Politikë

Zgjedhjet/ Xhaferri: PD s’i detyron dot fraksionet të bashkohen! Ndoja dhe Gjoni s'janë të dënuar, Roshi kandidat i aleatit të Agrares! S'po lobojmë për t'i hequr Berishës 'non gratën' në SHBA

22 Prill, 22:34| Përditesimi: 22 Prill, 23:30

  • Share

Partia Demokratike shkon e përçarë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, me disa fraksione që nuk arritën të bashkoheshin për shkak të Sali Berishës, e që mund t’u kushtojë në rezultatin përfundimtar të votimit.

Por për kreun e FRPD-së, Besart Xhaferri, i cili është kandidat i listës së mbyllur për ADSHM-në, nuk është problem pse disa figura të partisë nuk pranuan të bashkoheshin.

Deputeti i ardhshëm tha për emisionin “Repolitix” në Report Tv se PD ka ofruar 8 mandate të sigurta për partitë aleate që janë një peshë e rëndësishme, pasi shtoi se sjellin 150 mijë vota për opozitën.

Kurse në lidhje me lënien e figurave si Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti në listën e hapur, duke i rrezikuar për mandatin, Xhaferri theksoi se “opozita është sakrificë” dhe se këto figura në terren i afrojnë më shumë qytetarët.

Gazetarja Esiona Konomi dhe analisti Endri Tafani, të ftuar në panel, nënvizuan se problemi më i madh i opozitës është përçarja e saj dhe faktori Sali Berisha në krye të saj, alibi e socialistëve për ta shërbyer si “të keqin” e historisë.

“Si rezultat i organizatës time që përfaqësoj dhe bazuar te statuti i partisë, PD-së, jam në listën e mbyllur, si kreu i FRPD-së. Është kënaqësi që të jesh pjesë e parlamentit. Paketa e dhembshurisë është prioritet kryesor, normalizimi i gjendjes së varfërisë në 100 ditët e para. Nuk është Shqipëri madhështore dhënia e 200 eurove pension apo minimum jetik, por ky është normalizim i situatës.

Prioriteti kryesor është investimi me kapitale, në ekonomi dhe të gjitha fushat dhe sidomos në atë në demografi, siç është problemi i shpopullimit, ku ka edhe shumë të rinj që kanë ikur dhe faktori kryesor i demografisë, çiftet. Ne synojmë rritjen e buxhetit vjetor në mbi 10 miliardë, por edhe heqjen e taksës progresive, rritje të rrogave dhe pensioneve, uljen e çmimit të energjisë dhe ujit”, tha ai për programin elektoral të PD-së.

Kurse për fraksionet brenda PD-së, që e çuan në mosbashkim dhe ndarjen në disa parti, Xhaferri tha se “nuk mund t’i detyrojmë me zor”.

“Ne nisëm Rithemelimin në 2021 me 3 deputëtë dhe tani kemi 90% të faktorit opozitar, por ne nuk detyrojmë dot ata që qëndrojnë jashtë, nuk i marrim dot me forcë. PD u rikthye në identitet, te anëtarësia e saj. Për ne nuk është problem qëndrimi jashtë i Bashës apo të tjerëve, sepse ne tani jemi me 90% të grupit. Kemi përfshirë të gjitha partitë që janë me ne. Aleatët na sjellin 150 mijë vota. Opozita është sakrificë. Edhe ata që s’kanë ardhur te ne, pasi unë mendoj se mirë është kur ka një politikë edhe trepolare dhe jo vetëm dypolare, pra respektoj këdo prej tyre, por jo të lëmë Ramën në pushtet, një pikë të na bashkojë, rrëzimin e qeverisjes”, u shpreh kreu i FRPD-së.

Gazetarja Konomi theksoi faktin se “opozitës i mungon fryma”.

“Përshtypja ime është pse opozita nuk ka krijuar frymë. Pasi edhe sondazhet tregojnë një opozitë të dobët, kryesisht edhe në Tiranë. Opozita nuk bëri përpjekje serioze për të bashkuar të gjithë faktorin opozitar dhe nuk i shërbejnë programeve. Të gjitha vijnë këto si derivat i përçarjes brenda PD apo fraksioneve të krijuar. Për sa kohë nuk bashkohet faktori opozitar dhe nuk ka listë inspiruese, e shoh të vështirë objektivin”, u shpreh ajo.

Për analistin Tafani problemi është Sali Berisha:

“Mendoj se është ngritur narrativa për Berishën, pra shqiptarët jo se e duan Ramën, por nuk duan Berishën. Është ngritur alibia si ajo shprehja “për inat të sime vjehrre, shkoj me mullixhinë”. Uroj që opozita të eci mirë, por të gjitha sondazhet nuk e tregojnë këtë. Sondazhet shumë rrallë tregojnë të kundërtën apo zhgënjejnë, vetëm si rasti i Trump. Por shoh se inati nuk është me PD, por me Berishën. Duke parë edhe narrativën e Ramës, që flet për bufin, në atë drejtim shkon, te sulmi ndaj Berishës, narrativa e të keqit, se “unë jam e keqja më e vogël”, shpjegoi ai.

Besart Xhaferri u shpreh se PD synon përmbysjen në Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, duke nënvizuar se synohen të paktën 18 mandate.

Kurse gazetarja Konomi vuri në pah problematikën kryesore që ka opozita me përfshirjen në lista të disa emrave problematikë apo siç e quajti “një listë të ndotur”, duke përmendur emra si të ish-prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, i lakuar për lidhjet me botën e krimit, gjyqtarit ‘sheik’ Gjin Gjoni në Lezhë, i dorëhequr para Vetingut, si dhe kushëririn e Elvis Roshit në Kavajë, të cilin dikur PD e sulmonte kur ishte kryebashkiak i socialistëve.

Xhaferri kundërshtoi duke thënë se Ndoja nuk është i dënuar dhe as Gjin Gjoni, kurse për kushëririn e Roshit shpjegoi se është “kandidat i aleatit tonë, Partisë Agrare”. Për ish-prokurorin e Durrësit, Xhaferri u shpreh se “vjen në listë për rezultatin që pati në Primare”.

Xhaferri iu përgjigj edhe pyetjes nëse ka apo jo lobim për heqjen e “non gratës” së Sali Berishës në SHBA.

Ai shpjegoi se PD nuk po bën lobim, por ka shpresë tek procedura e rishikimit që administrata e Trump po i bën listës së personave “non grata”.

“Nuk ka lobim për non gratën e Berishës. Ka besim të madh se administrata Trump do rishikojë çdo shpallje non grata të liderëve të së djathtës në Europë dhe Botë. Nuk ka lobim, është me dokumente, e firmosur. Shpresa është e madhe, por nuk do ndodhë fal lobimit, por rishikimit të listës”, u shpreh ai.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Diaspora po vendos, sa përcaktuese do jetë vota nga jashtë më 11 maj?