Politikë

Rama nga Fushë-Kruja: Bufi dhe këneta e lanë gropë! Janë gati edhe 350 banesat e fundit për familjet e goditura nga tërmeti, rrugë e re lidhëse me Tiranën

7 Maj, 11:05| Përditesimi: 7 Maj, 14:59

  • Share

Kryesocialisti Edi Rama ka vijuar turin elektoral për zgjedhjet e 11 majit, teksa ditën e sotme e nisi nga zona e Krujës dhe Fushë-Krujës, me mitingun përmbyllës.

I shoqëruar nga kryebashkiakia e Durrësit dhe drejtuesja politike e qarkut për PS, Emiriana Sako, kryebashkiaku Artur Bushi, kandidatët dhe strukturat, kryeministri mori takim me qytetarët dhe mbështetësit për të prezantuar investimet gjatë një dekade në këtë zonë dhe projektet në të ardhmen.

“Një pasqyrë e Rilindjes së qarkut të Durrësit”, shprehet kryesocialisti në prag të takimit.

Rama e nisi fjalimin e tij të shkurtër me pasojat e tërmetit dhe traumën që pësuan banorët e zonës së Fushë-Krujës, Krujës dhe qarkut të Durrësit, si dhe reagimi i shtetit me banesat e reja dhe projektin e rindërtimit.

"Për familjet e goditura nga tërmeti u ndërtuan banesat e reja dhe u strehuan pas asaj ngjarje të rëndë. Janë shpërndarë apartamente dhe po vijon puna për pjesën e mbetur. Shpërndarja e 350 apartamenteve të fundit, ka mbetur për shkak të periudhës zgjedhore dhe do bëhet së shpejti, pasi të përfundojë ky proces që ka rregulla dhe ligje të caktuara, sepse nuk e bëjmë dot në fushatë. Do realizojmë edhe ëndrrën e vjetër të Krujës, për të pasur një rrugë lidhëse drejtpërdrejtë me Tiranën. Tani kjo rrugë është pjesë e programit tonë", u shpreh Rama mes të tjerash.

Ai vuri theksin edhe tek informimi për investimet 10-vjeçare të qeverisë në qarkun e Durrësit dhe veçanërisht në Krujë, ndërsa shpjegoi edhe tabelat me statistika kombëtare të arritjeve në të gjitha fushat.

"Ka të vërteta të shtrembëruara që ju servirin dhe ju s'keni nga i merrni vesh sepse ju flasin për gënjeshtra çdo mbrëmje, teksa këneta dhe bufi e la vendin në rrënim", tha Rama për shifrat që deklaroi se qytetarët nuk janë informuar siç duhet.

Ai shpjegoi borxhet e lëna nga qeveria e kaluar, "gropa ekonomike" siç e quajti ai, buxhetin dhe prodhimin e brendshëm, teksa nënvizoi se deri më 2030 ky buxhet do trefishohet, nga 8 mld që është aktualisht, në mbi 30 miliardë euro. Gjithashtu shpjegoi uljen e shifrave të papunësisë, zhvillimit të biznesit, rritjes së rrogave dhe pensioneve, uljes së taksave, duke i krahasuar me shifrat e vitit 2013 kur PS erdhi në pushtet.

Kryeministri preku edhe fusha të tjera, duke akuzuar “kënetën e moçaleve televizive” se vetëm e nxin realitetin. Ai tha se janë shumëfishuar pagat e mjekëve, mësuesve, ndihmat sociale, pensionet, rrogat dhe do rriten më tej sipas programit të PS, deri më 2030, duke përfshirë edhe buxhetin e ushtrisë.

