Zgjedhjet vendore të 14 majit, 3 ankime për bashkitë Belsh, Kamëz dhe Kuçovë! BF kërkon rinumërimin e votave për kryebashkiakë, ADK për këshilltarët

22 Maj 2023, 17:16| Përditesimi: 22 Maj 2023, 17:44

  • Share

Tre kërkesa ankimore nga ana e opozitës janë dorëzuar ditën e sotme në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve lidhur me tabelat përmbledhëse të KQZ-së për rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit në bashkitë Kamëz, Belsh dhe Kuçovë.

Lefter Maliqi, kandidati i Bashkë Fitojmë në Kuçovë i cili humbi zgjedhjet përballë Kreshnik Hajdarit të Partisë Socialiste i cili fitoi me rreth 700 vota diferencë, ka kërkuar rinumërim të votave në të gjitha qendrat e votimit dhe ka renditur 32 pika të cilat sipas tij përbëjnë shkelje për gjithë procesin zgjedhor në këtë bashki. Duke nisur nga fakti që Kreshnik Hajdari sipas Maliqit nuk duhet të ishte kandidat sepse është i dënuar në Greqi e deri tek pretendimi për mungesa të kamerave të sigurisë në qendrat e votimit.

Sipas Maliqit rreth 3 mijë vota në kutitë e fundit të numëruar në këtë bashki kanë qenë të pavlefshme por janë numëruar si të vlefshme në kundërshtim me ligjin.

Sa i takon ankimimit të Bashkë Fitojmë për bashkinë e Belshit, kërkohet rinumërimi i votave në të gjitha qendrat e votimit për këtë bashki, si dhe shpalljen e pavlefshme të procesit të votimit në burgun ‘Kosovë’. Në pikën e fundit të kësaj kërkese ankimore, kërkohet që të shpallet fitues Bedri Qypi, kandidati i koalicionit Berisha-Meta.

Ndërsa kërkesa e tretë ankimore është e partisë Aleanca Demokristiane e cila kërkon rinumërimin e votave për këshilltarë bashkiakë në Kamëz.

Më herët opozita ka dorëzuar edhe 9 ankimime për këshillat bashkiakë në disa bashki të vendit. 

KQZ ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve vendore për kryebashkiak dhe këshilltarë bashkiakë në bashkitë: Tiranë, Durrës, Shkodër, Kamëz, Lushnjë, Berat, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë.

(Kliko këtu për të parë ankimimin e Aleancës Demokristiane për këshilltarët bashkiakë në Kamëz)

(Kliko këtu për të parë ankimimin e Bashkë Fitojmë për bashkinë e Belshit)

(Kliko këtu për të parë ankimimin e Lefter Maliqit për bashkinë e Kuçovës)

 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?