Të ftuarit në 'Studio Live' në Report Tv

Politikë

Zgjedhjet/ Shabani në Report Tv: Në diskutime me Lapajn e Alibeajn për koalicion, s’ka bashkim me Berishën e Metën! Sulo: Duhet një front opozitar

10 Janar, 19:11| Përditesimi: 10 Janar, 19:19

  • Share

TIRANË- ‘Nisma Thurje’ e Endri Shabanit është në diskutim me disa parti të tjera të reja për t’u bashkuar në një koalicion në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Vetë Shabani, i ftuar në Report Tv, konfirmon se janë në diskutime me Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt, por edhe me grupime të tjera, dhe një parti të formuar së fundmi, që i bie Djathtas 1912 e Alibeajt.  

Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Shabani thotë se po diskutohet që të jenë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme dhe madje po shihet mundësia që lista e kandidatëve për deputetë të jetë e hapur.

“Me Shqipëria bëhet, Adriatik Lapajt, janë disa grupime të tjera, një nga Diaspora dhe një grupim tjetër që po formohet së fundmi. Diskutimi është që të jemi në një listë të përbashkët dhe do përpiqemi ta kemi listë të hapur, përmes një makinacioni ligjor, kështu na e kanë vendosur”, tha Shabani në Report Tv.

Shabani thotë se kurrsesi nuk mund të ketë bashkim me Sali Berishën e Ilir Metën, pasi sipas tij nuk përfaqësoknë të njëjtën gjë. 

“Padyshim që do duhet të bëhen bashkë, në opozitë ka ravijëzime, disa modele. PD dhe fraksionet e PD. Kanë dalë nga gjiri i PD, kanë qenë deputetë që kanë marrë mandatin në PD. Duhet të bëhen bashkë për të fuqizuar atë që përfaqësojnë. Forcat e reja nuk përfaqësojnë të njëjtën gjë. Nëse ne bashkohemi me Berishën apo Metën, ne nuk ekzistojmë më si alternativë. 80% e atyre që thonë që Nisma Thurje është alternative e parë, 80% prej tyre thonë që nëse Nisma Thurje nuk merr pjesë në zgjedhje thonë se nuk do shkojnë të votojë. Mendoj që këta njerëz kanë të drejtën të kenë një zë në kuvend, nuk mund ti bashkojmë ujërat e zeza me ujin e malit, siç është bërë me Lanën”, vijoi Shabani.

Por, për analistin Arion Sulo të gjitha partitë opozitare do duhet të bashkohen në një front, pasi nëse futen të ndarë në zgjedhje kjo do të favorizojë Edi Ramën.

“Problemi tjetër, këta janë të gjithë parti opozitare. Si të tilla, bashkimi është i domosdoshëm, por këtu është shumë më i domosdoshëm se votat që marrin 90% janë djathtas, çka prapë e favorizon Ramën. E bën bashkimin kusht. Dhe tjetra, dakord e kanë zënë rrugën, mendoja se përballja juaj me këtë klasë politike ka nevojë për një shkundje më të madhe. Një mandat secila nga partitë e reja mund ta marrin, por problemi është se e marrin nga opozita, Ramës nuk i preken. Copëtohet vota e opozitës”, tha Sulo në Report Tv.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?