Shefja e Misionit të Vëzhguesve Audrey Glover vijon takimet në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Kësaj radhe, Glover është ndalur në një takim me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknurin.
Takimi u zhvillua në selinë e Partisë Socialiste dhe padyshim që fokusi kryesor ishte gara elektorale. Ka qenë vetë Gjiknuri, i cili pas takimit që zgjati rreth një orë, zbardhi për gazetarët diskutimet me Glover. Gjiknuri tha se kanë folur se si po zhvillohet fushata, për financimet e partive, si edhe për listat zgjedhore. Ai tha se deri më tani nga konstatimi i OSBE-ODHIR nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar pasi fushata ka qenë e qetë.
“Në lidhje me pikëpamjet si po zhvillohet kjo fushatë, konstatimet e tyre paraprake, më shumë që një mision të marrin një opinion në lidhej me disa çështje që ata i konsiderojnë të rëndësishme, si financimi, qetësia, mbarëvajtja e fushatës, aksesit të palëve në sistemin juridik shqiptar, mediat. Çështja e fushatës në përgjithësi, rekomandimet e ODHIR, që një pjesë e tyre fatkeqësisht nuk janë reflektuar në kodin zgjedhor. Zgjedhjet dhe konstatimi i tyre duket se nuk ka ndonjë situatë për tu shqetësuar, fushata ka qenë e qetë, kishin pyetje në lidhje me vendimmarrjet e KQZ, listës së zgjedhësve”, tha Gjiknuri.
Ai komentoi edhe takimin e Glover me Berishën. Ai tha se nuk e kupton pse Berisha e fsheh emrin e Metës.
“Ata janë këtu për të biseduar me palët. E dimë që Meta dhe Berisha garojnë sëbashku, martesë e re me ofertë të vjetër. Pse fshihen nga emrat, kur martesa është publike. Ata duhet të krenohen me emrin e Metës në fletën e votimit. Se di pse mërziten. Ligji ka përcaktuar që partia udhëheqëse i përmbush partia e koalicionit, tani s’të pëlqen partneri që u martove politikisht, këtë se shpjegoj dot.”, vijoi Gjiknuri.
Glover ka zhvilluar takime edhe me drejtuesit e tjerë të partive politike, si Ilir Metën, Sali Berishën, Enkelejd Alibeajn apo edhe Fatmir Mediun.