Silvio Gonzato takim me prokurorë të SPAK

Politikë

SPAK ‘zbarkon’ në çdo qark, mbi 5 mijë efektivë në terren! Dumani: Do flas pas zgjedhjeve! Gonzato: Vizitova Durrësin dhe Fierin pas informacioneve se veprojnë banda

11 Maj, 08:21| Përditesimi: 11 Maj, 19:13

  • Share

 

Ndërsa qytetarët iu drejtuan qendrave të votimit, SPAK, BKH dhe forcat policore “zbarkuan” në terren për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe parandalimin e krimeve zgjedhore. Policia e shtetit angazhoi mbi 5 mijë punonjës në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit. 

Kreu i SPAK votoi në qendrën e votimit në shkollën “At Zef Pëllumbi” në njësinë nr 5 në Tiranë, i shoqëruar me bashkëshorten e tij. Gazetarëve ai iu tha shkurt se: “Do kemi komunikim pas zgjedhjeve”.

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato kreu një vizitë në një qendër votimi në Durrës, ndërsa më pas udhëtoi në Fier, ku zhvilloi edhe një takim me prokurorët. Ai tha në një prononcim për mediat se zgjodhi Durrësin dhe Fierin për t’i vizituar për shkak se kishte informacione se po veprojnë bandat.


“Isha edhe në Durrës sepse ka pasur informacione sa u përket bandave kriminale. Patëm informacione të tjera edhe për në Fier, vendosa që të vija edhe në Fier. Janë autoritetet që do hetojnë, ne po shikojmë situatën“, u shpreh ambasadori i BE-së. 

Prokurorët e SPAK u vendosën në çdo qark të vendit, kryesisht në zonat të cilat konsiderohen të nxehta si Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Lezha. Policia la pikat e kontaktit në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët KZAZ-të apo KQZ-ja kanë kërkesa për ndërhyrjen e policisë. 

Më pas, shërbimet e policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit. Në bashkëpunim me OSCE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore. 

Ora 17:53
Gonzato takim me prokurorët: Zgjodha Fierin dhe Durrësin pas informacioneve se veprojnë banda! Janë autoritetet që hetojnë, ne vëzhgojmë

Deklarata pasi Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe prokurorët e Seksionit të Posaçëm për Zgjedhjet të Prokurorisë Fier. 

Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi rëndësinë e procesit zgjedhor, rolin e prokurorisë në këtë proces, si dhe rëndësinë e veprimeve hetimore të shpejta dhe efektive.

“Isha edhe në Durrës sepse ka pasur informacione sa u përket bandave, ka pasur edhe informacione edhe për në Fier, vendosa që të vija edhe në Fier. Janë autoritetet që do hetojnë, ne po shikojmë situatën“, u shpreh ai.

Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi rëndësinë e procesit zgjedhor, rolin e prokurorisë në këtë proces, si dhe rëndësinë e veprimeve hetimore të shpejta dhe efektive.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh vullnetin e plotë dhe gatishmërinë për evidentimin dhe hetimin e menjëhershëm të rasteve që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Ora 09:51
Voton kreu i SPAK Altin Dumani: Do flas pas zgjedhjeve (VIDEO)

 

Të drejtën e votës e ka ushtruar edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.

Report TV raportoi live momentin ku Dumani voton në qendrën e votimit në shkollën “At Zef Pëllumbi” njësinë në 5 në Tiranë, së bashku me bashkëshorten e tij. 

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ishte fjalëpak para mediave teksa tha se do të ‘flasin’ pas zgjedhjeve.

Kujtojmë që SPAK ka ngritur një Task Forcë për krimet zgjedhore. 
 

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?