Kosova & Rajoni

Zgjedhjet vendore në Kosovë, opozita kundërshton shtyrjen e datës

13 Shtator 2021, 10:57| Përditesimi: 13 Shtator 2021, 11:06

  • Share

Kërkesës së Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në vend, partitë opozitare në Kosovë i janë përgjigjur negativisht.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë deklaruar se nuk po e mbështesin kërkesën për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar që të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Ndërkohë në zyrën për informim të Lëvizjes Vetëvendosje, parti që udhëheq me Qeverinë e Kosovës, thonë se institucionet shëndetësore janë ato të cilat e japin vlerësimin e duhur për këtë̈ çështje.

Ditën e sotme presidentja e vendit Vjosa Osmani do të mbledhë të gjitha partitë politike për të diskutuar në lidhje me datën e zgjedhjeve dhe shtyrjen e mundshme të tyre.

Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale. Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me koronavirus .

Prej muajit të kaluar, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.

Zgjedhjet e 17 tetorit janë zgjedhje të rregullta, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, mbahen çdo katër vjet. Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur me 22 tetor 2017.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ju duken të sigurta kushtet e rrugëve në Shqipëri?