Partia e Lirisë akuzoi qeverisjen vendore për rritjen e taksave ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme në Tiranë, që e cilësoi një “rritje të befasishme” që shkakton kaos dhe pasiguri.
Ishte Jasmira Memelli, zëdhënësja e kreut të PL-së, i cili qëndron në burg prej arrestimit më 21 tetor 2024, ajo që bëri një deklaratë për mediat sot (7 maj), duke premtuar që pas zgjedhjeve të 11 majit kjo situatë do ndryshojë.
“Programi ynë ofron alternativë të qartë, ulje taksash për biznesin e vogël dhe të mesëm, politika stimuluese për ekonominë dhe stabilitet fiskal”, tha mes të tjerash Memelli.
Ajo i bëri thirrje qytetarëve, sidomos në Tiranë, që të votonin koalicionin PD-ADSHM dhe kreun e partisë Ilir Meta.
Deklarata e Jasmira Memelli, zëdhënëses së kreut të PL:
“Shumë biznese në Tiranë po përballen me rishikimin e detyrimeve për taksat vendore, duke shkaktuar kështu një kaos të vërtetë dhe shtuar pasigurinë e funksionimit të ligjeve dhe mbështetjen ndaj bizneseve.
Kjo rritje e befasishme dhe e pajustifikuar përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj mijëra bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat përballen çdo ditë me rritjen e kostove operative, mungesën e mbështetjes dhe pasigurinë ekonomike.
Në vend që të nxisë rritjen e aktivitetit ekonomik dhe punësimin, qeveria vendore zgjedh të rëndojë më tej barrën fiskale mbi sipërmarrjen, pa ofruar transparencë mbi përdorimin e fondeve të mbledhura apo përmirësime konkrete në shërbime.
Koalicioni “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, angazhohet për një model të ri qeverisës, ku politika tatimore bazohet në drejtësi, dialog dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ne jemi në krah të çdo sipërmarrësi që kontribuon me ndershmëri në ekonomi dhe refuzojmë çdo vendim që e trajton biznesin si mjet për mbushjen e boshllëqeve buxhetore.
Programi ynë ofron një alternativë të qartë:
Ulje të taksave për biznesin e vogël dhe të mesëm
Politika stimuluese për sektorët strategjikë të ekonomisë
Garantim të stabilitetit fiskal dhe thjeshtim të procedurave tatimore si dhe fuqizim të shtetit ligjor për të luftuar evazionin dhe korrupsionin, jo për të ndëshkuar të ndershmit
Koalicioni “PD–ASHM” riafirmon angazhimin e saj për të ndërtuar një ekonomi të lirë dhe konkurruese, ku biznesi trajtohet si partner dhe jo si burim i vetëm për mbushjen e boshllëqeve buxhetore.
Ne garantojmë një reformim të thellë dhe të përgjegjshëm të politikave publike që vendosin në qendër interesin e qytetarit dhe sipërmarrjes së ndershme. 11 Maji është dita kur kjo qeveri do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët, të cilët tanimë të lodhur nga propaganda dhe premtimet boshe të rilindasve, kërkojnë ndryshimin, kërkojnë mirëqenie dhe një jetë dinjitoze.
Prandaj më 11 Maj të gjithë së bashku votojmë Nr.1 “ PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Më 11 Maj votojmë Ilir Metaj për qarkun Tiranë”.
Komente
