Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku, zhvilloi vizitë në një nga fasoneritë e kryeqytetit, ku ka takuar nga afër punonjëset dhe ka biseduar me to për vështirësitë e jetës së përditshme dhe kostot e larta të jetesës.
Tabaku shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe mbështetjen e grave punëtore, të cilat, siç tha ajo, janë heroinat e vërteta të ekonomisë familjare shqiptare. Takimi vjen në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Jam shumë e gëzuar që zonjat më mbështesin dhe realisht shumë e privilegjuar për këtë mbështetje. Ju falenderoj që më dhatë mundësinë t’ju flas”, u shpreh Tabaku, teksa shpërndau edhe një video në llogarinë e saj personale në rrjetin social Facebook.
Duke folur për programin ekonomik të Partisë Demokratike, Tabaku theksoi se vendosja e taksës së sheshtë 10% është një nga politikat më të rëndësishme që do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve dhe rrogat e punëtorëve.
“E di shumë mirë që zgjoheni më herët se unë, që pas punës shkoni në shtëpi dhe merreni me punët atje, përfshirë edhe buxhetin e familjes. E di sa mirë e kuptoni kur flas për taksën e sheshtë 10%. Sepse kjo do të thotë më shumë para në xhepin tuaj dhe të familjes suaj. Më shumë para për sipërmarrjen që do të përkthehet në më shumë rroga për ju”, tha Tabaku mes të tjerash.
Kandidatja demokrate theksoi se vota e 11 majit duhet të jetë një votë për ekonominë e familjes, për më shumë drejtësi dhe dinjitet në punë, dhe për një shtet që i lehtëson, jo i rëndon qytetarët.
Komente
