Zgjedhjet vendore, ekspertja Meta për Report Tv: Klima politike e tensionuar! Liderët t’i lënë hapësirë kandidatëve për të bërë fushatë

29 Prill 2023, 18:48| Përditesimi: 29 Prill 2023, 18:59

  • Share

Ekspertja e zgjedhjeve, Gerta Meta foli në Report Tv për raportin paraprak të OSBE-ODHIRIT për fushatën zgjedhore të 14 majit. Njëjtë si në raport, Meta thotë se klima politike është e tensionuar.

 Me gazetarin Nertil Agalliu, ajo tha se liderët kryesorë po përdorin një gjuhë të ngarkuar politikisht, që sipas saj po zbrazin mes njëri-tjetrit inatet e vjetra politike. Meta u shpreh se duhen inkurajuar tone të moderuara dhe një vetëpërmbajtje e sjelljes së partive politike.

“Vlerësimi paraprak në lidhje me ecurinë e fushatës nga ODHIR, e vlerësoj por mendoj që janë treguar edhe të kujdesshëm, për të mos vijuar dhe intensifikuar tensionin politikisht duke qenë shumë fin në atë përcaktimin që kanë thënë fushata është me tone të qeta. Të gjithë e kemi thënë, edhe ODHIR për rreshta, e ka cituar që është një fushatë me tone të qeta por e tensionuar politikisht. Unë mendoj që në një situatë të tensionuar politikisht nuk mund të kesh tone të qeta. Nuk e ka një rrjedhë normale fushata elektorale, por mendoj se gjuha në këtë ngarkesë politike, sidomos e liderëve, s’ka qenë as e qetë ka qenë disa provokative, që ka një lloj mesazhi, një lloj marrëdhënie të personalizuar ku po shprehen inate politike të vjetra. Duhen inkurajuar tone të moderuara dhe një vetëpërmbajtje e sjelljes së partive politike”, tha Meta.

Meta thotë se liderët politikë duhet t’i lënë kandidatët të bëjnë fushatë dhe mos ta fokusojnë atë tek vetja.

“Ajo që duhet të prevalojë në fushatë është që nuk po kemi një përballje të kandidatëve. Nuk e di nëse në këto 10-12 ditë do kemi një përballje, ose një panel të kandidatëve, por të paktën të mundet që prezenca e liderëve dhe eksponentëve të rëndësishëm të partive politike të jetë më e pakët dhe fushata t’iu lidhet në dorë kandidatëve për kryetar bashkie dhe anëtarëve për këshilltarë bashkiakë”, u shpreh Meta.

Ndërkohë ajo tha se ka pasur shkelje të Kodit Zgjedhor, që me nisjen e fushatës elektorale para datës 14 prill.

“Është simbolike shkelja që kanë bërë me fillimin e fushatë, por nuk ndikon në tërësi në mos vlerësimin e proceseve zgjedhore në vend. 14 prilli ishte data e nisje zyrtarisht, asnjë parti se respektoi, kanë qenë të gjitha në fushatë më herët. Megjithatë duhet një lloj respekti për kodin zgjedhor që ata vetë e kanë shkruar”, u shpreh ajo.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?