“Shumë flet këneta nëpër këto moçalet e televizionet se s’ka kështu dhe ashtu, ka rënë ekonomia, varfëri etj. 1650 euro paga e mjekëve, do shkojë në 2 mijë euro në 2030. Rrogat aktuale më të vogla janë 400 euro dhe do rriten më tej. Kemi rritur bonusin e bebes, deri mbi 1200 euro për fëmijën e tretë. Do e ndryshojmë me çdo muaj sipas numrit të fëmijëve. Mësuesit do shkojë paga nga 950 euro në 1250 euro në 2030. Kemi pasur ushtrinë më të keqpaguar në rajon, nga 28 mln euro, sot e kemi mbi 280 milionë euro. Kemi rritur pagat e ushtarakëve de do e bëjmë më shumë. Sot kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon, përfshi edhe Serbinë që ka ushtrinë më të madhe në rajon. Në ushtri pagat janë bërë mbi 1500 euro, ose me rritje mbi 150%”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shpjegoi edhe investimet dhe projektet e dekadës në rrugë, infrasktukturë, energji, ujësjellës-kanalizime, agro-bujqësi, turizëm dhe fusha të tjera.

"Për 4 vitet e ardhshme do investojmë dhe bëjmë edhe më shumë. Duke realizuar profecinë e atij lart, që keni atje në Krujë, në hije të malit, që e përcaktoi se fati i stërnipërve të tij është Europa. Uroj që më 11 maj rezultati nga kutitë këtu në Krujë e Fushë-Krujë të dalë më mirë se asnjëherë tjetër", mbylli Rama fjalimin e tij.

Ora 12:23
Rama: Nga 2026 ndryshon skema e bonusit, jo më çek për bebet, por mbështetje çdo muaj në varësi të numrit të fëmijëve! Këneta e la me 50 euro

 

Kryeministri Edi Rama, teksa shpjegonte arritjet në një dekadë të qeverisjes socialiste gjatë takimit elektoral në Krujë dhe Fushë-Krujë, nëpërmjet tabelave hologramike, foli edhe për ndihmën ndaj familjeve me fëmijë.

Ai deklaroi edhe ndryshimin e skemës së ndihmës për bonusin e bebes, ku nuk do jetë më një skemë me ӓek në maternitet, por me një mbështetje financiare çdo muaj në varësi të numrit të fëmijëve.

“Kjo është shifra e bonusit të bebes, që ne e japim prej vitesh, që kur e jepte këneta ishte 50 euro dhe ne e kemi bërë 400 euro për fëmijën e parë, 800 për të dytin dhe 1200 për fëmijën e tretë. Ndërkohë që nga viti i ardhshëm do e ndryshojmë skemën, ku nuk do jetë një çek në maternitetin e lindjes, por një mbështetje financiare çdo muaj sipas numrit të fëmijëve”, u shpreh kryesocialisti.

Ora 11:26
‘Ah vdeksha unë për ty, plasi syri i keq!’ Kryesocialistin e ndërpret demokrati me ‘Rama ik!’: Të keqen o hudhër, po e prisja! Ishte dhe me flokë të lagur, foli kur përmenda bufin (VIDEO)

 

Teksa e kaloi fjalën tek pasqyrimi i shifrave gjatë tre mandateve të qeverisjes së PS, duke i krahasuar me qeverisjen e PD deri më 2013, kryesocialisti Edi Rama pati edhe një episod me batuta, që kanë qenë të zakonshme gjatë kësaj fushate.

Ai u ndërpre nga një qytetar që kaloi përtej sheshit dhe hodhi thirrjen “Rama ik!”. Rama ndërpreu fjalimin dhe reagoi me batuta dhe ironi:

“Ja..., ah vdeksha unë për ty! Hë, po e pritsha, eh të keqen o hudhër! E pritsha! Ja, plasi syri i keq, a vdeksha unë! E kur e tha, pikërisht sapo përmenda unë bufin, tha ‘Rama ik’! Po e pritsha këtë, ah vdeksha unë për ty! Ju s’e patë, por kishte edhe flokët e lagur kur kaloi aty dhe thirri “Rama ik!”, u shpreh kreu i mazhorancës, i cili pak më parë kishte deklaruar se Sali Berisha me qeverinë e tij e kishte lënë vendin në “gropë ekonomike e borxhe”.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?