ministrja Ogerta Manastirliut, ndërsa për 4 bashki të qarkut, Kavajën, Vorën, Rrogozhinën e Kamzën është përgjegjëse Elisa Spiropali.
Ndërkohë, deputeti Pandeli Majko është deleguar në Kavajë, ministri Ervin Hoxha tek njësia numër 1, deputeti Erion Braçe te njësia 5, ministri Blendi Gonxhe në Kombinat, deputetja Olta Xhaçka te njësia numër 2 dhe ministrja Albana Koçiu te njësia numër 11.
Ndërkohë, paraditen e sotme Rama mblodhi në selinë rozë të gjithë drejtuesit e qarqeve, ku kërkoi që të punohet më shumë në ato qarqe ku numri i emigrantëve të regjistruar është i ulët, sidomos Kukësi, Gjirokastra, Dibra dhe Lezha.