Foto: Aleksandër Vuçiç
Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare, ndërsa serbët në veri, me krye kryetarin e Listës Serbe, Zllatan Ellek, kanë marrë pjesë në votime.
Kjo është hera e parë që qytetarët serbë në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet. Vuçiç po ashtu thekson që ata të votojnë Listën Serbe, sepse sipas tij është e vetmja garanci që Albin Kurti nuk do t'i dëbojë.
"Po shfrytëzoj rastin t'u bëj thirrje të gjithë serbëve nga Kosova që të shkojnë e të votojnë. Votoni Listën Serbe, sepse ajo është garancia e vetme që Kurti nuk do t'i dëbojë serbët nga Kosova", shprehet Vuçiç.
Lista Serbe është e vetmja që dëshiron të luftojë për interesat e popullit serb dhe që Kurti në asnjë mënyrë nuk mund të japë ryshfet", tha Vuçiç.
Ndërkohë, pak pasi nisi votimi, 5 persona u ndaluan në Kosovë për veprën penale cënim i lirisë së votuesve. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka evidentuar 2 raste me këtë vepër penale.
Prokurori i Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe staf të sistemit prokurorial për procesin zgjedhor, në mënyrë që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje.
Edhe misioni ndërkombëtar Eulex është angazhuar për të shmangur konfliktet apo përplasjet e mundshme.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet në Kosovë/ Pjesëmarrja në votime mbi 40 për qind, më e ulët se më 2021 dhe 2019! Policia: Procesi ishte i qetë, pa incidente madhore
Xh.K/ReportTv.al
